14 Korrik, 2026

Tmerri nëse udhëton me urban në Tiranë

 Tmerri nëse udhëton me urban në Tiranë

Qendra Mjedisore për Edukim, Zhvillim dhe Rrjetëzim (EDEN) zhvilloi të premten paradite një tryezë të përbashkët mbi sistemin e transportit publik në Tiranë, duke prezantuar gjetjet kryesore të një sondazhi publik, si edhe duke identifikuar sfidat që qytetarët hasin në përdorimin e transportit.

Ersa Prifti, menaxhere projekti pranë qendrës EDEN, theksoi se, sipas gjetjeve të sondazhit të tyre, pothuajse 50% e të anketuarve janë shprehur se mjeti kryesor i lëvizshmërisë për ta është transporti publik, por shumica prej tyre e kanë vlerësuar atë negativisht.

“69% e të anketuarve u shprehën se nuk kanë akses të barabartë në transportin publik,” tha ajo duke iu referuar gjetjet e sondazhit.

“Koha e gjatë e pritjes, oraret e parespektuara, kushtet e dobëta dhe mungesa e infrastrukturës, si edhe mungesa e aksesit për personat me aftësi të kufizuara, mbeten disa nga sfidat e raportuara nga pjesa më e madhe e të anketuarve,” shtoi Prifti.

Lidhur me sigurinë e sistemit të transportit, qytetarët e anketuar janë të ndarë në mënyrë të barabartë: gjysma shprehen se ndihen të sigurt, ndërsa gjysma tjetër e shohin si shqetësues faktin e ekzistencës së ngacmimeve seksuale apo episodeve të vjedhjeve në mjetet e transportit publik.

Nevoja për rinovimin e flotës së autobusëve ishte një tjetër problematikë që përfaqësuesit e shoqatave të transportit sollën në tryezë.

Kujtim Mema, nga Shoqata Kombëtare e Transportit Ndërqytetas, u shpreh se ka dukshëm nevojë për përmirësimin e flotës së autobusëve në vend, por kjo pamundësohet për shkak të mungesës së investimeve.

“Operatorët e transportit çalojnë në investime sepse tarifat janë shumë të ulëta, dhe barra u bie qytetarëve,” tha Kujtim Mema, duke theksuar se shteti duhet të funksionojë si rregullator i këtyre çështjeve.

“Nuk duhet të hezitojmë të kërkojmë llogari, sepse nuk e kemi pasur ndihmën e tyre,” shtoi ai, duke iu referuar mungesës së mbështetjes nga institucionet shtetërore.

Ngjashëm, edhe Dashnor Mema, kryetar i Shoqatës së Transportit Publik, u shpreh se biletat e autobusëve nën kosto dhe mungesa e financimit ishin ndër faktorët kryesorë që pengojnë investimet në një flotë më moderne.

“Biletat janë nën kosto që prej vitit 2016, ndërkohë që çdo kosto tjetër e jetesës është rritur,” u shpreh kreu i Shoqatës së Transportit Publik.

Përfaqësues të Bashkisë së Tiranës u shprehën se, përtej nevojës për rinovimin e flotës, ulja e trafikut, si një prej ndotësve kryesorë në vend, është thelbësore për përmirësimin e sistemit të transportit.

Anjeza Asameni, nga Drejtoria e Përgjithshme e Mjedisit dhe e Zhvillimit të Qëndrueshëm pranë Bashkisë së Tiranës, theksoi se një prej sfidave kryesore të identifikuara prej tyre, përveç flotës së vjetëruar, është edhe trafiku, si ndotësi kryesor në kryeqytet.

“Bashkia e Tiranës është duke punuar për krijimin e disa hapësirave parkimi në periferi, në mënyrë që ata që hyjnë në Tiranë nga rrethet të mos detyrohen të parkojnë domosdoshmërisht në qendër, duke krijuar kështu mundësi për lehtësimin e trafikut dhe përmirësimin e transportit,” tha Asameni.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *