14 Korrik, 2026

Tri të vërteta të thjeshta (për kryeministrin)

 Tri të vërteta të thjeshta (për kryeministrin)

Nga Fatos Tarifa

1. Kryeministri është administratori i punëve të qeverisë, jo pronari i saj. Qeveria është e qytetarëve dhe duhet t’i bindet vullnetit të tyre. Vizioni qeverisës i një kryeministri nuk mund të jetë i ndryshëm, apo i shkëputur nga vullneti i qytetarëve, i shprehur jo vetëm përmes votës një herë në katër vjet, por edhe përmes protestave kundër mënyrës së qeverisjes dhe drejtuesit të qeverisë, kur kjo mënyrë qeverisjeje nuk gëzon mbështetjen e tyre.

2. Dikush nga ministrat apo këshilltarët e kryeministrit duhet t’i shpjegojë këtij të fundit një të vërtetë elementare: një investim privat prej 4 miliardë eurosh në sektorin e turizmit, i shpërndarë në disa vite, nuk e rrit Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit me 4 miliardë euro në vit — as në një vit, as në dhjetë vjet. Kjo është një e vërtetë ekonomike aq e thjeshtë, sa mund të kuptohet nga çdo njeri me njohuritë më elementare.

3. Arroganca e kryeministrit, e shfaqur prej vitesh në marrëdhëniet e tij shpërfillëse me qytetarët e këtij vendi, perceptohet sot si një kategori morale, politike dhe estetike thellësisht e shëmtuar. Ajo nuk është shenjë force apo vendosmërie; përkundrazi, dëshmon frikë dhe pasiguri. Kjo arrogancë personale, e shndërruar edhe në arrogancë shtetërore, është ndër shkaqet më të thella të indinjatës e të zemërimit të qytetarëve që protestojnë sot në Shqipëri.

Ngaqë kryeministri e ka të pamundur të çlirohet nga natyra e tij, nga arroganca dhe prepotenca që janë bërë tipare përcaktuese të identitetit të tij politik e publik, do të ishte më e ndershme që ai të hiqte dorë nga drejtimi i qeverisë dhe të largohej nga politika.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *