“Thesari i fshehur” i Vjosës dhe Përmeti, mahnisin Brazilin
Zbuloni thesarin e fshehur poshtë maleve të Shqipërisë, një prej liqeneve gjigante me ujërat termale.
Ky është kryetitulli i revistës braziliane “Estado de Minas”, e cila shkruan për liqenin Neuron, i cili u zbulua nga një ekip shkencëtarësh çekë 1 vit më parë në luginën e lumit Vjosa, pranë kufirit me Greqinë.
Media braziliane shkruan se studiuesit e kanë konsideruar “Neuron” si liqenin termik nëntokësor më të madh të njohur në botë. Zgavra e tij impresionon jo vetëm me vëllimin e ujit, por edhe me dimensionet e zbuluara gjatë hartëzimit.
Edhe pse liqeni ishte lokalizuar më parë, pajisjet e disponueshme gjatë ekspeditës së parë nuk lejonin matjen e saktë të madhësisë së tij, ndaj ekspedita e vitit 2024 përdori teknologjinë “LIDAR” për të hartëzuar shpellën, ku më pas u zbulua se liqeni është 138 metra i gjatë, 42 metra i gjerë dhe mban afërsisht 8,3 milionë litra ujë termik.
Revista braziliane “Estado de Minas” shkruan se afër zonës ku ndodhet liqeni Neuron është Përmeti, një qytet i vogël në jug të Shqipërisë, që është i rrethuar nga malet dhe lugina e lumit Vjosa. Kjo zonë është e njohur për peizazhet e bukura natyrore dhe burimet termale.
Mbi të gjitha, natyra e kësaj zone vazhdon të zbulojë thesare që mahnisin botën, sepse ka plot ujëra nëntokësore termale që rrjedhin natyrshëm, pranë kanioneve të mrekullueshme, formacioneve shkëmbore dhe zonave malore piktoreske pranë kufirit grek, që tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj.