25 Gusht, 2026

Trump ‘anulon’ sulmet ndaj Iranit

 Trump ‘anulon’ sulmet ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka anuluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit, me kusht që një marrëveshje me Teheranin të arrihet “shpejt”.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani dhe disa vende të Lindjes së Mesme i kishin kërkuar Washingtonit të pezullonte çdo veprim ushtarak, duke shtuar se janë përcaktuar tashmë “konturet” e një marrëveshjeje. Sipas tij, kjo marrëveshje do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim normal dhe eliminimin e kërcënimit që, sipas SHBA-ve, paraqet programi bërthamor iranian.

“SHBA-të ishin të gatshme të ndërmerrnin një operacion ushtarak me një nivel force dhe fuqie të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore, por vendosa ta anuloj këtë veprim për të mirën e ardhshme të botës dhe për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë”, shkroi Trump.

Deklarata e tij vjen pasi media amerikane raportoi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po shqyrtonin mundësinë e një fushate të re bombardimesh kundër infrastrukturës energjetike të Iranit. Sipas CBS News, plani ishte diskutuar gjatë mbledhjes së kabinetit të Trump të premten, ndërsa burime të cituara nga media thanë se sulmet do të ishin ndër më të ashprat e deritanishme.

Gjatë të njëjtës mbledhje, Trump u dëgjua duke thënë se Irani do të goditej “shumë fort” dhe se në një moment autoritetet iraniane do të detyroheshin të pranonin se nuk mund ta përballonin më presionin.

Ndërkohë, më herët gjatë së shtunës, Irani akuzoi SHBA-të për përshkallëzim të tensioneve dhe paralajmëroi se çdo shtet i rajonit që do të bashkëpunonte me Washingtonin do të “përfshihej nga flakët e luftës”.

Po ashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme të tregojnë kujdes të shtuar dhe të jenë të përgatitur për largim në rast të një përshkallëzimi të situatës. Autoritetet paralajmëruan për anulime fluturimesh, mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve.

Sipas raportimeve të Axios dhe Reuters, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, zhvilloi një bisedë telefonike me Trump, gjatë së cilës shprehu shqetësimin për pasojat që mund të sillnin sulmet e reja ndaj Iranit.

Tensionet mes Washingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm pas dështimit të armëpushimit të arritur në muajin prill. Javën e kaluar, SHBA-të njoftuan se kishin kryer një valë të re sulmesh ndaj objektivave iraniane, në përgjigje të një tentative për sulm me raketa balistike ndaj forcave amerikane në rajon.

Nga ana tjetër, Irani ka vazhduar sulmet me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe ka ndërmarrë veprime kundër transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.

Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së Trump për anulimin e sulmeve dhe pretendimeve të tij për një marrëveshje të afërt.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *