14 Korrik, 2026

“The Albanian Files” – Basti i Edi Ramës me kolateral Shqipërinë

 “The Albanian Files” – Basti i Edi Ramës me kolateral Shqipërinë

Në ka “agjentë” të infiltruar që e kanë nxjerrë “mbretin shqiptar lakuriq” mund të thuhet se janë Anneke Abhelakh dhe Lars Muller Publishers. Padashje natyrisht. Kanë krijuar, në anglisht, një bazë të mirë të të kuptuarit të skemës dhe fantazisë së kryeministrit shqiptar Edi Rama, mbi kasaphanën që ka krijuar dhe po këmbëngul ta çojë deri në fund me zonat e mbrojtura, e që tani gjendet në momentin më të vështirë të karrierës së tij politike, përballë mijëra protestuesve që i këndojnë vargun që s’e lë të qetë “Rama, jepe dorëheqjen!”.

Historia është e thjeshtë. Lars Muller Publisher dhe Anneke Abhelakh (shiko këtu më shumë për autoren), vendosin të publikojnë një libër përmbledhës me të gjitha studiot arkitekturore që kanë shkelur tokën shqiptare e kanë punuar mbi të, plot 60. I quajtur “The Albanian Files”. Me projekte arkitekturore të njohura për publikun, por edhe të panjohura e të pakonsultuara me publikun shqiptar, libri kushton rreth 70 euro.

Puna e autores Abhelakh është mbresëlënëse dhe i kërkojmë falje nëse në këtë shkrim e quajmë figurativisht “agjente” por ndonjëherë të rrëmben dhe narrativa e propagandës qeveritare me agjentë e luftë hibride. Rama e ka mohuar ideimin dhe autorësinë e këtij libri duke thënë se ka bërë vetëm parathënien.

Çfarë ka bërë autorja? Ajo ka eksploruar nëpërmjet disa intervistave të strukturuara përjetimet e përfaqësuesve të studiove arkitekturore nëpërmjet pyetjeve: Si u njohët me Shqipërinë? Cili është konteksti ku punoni kryesisht dhe cilat janë dallimet/ngjashmëritë më të mëdha në procesin e ndërtimit? Si organizoheni në kontekstin shqiptar? Cili është objektivi juaj dhe çfarë partneritetesh po krijoni për ta arritur atë? A e ndani punën e projektimit me zyrën lokale apo ajo vetëm zbaton propozimin tuaj? Pse e zgjodhët këtë mënyrë organizimi? Cilat janë mundësitë dhe sfidat për një arkitekt në Shqipëri? Për ata që punojnë prej më shumë se 10 vitesh: A ka ndryshuar kjo me kalimin e kohës?

Libri është i pajisur me foto, shënime, skica të projekteve të tyre dhe detaje të tjera frymëzuese në procesin e krijimit. Me rëndësi është edhe një tabelë e fundit për të 60-të studiot arkitekturore, me projektet e ideuara, të kryera, në fazë përzgjedhëse apo duke pritur përzgjedhjen.

Shkruan Anneke Abhelakh:

“Mënyra se si ndodh njohja fillestare shpesh përcakton edhe mënyrën e pozicionimit. Qoftë përmes një konkursi, një ftese, rrjeteve personale apo rastësisë, mënyra e krijimit të këtij kontakti vendos afërsinë dhe mund të përcaktojë me kë do të punohet dhe nën çfarë pritshmërish. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje ishte shpesh e ngjashme, shumë prej arkitektëve u prezantuan me Shqipërinë përmes kryeministrit ose përmes konkurseve të shumta publike, ndaj ajo u hoq në disa raste, për t’u lënë vend historive dhe marrëdhënieve të tjera.”

Shkruan Edi Rama:

Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para, shkëlqim apo premtime. Ajo i tërheq me diçka shumë më të vështirë për t’u përkufizuar dhe të pamundur për t’u përvetësuar: me një besim të përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe në besimin se ajo mund të realizohet. Jo pavarësisht se je këtu, por pikërisht sepse je këtu. Diçka e gjallë. Diçka e papërsëritshme. Diçka ende e lirë nga rehatia mbytëse e mbirregullimit dhe siguria e parapaketuar. Ose, siç e shprehu një nga anëtarët e ArchArmy, një liri nga “jo-ja në të gjitha format e saj. …The Albanian Files dokumenton një bast demokratik për mënyra të reja jetese, të ushqyer nga bindja se hapësira nuk është kurrë neutrale, se forma mbart vlera dhe se komunitetet duhet t’i rinegociojnë vazhdimisht marrëdhëniet e tyre, si territoriale ashtu edhe shpirtërore, duke reflektuar mbi të kaluarën me përulësi dhe duke guxuar të përballen me të ardhmen pa frikë.”

NJË VEND KU KRYEMINISTRI ËSHTË MBI LIGJET

Mjafton që Rama ta shkonte nëpër mend se u bënte përnjëherë telefon apo u shkruante direkt në Instagram arkitektëve. Dikujt për të bërë një projekt, dikujt që t’i jepte mend. Edhe pse arkitektët e pranojnë se në raste të caktuara kanë marrë pjesë në konkurse, sërish rrëfimet e tyre nëse merren në gjithë mozaikun e madh, hedhin dritë mbi ngritjen e kultit të individit realizuar me përpikmëri nga Rama, ku ai dhe vetëm ai është vendimarrësi që ka të drejtë jo vetëm të marrë vendime, por edhe të fantazojë, edhe të ketë ide, edhe të endërrojë, madje ai dhe vetëm ai ka të drejtë të thotë “po” ose “jo” për projekte që kanë të bëjnë me jetën tonë.

Arkitektët vazhdojnë rrëfimin.

Tekst origjinal nga libri

“Shqipëria po ndjek një rrugë tjetër. Kryeministri Edi Rama e ka vendosur arkitekturën në krye të prioriteteve të tij; ai angazhohet drejtpërdrejt me të, në të vetmen mënyrë që është vërtet e mundur, duke u përfshirë personalisht. Kjo agjendë politike është radikale dhe unike.”

Tekst origjinal nga libri

“Është pozitive që në Shqipëri kryeministri është personalisht i përfshirë në çështjet e urbanistikës dhe arkitekturës. Është po aq pozitive që arkitektura dhe urbanistika nuk janë ndarë artificialisht nga njëra-tjetra. Gjithashtu është interesante që shumica e zhvilluesve zotërojnë vetë edhe kompanitë e ndërtimit.”  

Tekst origjinal nga libri

“Për konkursin EXPO Albania bashkëpunuam gjithashtu me artistin shqiptar Adrian Paci, dhe vlerësojmë qasjen kuratoriale ndaj arkitekturës të promovuar nga kryeministri Edi Rama, i cili e kuron Shqipërinë si një fushë komplekse marrëdhëniesh arkitekturore, të ngjashme me një ekspozitë. Kjo qasje bën që edhe projektet private të bëhen pjesë e zgjedhjeve publike dhe të ndikojnë në dinamikat e tregut kur bëhet fjalë për interesin publik.”

Tekst origjinal nga libri

“Arkitektura është dëshmia më e dukshme dhe kujtesa më afatgjatë e kohës së saj. Ajo është e ekspozuar përpara syve të publikut, një kujtesë e qartë që i mbijeton çdo gazete, çdo recensioni, çdo gjëje të transmetuar në televizion apo të publikuar në internet. Ajo i mbijeton ushqimit që hamë dhe rrobave që veshim. Megjithatë, duket se në shumë vende arkitektura është shtyrë drejt padukshmërisë, sepse nuk i lejohet të komunikojë asgjë, nuk i lejohet të shprehë një qëndrim arkitekturor, nga frika se mund të bëhet objekt debati ose, akoma më keq, objekt kritike.

Çdo studio, thuajse çdo studio e përmend Ramën si pikën e kontaktit me Shqipërinë. Ashtu siç thotë Afrim Krasniqi “Në Shqipëri kemi kryeministër, pastaj ligj“.

Tekst origjinal nga libri

“Kryeministri Edi Rama më dërgoi një mesazh në Instagram duke më pyetur nëse do të isha i interesuar të punoja në Shqipëri.”

Tekst origjinal nga libri

“Benedetta Tagliabue më dërgoi një mesazh duke më pyetur nëse isha dakord që numri im i kontaktit t’i jepej kryeministrit të Shqipërisë. I thashë, sigurisht. Pesë minuta më vonë u kontaktova nga kryeministri, i cili më pyeti nëse mund të shkoja në Tiranë për të diskutuar mundësinë e një projekti.

Tekst origjinal nga libri

“Ne erdhëm si studentë në Berlage Institute, së bashku me Ella Zanthellin dhe Pier Vittorio Aurelin, për të punuar mbi projektin “Visions for Tirana as a Modern European Capital”. Pas prezantimeve përfundimtare, Edi Rama (atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës) na ofroi mundësinë të punonim në Shqipëri.”

Rrëfime të sinqerta prej fëmije ky i arkitektëve, deri në servilizëm bezdisës. Çfarë i shkruan De Graafi në letrën dërguar Ramës, duhet lexuar e gjitha.

Tekst origjinal nga libri

Një letër e hapur për Edi Ramën

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Roterdam, 3 mars 2025

Shkëlqesia Juaj / I dashur Edi,

Ju lutem më falni që po ju drejtohem në këtë mënyrë. Ndoshta nuk më mbani mend; jemi takuar vetëm një herë dhe unë jam vetëm një nga shumë arkitektët e huaj që punojnë aktualisht në vendin tuaj. Po ju shkruaj për të shprehur mirënjohjen time për mundësinë që kam pasur të punoj në Shqipëri, si edhe admirimin tim më të gjerë për gjithçka që keni arritur që kur u bëtë kryeministër pak më shumë se një dekadë më parë.

Nën drejtimin tuaj, Shqipëria ka fituar pothuajse statusin e një modeli. Grupe të ndryshme fetare dhe etnike jetojnë së bashku në paqe; ekziston një ndarje efektive mes fesë dhe shtetit; një popullsi e re dhe aktive e mban ekonominë në funksion; pjesëmarrja e grave në tregun e punës është e lartë dhe në rritje të vazhdueshme; Shqipëria po kërkon në mënyrë aktive anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe, për të mos harruar, ka një shije të shkëlqyer për arkitekturën.

Në një botë të trazuar, Shqipëria po fillon të duket si një përjashtim shpresëdhënës: pro bashkëpunimit ndërkombëtar, pro vlerave progresiste dhe, ndoshta mbi të gjitha, pro arsyes – një fener ndriçimi përballë vështirësive.

Megjithatë, qëllimi i kësaj letre shkon përtej lavdërimeve. Po ju shkruaj sepse jam i shqetësuar. Në këtë moment, partia juaj po synon një mandat të katërt radhazi. Mund vetëm të shpresoj që ta arrijë. Është e vështirë të imagjinohet që një qeveri e re të kujdeset për arkitekturën po aq sa qeveria aktuale.

Profesioni ynë historikisht ka qenë i varur nga mbështetja politike dhe së fundmi disa mendime të zymta më kanë pushtuar. Çfarë do të ndodhë nëse socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet? A do të marrë fund papritur kjo mekë e arkitekturës bashkëkohore? A do të thahet papritur ky burim, që dukej i pashtershëm, i punës? A do të duhet që ArchArmy të ulë armët po aq shpejt sa u mobilizua?

Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme thjesht të anuloheshin. Madje do të shkoja edhe më tej. Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbrojtëse e ndriçuar e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më zgjedhje. Dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm – ose ndoshta edhe si Mbret.

Ngjarje të mëdha historike po zhvillohen ndërkohë që flasim. Autokracia po fiton me shpejtësi terren si forma përcaktuese e qeverisjes në shekullin XXI. Shpresat për një alternativë produktive po shuhen çdo ditë. Duket sikur po përjetojmë fundin e fundit të historisë. Në këtë kontekst, lutja ime është sa e thjeshtë, aq edhe e drejtpërdrejtë: në një botë autokracish, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës dhe me kulturë?

E di që ajo që po ju kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, por është diçka me rëndësi të jashtëzakonshme. Shpresoj që do ta merrni në konsideratë.

Me respekt,

Reinier de Graaf

De Graaf nuk është i vetmi ama (Lexo më shume ) që shkon në këto nivele puthadorëse. Edhe të tjerë kanë treguar ndjesitë e tyre me figurën qëndrore; kryeministrin Edi Rama.

Tekst origjinal nga libri

“Zot i madh. Përvoja jonë në Shqipëri është vërtet e jashtëzakonshme.

Të mërkurën, 1 maj 2024, ditë pushimi, në orën 22:00, miku im Pablo Bofill më telefonoi për të më thënë se “Edi” do të më merrte në telefon. Ne nuk kishim folur kurrë për Shqipërinë, përveçse kishim rënë dakord se duhej të ishte një vend interesant për t’u vizituar. Rreth orës 23:00, më telefonoi Ada. (Disi, vetëm disa muaj më vonë, mësova mbiemrin e saj, Roka. Tani do të thosha se njihemi mjaft mirë. Tashmë njoh edhe bashkatdhetaren e saj Adelina Greca.)

Shkurt, na u kërkua të projektonim dy projekte në Tiranë. Njërin prej 30.000 metrash katrorë dhe tjetrin prej 15.000 metrash katrorë. Natyrisht pranova, pa e kuptuar plotësisht se çfarë po ndodhte. Më pas pasuan disa telefonata të shkurtra me klientët tanë të rinj gjatë ditëve në vijim.

Më pas erdhi vizita jonë e parë në Tiranë, disa javë më vonë. Na morën në aeroport dhe na çuan menjëherë në Shtëpinë e Shokëve. Nuk kishte ndonjë program të mirëfilltë për udhëtimin tonë të parë, as për ato që pasuan.

…Kjo funksionon sepse menjëherë pasi takuam djemtë tanë, zhvilluam takimin tonë të parë me Edi Ramën. Ai tha: “Jo fasada xhami… çfarëdo që të bëni duhet të jetë gjysmë ju, gjysmë aroma e maleve.” Kjo ishte jashtëzakonisht e qartë. Pastaj më pyeti se nga isha. Unë u përgjigja: Nju Jorku. Ai e përsëriti pyetjen dhe herën e dytë unë thashë: Grozni. Që atëherë, ai më drejtohet vetëm si “Banditi çeçen.”

Tekst origjinal nga libri

“Shqipëria është një nga vendet që po ndryshon më shpejt në Evropë. Pas rënies së regjimit të Hoxhës, ardhja në skenë e Edi Ramës, fillimisht si ministër i Kulturës, më pas si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe më vonë si kryeministër, shënoi një kthesë drejt modernizimit. Edi është artist në shpirt. Qyteti u transformua përmes ngjyrës. Kjo qasje me kosto të ulët rriti energjinë dhe krenarinë e qytetit. Duke ndjekur këtë shembull, ne konceptuam mbishkrimin “Tirana, I love you” (“Tiranë, të dua”) mbi një ndërtesë banimi në qendër të qytetit.

Tekst origjinal nga libri

“Ne u ftuam të merrnim pjesë në konkursin ndërkombëtar të projektimit për EXPO Albania. Kur kërkova për Shqipërinë në Google Earth, kuptova se nuk dija pothuajse asgjë për këtë vend. Mendova se ishte afër Greqisë. Shkova ta vizitoja dhe, si qytetar i një vendi që udhëton shumë, u mahnita nga larmia e peizazheve dhe topografisë së Shqipërisë, si edhe nga biodiversiteti i saj. Më pas dëgjova një fjalim TED të kryeministrit Edi Rama mbi ngjyrën dhe urbanizmin. Në atë moment u tërhoqa plotësisht nga ideja dhe vendosa të merrja pjesë në konkurs..”

Tekst origjinal nga libri

“Falë vizionit krijues të kryeministrit Edi Rama, ekziston një energji e vërtetë për përdorimin e arkitekturës si burim frymëzimi dhe si forcë udhëheqëse.”

Në libër shpërfaqet mjaft mirë nëpërmjet rrëfimeve të arkitektëve edhe ndërhyrja e Ramës deri te detajet e projekteve. Rama ndërhyn deri te sipërfaqja e ndërtimit.

Tekst origjinal nga libri

“Të nesërmen, të shoqëruar nga Ada dhe partneri i Mass Studies, Junkoo Kang, u takuam në zyrën e tij me kryeministrin Edi Rama. Gjatë bisedës zbuluam se ne vinim nga Koreja e Jugut, ndaj kryeministri përmendi se Shqipëria dikur quhej “Koreja e Veriut e Evropës”, për shkak të izolimit dhe varfërisë së saj para viteve 1990…Kryeministri pyeti për sipërfaqen e ndërtimit që klienti ynë kishte kërkuar për truallin. Pasi dëgjoi përgjigjen tonë, ai bëri shpejt disa llogaritje në mendje dhe komentoi se kjo me shumë gjasa ishte një sipërfaqe tepër e madhe për atë truall. Ai theksoi se ajo që ka vërtet rëndësi është ajo që ne, si arkitektë, besojmë se është një sasi e përshtatshme e sipërfaqes së ndërtuar për atë kontekst …”

Tekst origjinal nga libri

“Në një libër me kartolina të Tiranës, Edi Rama kishte shkruar: “Cilido qoftë rezultati i konkursit, jeni gjithmonë të mirëpritur të qëndroni dhe të punoni në Tiranë.” Dhe nuk kaloi shumë kohë derisa ai e mbajti fjalën. Përpara se të bëhej kryetar bashkie, një investitor shqiptar na kontaktoi drejtpërdrejt. Një kullë që po ndërtohej nuk po përmbushte pritshmëritë e kryetarit dhe ne u ngarkuam të rikonceptonim fasadën.”

Tekst origjinal nga libri

“Kur në parlamentin shqiptar, Partia Demokratike akuzoi Partinë Socialiste të Edi Ramës se po shkatërronte Korçën me këtë kullë të hollë, kryeministri u përgjigj me batutën: “Ky është mendimi i parë estetik që kam dëgjuar ndonjëherë nga partia juaj.” Jo shumë kohë më vonë, duke ecur në Korçë, ai më tha: “Edhe unë kam një problem me kambanoren: nuk është mjaftueshëm e lartë.”

Arkitektët rrëfejnë deri që kishin një skenar për të ruajtur ndërtesën ekzistuese të Teatrit Kombëtar por atyre iu tregua se “duhet të hiqnin dorë nga ruajtja e barakave të vjetra; ato nuk kishin asnjë vlerë arkitekturore apo historike”.

Tekst origjinal nga libri

“Ndërtesa nuk ishte projektuar për këtë qëllim. Përkundrazi, ajo ishte ndërtuar për të argëtuar ushtarët fashistë gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit, në periudhën 1939-1943. Ndërtesa nuk ishte as monument kulture dhe as konsiderohej me rëndësi të veçantë arkitekturore. As unë dhe as kolegët e mi nuk jemi ekspertë të arkitekturës fashiste, por me ndërtesat historike nuk mund të jesh kurrë tepër i kujdesshëm. Prandaj përgatitëm dy propozime të ndryshme për teatrin e ri: një që ruante ndërtesën ekzistuese dhe një tjetër që niste nga e para. Ndërtesa ekzistuese ishte jashtëzakonisht e ngushtë, vetëm 12 metra e gjerë, çka ishte shumë larg gjerësisë së nevojshme për një skenë teatrore funksionale. Ajo duhej të ishte të paktën tre herë më e gjerë. Gjetëm një zgjidhje radikale për këtë problem në dukje të pazgjidhshëm. Duke ngritur skenën mbi barakat e vjetra, mundëm të integronim mekanizmat e teatrit si një kryq tredimensional të vendosur mbi strukturën ekzistuese. Një sistem koordinativ kartezian i teknologjisë së pastër skenike. Pamja ishte e egër dhe e pazakontë. E çmendur – ose ndoshta brilante.

Për propozimin e dytë projektuam një teatër që shtrihej në të gjithë parcelën për të maksimizuar funksionin e tij. Mekanizmi i teatrit në formë kryqi hapej nga veriu, duke u mundësuar kalimtarëve të shikonin produksionet e ndryshme në përgatitje, sikur dhoma e motorëve të teatrit të kishte ngritur kapakun. Nga jugu, dy skena eksperimentale hapeshin drejt parkut të Muzeut Kombëtar. Salla kryesore lidhte pjesën e përparme me pjesën e pasme të ndërtesës, duke u ngritur për të krijuar një shesh të mbuluar nga ana e rrugës dhe duke u harkuar në pjesën e pasme për të formuar një amfiteatër të hapur mbi çati. Dy fasadat e hapura zbulonin jetën e brendshme të teatrit për qytetin, si një shtëpi kukullash. Dy fasadat e mbyllura ngriheshin si një portal drejt lagjes që ndodhej pas teatrit.

Në fillim të pranverës së vitit 2018, u ftuam në Tiranë për t’ia paraqitur idetë tona qytetit. Përgjigjja ishte se duhej të hiqnim dorë nga ruajtja e barakave të vjetra; ato nuk kishin asnjë vlerë arkitekturore apo historike. Përkundrazi, u inkurajuam të përqendronim të gjithë energjinë tonë në krijimin e një teatri kombëtar për Shqipërinë, të denjë për artet skenike.

Arkitektët rrëfejnë për projektin në Butrint.

Tekst origjinal nga libri

“Për projektin tonë në Butrint, duke qenë se ndodhet pranë rrënojave romake, mendojmë se mjedisi duhet të ruhet me kujdes. Nuk duam të dëmtojmë natyrën; synojmë të krijojmë një arkitekturë që të jetë në harmoni me mjedisin përreth dhe me natyrën. Përpiqemi t’i shtojmë vendit një topografi të re, e cila do të bashkëjetojë dhe do të funksionojë në harmoni me topografinë ekzistuese. Në këtë peizazh të bukur natyror, njerëzit do të mund të përjetojnë njëkohësisht detin, malin dhe monumentet historike në këtë vend të veçantë. Arkitektura jonë do të shërbejë si një urë ndërmjet natyrës dhe krijimit njerëzor, si edhe si një urë ndërmjet historisë dhe kulturës bashkëkohore.”

“VIZIONI” I EDI RAMËS – NJË SKEMË PA KONSULTIME ME QYTETARËT E VENDIT TË TIJ

Heqja e pjesëve nga zonat e mbrojtura është shpjeguar edhe më parë në Gogo.al . Një pjesë e projekteve arkitekturore janë bërë para se të ndryshohej ligji për zonat e mbrojtura, siç thekson dhe Fatos Lubonja në analizën e tij në News24.

Tekst origjinal nga libri

Edhe një herë u ftuam të krijonim diçka përgjatë vijës bregdetare. Këtë herë bëhej fjalë për një aeroport të ri pranë Vlorës, rreth të cilit po zhvillohej një zonë e re. Rezultati është UMEA, një plan urbanistik në shkallë të gjerë për një qytet bregdetar, i vendosur pranë lumit Vjosa dhe afër aeroportit. Zhvilluesi synonte të krijonte një destinacion gjatë gjithë vitit – një vend që kombinon rekreacionin, mikpritjen dhe banimin, të udhëhequr nga peizazhi përreth, në një sipërfaqe prej 650 hektarësh. Natyra duhej të mbrohej, ndaj fillimisht realizuam një studim të plotë të kushteve natyrore të truallit. Mbrojtja e ligatinave dhe minimizimi i ndikimit në mjedis ishin prioritetet kryesore.

Pyetja ishte: si të punohej me peizazhin, dhe jo kundër tij? Ne shmangëm ndërtimin mbi dunat ranore dhe e kufizuam ndërtimin në zonat pyjore në minimum. Kjo qasje përcaktoi formën e fshatrave bregdetare dhe të rrugëve që i lidhin ato. Ruajtja e karakterit natyror të zonës e mban vendin të qetë dhe të mbushur me natyrë. Ai është i lidhur mirë, por njëkohësisht mbetet larg zhurmës së qytetit.”

Madje Rama ka planifikuar cilin arkitekt të ftojë, ku dhe me porosi. Chris Precht për Kopshtin Eden brenda Kryeministrisë shkruan:

Tekst origjinal nga libri

“Ajo ditë në park

Më pëlqen të zbuloj vende të reja duke ecur. Ditën time të parë e kalova në parkun në qendër të Tiranës dhe u mahnita nga gjallëria e tij. Kishte diçka te energjia e parkut: çifte të ulura pranë liqenit, familje të shtrira mbi batanije pikniku në hije, vrapues kudo, njerëz që ecnin, qeshnin dhe lidhnin marrëdhënie me njëri-tjetrin. Ishte si rrahja e zemrës së qytetit.

Që atëherë, sa herë vij në Tiranë, rikthehem aty. Është një nga ato vende ku mund të endesh pa qëllim, të marrësh frymë thellë dhe të ndjesh ritmin e jetës përreth.

Prandaj, kur Edi Rama më kërkoi të projektoja një sallë mbledhjesh në oborrin e godinës së Kryeministrisë, mendova pikërisht për këtë ndjesi.

Një park ku ai dhe stafi i tij mund të ndalonin për një çast, të largoheshin nga tavolinat e punës, të bisedonin me kolegët e miqtë ose thjesht të reflektonin. Në të njëjtën kohë, ai duhet të bëhej simbol i transformimit ekologjik të vendit dhe një vend ku krerët e tjerë të shteteve të mund të shijonin bimët vendase, aromat dhe zogjtë.

Në kopsht kemi sjellë edhe një element lozonjar. Shkallët ngjiten lart dhe të çojnë në pikën më të lartë mbi vijën e çative të ndërtesave ekzistuese, duke ofruar një pamje të qytetit. Kjo është një kujtesë e asaj për të cilën punojnë njerëzit brenda kësaj godine: një qytet dinamik që është vazhdimisht në zhvillim, dhe kopshti duhet ta pasqyrojë këtë energji.”

Tekst origjinal nga libri

“Kur vizituam për herë të parë Tiranën në fund të gushtit 2024, Adelajda “Ada” Roka, drejtoreshë e përgjithshme e AZHT-së, na prezantoi me disa projekte të mundshme ku mund të përfshiheshim, duke sugjeruar se mund të bënim edhe më shumë. Megjithatë, duke qenë se ishim të rinj në Shqipëri, donim të përqendronim përpjekjet tona. Në vend që të ndiqnim projekte në Tiranë, zgjodhëm të angazhoheshim në një projekt me përmasa më të vogla: një zhvillim me ndërtesa të ulëta në kodrat bregdetare të Vlorës.

Tekst origjinal nga libri

Ndërkohë, në vitin 2008, disa muaj më herët, Stefano Boeri kishte shkruar një artikull për revistën Abitare mbi politikanët që ishin të aftë të ndryshonin botën, duke i përkthyer vizionet e tyre në diçka që qytetarët mund ta kuptonin dhe ta zbatonin menjëherë në praktikë. Edi Rama, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ishte një nga tre politikanët, te të cilët ai u përqendrua…

Ne filluam duke punuar në disa projekte dhe, në vitin 2013, fituam konkursin për hartimin e Masterplanit Tirana 2030. Vizioni i Edi Ramës ishte veçanërisht interesant: zhvillimi i konkurseve të njëkohshme për të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë. Ndërsa ne po projektonim të ardhmen e Tiranës, ekipe të tjera po punonin për Durrësin, Vlorën dhe qytete të tjera.”

Ndër të parët që kanë shkruar mbi librin dhe të fokusuar edhe te projektet janë gazetarët e Citizen Channel (Lexo këtu për më shumë) “Deri tani 57 projekte janë ndërtuar, 53 po ndërtohen, 47 presin lejen, ndërsa fati i shumë të tjerave nuk bëhet i ditur. Miliona metra katrorë ndërtim, në Tiranë dhe zonat më të lakmuara të bregdetit, nga veriu në jug.  Në 41% të projekteve nuk përmendet fare porositësi, kjo edhe sepse shtatë nga studiot kanë zgjedhur të mos tregojnë zhvilluesit në asnjë prej projekteve të tyre.”, shkruajnë ata. Po ashtu me detaje mbi ndërhyrjet brutale që planifikohen në Butrint ka shkruar edhe Auron Tare (Lexo këtu për më shumë)

ÇFARË ZBULOJMË TJETËR NË 750 FAQE?

