30 Tetor, 2026

Transporti ajror vijon rritjen marramendëse në Shqipëri

 Transporti ajror vijon rritjen marramendëse në Shqipëri

Transporti ajror në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026. Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, në periudhën korrik-shtator kanë udhëtuar me linja ajrore 4 milionë e 799 mijë e 773 pasagjerë, kundrejt 3 milionë e 892 mijë e 761 pasagjerëve në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Kjo përfaqëson një rritje prej 23.3%, ose rreth 907 mijë pasagjerë më shumë në harkun e një viti.

Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, në transportin ajror kanë operuar 35 shoqëri ajrore të huaja, kundrejt 31 shoqërive në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në hapësirën ajrore shqiptare janë regjistruar gjithsej 153 mijë e 664 lëvizje avionësh. Prej tyre, 125 mijë e 604 kanë qenë mbikalime, që përbëjnë 81.7% të totalit, ndërsa 28 mijë e 60 kanë qenë fluturime.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, numri i fluturimeve u rrit nga 22 mijë e 938 në 28 mijë e 60, ndërsa mbikalimet nga 116 mijë e 985 në 125 mijë e 604.

Rritje e transportit të mallrave me ajër

Edhe transporti ajror i mallrave dhe postës ka regjistruar rritje. Volumi i përgjithshëm i mallrave të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror arriti në 732 tonë.

Sipas INSTAT, 76.2% e këtij volumi përbëhet nga mallrat e hyra, ndërsa 23.8% nga mallrat e dala. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, volumi i mallrave dhe postës është rritur me 2.5%.

Sa i përket tregtisë së mallrave, volumi i eksporteve dhe importeve të transportuara me ajër arriti në 628 tonë gjatë tremujorit të tretë 2026.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky tregues është rritur me 8%.

Megjithatë, transporti ajror zë një peshë shumë të vogël në importet e përgjithshme të vendit. Sipas të dhënave të INSTAT, volumi i mallrave të importuara me ajër përbën vetëm 0.03% të totalit të mallrave të importuara.

Të dhënat tregojnë se rritja më e fortë në transportin ajror gjatë tremujorit të tretë 2026 është regjistruar te numri i pasagjerëve, ndërsa edhe fluturimet, mbikalimet dhe volumi i mallrave kanë shënuar rritje vjetore.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *