Tomi dhe Xherri në spital
Screenshot
Nga Lutfi Dervishi
Pas denoncimit të gazetarit Osman Stafa për praninë e minjve në Spitalin e Traumës, duket se zgjidhja u gjet: sot, në korridoret e spitalit, u shfaq një mace. Por ndërsa problemi duket se mori zgjidhje, disa pyetje mbeten ende pa përgjigje.
A është bërë tender për macen, apo është marrë me procedurë të përshpejtuar
A është dhuratë nga BE, në kuadër të mbështetjes për shëndetësinë?
A është macja pjesë e organikës së Traumës, apo shërbim i kontraktuar?
A është bërë konkurs për vendin e punës, apo macja është emëruar?
A i është kërkuar dëshmi penaliteti dhe certifikatë veterinare?
A do të ankohen shoqatat për mbrojtjen e kafshëve për shfrytëzimin e maces?
A është përcaktuar me VKM numri maksimal i minjve për mace?
A do të paguhet macja me rrogë, dietë apo me performancë, për çdo mi të kapur?
Nëse macja nuk kap asnjë mi, kush mban përgjegjësi, macja apo drejtori?
A është ky projekt pilot vetëm te Trauma, apo do të shtrihet në të gjithë sistemin shëndetësor?
Dhe më e rëndësishmja, macja është sjellë për të kapur minjtë, apo për t’i hedhur hi syve gazetarit?