Ne jemi ndalur në këtë shkrim te këto copëza rrëfimesh që na tregojnë se si “kryearkitekti” kishte menduar Shqipërinë tonë pa u konsultuar me ne.

Tekst origjinal nga libri

“Ajo ditë pranë detit

Ishim në mes të Parkut Kombëtar të Divjakës dhe, sinqerisht, ndjeva sikur po hyja në një botë tjetër.

Shtegu ku po ecnim ishte aq i ngushtë, ndërsa kallamishtet ishin të larta, të lëkundura nga flladi i ngrohtë i verës. Ajri mbante aromën e pishave dhe, kudo që shihje, kishte kanale që gjarpëronin. Të krijonin ndjesinë se ishe i humbur, por në kuptimin më të bukur të fjalës – sikur mund ta lije veten të humbiste aty.

Dhe fauna? E pabesueshme. Mjaftonte të ndaloje për një çast dhe dëgjoje zhurmën e bletëve, cicërimat e zogjve, zhurmën e gjetheve. Madje pamë disa lejlekë të pushonin në këmbët e tyre madhështore. Nuk mund të mos pyesja veten se çfarë historish do të tregonin, po të mund të flisnin.

Kjo është magjia e Divjakës.

Nuk është një vend që të mahnit menjëherë apo në mënyrë të zhurmshme. Përkundrazi, sa më shumë kohë kalon aty, aq më shumë të zbulon veten.

Kur më vonë na u kërkua të projektonim një bujtinë në park, deshëm ta kapnim pikërisht atë ndjesi zbulimi – një vend që të jep më shumë sesa zbulon në shikim të parë.

Projekti nuk synon të dominojë peizazhin, por të bëhet pjesë e tij, të përzihet me kallamishtet dhe kanalet. Është krijuar si një vend ku njerëzit mund të ndalojnë, të qëndrojnë dhe të përjetojnë vërtet shpirtin e kësaj pjese të veçantë të Shqipërisë.

Një plan i posaçëm për Divjakën, Lagunën e Nartës dhe Vlorën, Pogradecin, plazhet e jugut si Krorëza etj. rrjedh përmes rrëfimeve të arkitektëve, skicave e fotove.

Tekst origjinal nga libri

“Shqipëria ka një mundësi unike për t’u përballur me sfidat e ekologjisë dhe ndryshimeve klimatike gjatë procesit të zhvillimit të saj, duke ruajtur njëkohësisht malet, lumenjtë, vijën bregdetare dhe peizazhet natyrore. Ndërgjegjësimi ekologjik duhet të integrohet si një parim themelor i zhvillimit dhe jo të trajtohet si një element dytësor. Arkitektët luajnë një rol qendror në formësimin e kësaj qasjeje, duke bashkëpunuar me qeveritë, zhvilluesit dhe kontraktorët për të balancuar vizionet ambicioze me realitetet praktike. Në shkallë rajonale, planifikimi urban, arkitektura dhe natyra mund të funksionojnë në vazhdimësi, duke pasqyruar marrëdhëniet kulturore, madje edhe shpirtërore, me territorin – siç kemi eksploruar në propozimin tonë për Vlorën, një pyll arkitekturor që kremton identitetin ekologjik të zonës. Në shkallën e ndërtesës, arkitektura mund të rezonojë me natyrën, ndërkohë që akomodon rritjen urbane dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Ky është një shkrim shpjegues se pse “The Albanian Files” mban fakte të dorës së parë të ambicies së pafre të kryeministrit shqiptar Edi Rama për të tejkaluar kushtetutën, ligjet, institucionet, mbi të gjitha qytetarët e vendit të tij. Se ai dhe vetëm ai e di se çfarë është më e mira për ne dhe ne, duke shtuar shpjegimet e narrativës së tij, nuk e kuptojmë në këtë mision të “shenjtë” për të lartësuar Shqipërinë përmes arkitekturës. Shkrimi shoqërohet me tekst origjinal nga libri që në fakt mban emrin “The Albanian Files”, emrin e një dosje të mundshme që mund ta kishin në duar ndërkombëtarët me shënimin “çudira nga Shqipëria”.

Gogo.al.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *