21 Maj, 2026

“Tirana qelbet erë, ku derdhen ujërat e zeza?” – Erion Braçe “përplaset” në Kuvend me ministrin Karakaçi

 “Tirana qelbet erë, ku derdhen ujërat e zeza?” – Erion Braçe “përplaset” në Kuvend me ministrin Karakaçi

Një debat i fortë ka përfshirë seancën e fundit në Kuvend mes deputetit Erion Braçe dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me situatën alarmante mjedisore në Tiranë, ndotjen e lumenjve dhe zvarritjen shumëvjeçare të projekteve për trajtimin e ujërave të ndotura.

Braçe paralajmëroi një përkeqësim të rëndë të situatës me rritjen e temperaturave gjatë muajve të verës.

“Tirana po hyn në javën dhe muajt ku qelbet erë… Ujëra të ndotura, siç më bën me dije UKT përmes kësaj letre, derdhen në lumenjtë e Tiranës, e pranojnë botërisht, në Lanë dhe lumin e Tiranës, me gjasë edhe në Erzen,” deklaroi Braçe, duke cituar një shkresë zyrtare të Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Deputeti kritikoi ashpër ritmin e zhvillimit urban të kryeqytetit, duke theksuar se infrastruktura nëntokësore nuk po ndjek hapin e ndërtimeve të reja masive.

Ai ngriti pikëpyetje të mëdha se ku do të shkarkohen ujërat e zeza të zonave të reja në zhvillim, si Lagjja nr. 13 dhe Bulevardi i Ri.

“Asnjë metër volum i ri në rrjet s’po shtohet, asnjë impiant për përpunimin e ujërave nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet e reja,” u shpreh ai.

Nga ana e tij, ministri Enea Karakaçi e pranoi rëndësinë jetike të këtij investimi, por sqaroi se projekti ka pësuar vonesa të jashtëzakonshme për shkak të dështimit dhe problemeve të rënda me kontraktorët.

Ai bëri të ditur se bëhet fjalë për një marrëveshje huaje me Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me një vlerë prej rreth 61 milionë eurosh.

Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një impianti të madh të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, me kapacitet mbi 94 mijë metra kub në ditë, si dhe dy kolektorë kryesorë: një me gjatësi 4.2 km nga Pallati me Shigjeta deri në impiant dhe një tjetër nga Ura e Shkozës deri te Pallati me Shigjeta për të menaxhuar shkarkimet e Lanës.

Ministri zbuloi se kontrata e nisur para vitit 2016 u ndërpre në mënyrë të njëanshme pas auditimeve të dikasterit të tij.

“Implementimi filloi para vitit 2016 me afat prej 36 muajsh, por pas disa problemeve serioze afati u shty me 52 muaj… Po atë vit kontrata u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktor pas një auditimi të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ministria ka marrë masa për të rivitalizuar kontratën. Aktualisht jemi në fazën që konsulenti ka përfunduar rishikimin e projektit dhe ka hartuar projektin e ri teknik. Shumë shpejt pritet fillimi i procedurës konkurruese,” premtoi Karakaçi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *