Tetë pikëpyetjet që rëndojnë mbi marrëveshjen Trump-Iran
Përpara se të festojë marrëveshjen e arritur me Iranin, administrata e presidentit amerikan Donald Trump përballet me një sërë pikëpyetjesh që mund të përcaktojnë fatin e saj.
Edhe pse memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua elektronikisht të dielën nga Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf, shumë detaje mbeten të paqarta.
Marrëveshja synon të zgjasë armëpushimin mes palëve për 60 ditë dhe të hapë rrugën për negociata më të gjera, veçanërisht mbi programin bërthamor iranian. Megjithatë, sipas një analize të Axios, tetë çështje kryesore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
A është marrëveshja në fuqi?
Administrata amerikane thotë se zgjatja 60-ditore e armëpushimit ka hyrë menjëherë në fuqi, përfshirë edhe frontin në Liban. Megjithatë, ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të mbahet të premten në Gjenevë, ndërsa hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit pritet vetëm pas këtij momenti.
Trump deklaroi fillimisht se bllokada amerikane ishte hequr menjëherë, por më pas sqaroi se procesi do të përfundojë pas ceremonisë së së premtes.
A do të hapet vërtet Ngushtica e Hormuzit?
Kjo mbetet një nga çështjet më të ndjeshme. SHBA-të pretendon se ngushtica do të hapet pa tarifa dhe kufizime, ndërsa zyrtarët iranianë kanë sinjalizuar se Teherani do të vazhdojë të ushtrojë një formë kontrolli mbi kalimin detar.
Sipas mediave iraniane, për 60 ditët e para nuk do të ketë tarifa tranziti, por më pas mund të vendosen pagesa për sigurinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ndërkohë, kompanitë e transportit detar mbeten të kujdesshme dhe po presin garanci shtesë për sigurinë para se të rikthejnë aktivitetin normal në zonë.
Çfarë fiton Irani?
Të dyja palët bien dakord se Irani përfiton fundin e luftimeve dhe lehtësime që mundësojnë eksportin e naftës.
Megjithatë, ka mospërputhje të mëdha mbi çështjen e fondeve të ngrira iraniane. Mediat shtetërore iraniane pretendojnë se miliarda dollarë do të lirohen menjëherë, ndërsa zyrtarët amerikanë këmbëngulin se çdo akses në këto fonde do të varet nga përmbushja e detyrimeve nga Teherani.
Sipas Washingtonit, modeli do të jetë “pagesë për performancë”.
A bien dakord palët për atë që është rënë dakord?
Një tjetër problem është fakti se SHBA-të dhe Irani po japin interpretime të ndryshme për marrëveshjen.
Negociatat u zhvilluan kryesisht përmes ndërmjetësve dhe dokumenti aktual konsiderohet më shumë një kuadër politik sesa një traktat i detajuar.
Kjo ka krijuar hapësirë që secila palë ta paraqesë marrëveshjen sipas interesave të veta.
Kur do të publikohet teksti i plotë?
Shumë nga paqartësitë mund të sqarohen vetëm pas publikimit të dokumentit.
Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se teksti i plotë mund të publikohet brenda 24 deri në 48 orëve, megjithëse Trump ka lënë të kuptohet se kjo mund të ndodhë vetëm pas ceremonisë së nënshkrimit në Zvicër.
A do ta respektojë Izraeli marrëveshjen?
Në Izrael marrëveshja po përballet me kritika të forta nga e djathta dhe e majta politike.
Një pjesë e kundërshtimeve lidhet me faktin se armëpushimi përfshin edhe Libanin. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se Izraeli nuk do të heqë dorë nga e drejta për t’iu përgjigjur sulmeve të Hezbollahut.
Sipas zyrtarëve amerikanë, marrëveshja nuk i kërkon Izraelit të tërhiqet nga pozicionet që kontrollon në Libanin jugor dhe nuk e pengon të reagojë në rast sulmesh.
A do të arrihet një marrëveshje bërthamore?
Kjo konsiderohet sfida më e madhe.
Memorandumi aktual synon vetëm hapjen e negociatave 60-ditore për një marrëveshje më të detajuar mbi programin bërthamor iranian.
Pjesa më e madhe e lehtësimit të sanksioneve dhe përfitimeve ekonomike për Iranin do të varet nga arritja e këtij pakti përfundimtar.
Vetë zyrtarët amerikanë pranojnë se mosbesimi mes dy vendeve e bën këtë proces jashtëzakonisht të vështirë.
Çfarë ndodh nëse nuk ka marrëveshje bërthamore?
Administrata Trump ka bërë të ditur se forcat amerikane të dërguara në rajon nuk do të tërhiqen pa një marrëveshje përfundimtare bërthamore.
Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë pretendojnë se Washingtoni ishte ai që kishte nevojë urgjente për t’i dhënë fund konfliktit dhe se tani Teherani gëzon avantazh në negociata.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, dy deri në tre javët e ardhshme do të tregojnë nëse mirëkuptimi aktual mund të shndërrohet në një marrëveshje reale dhe afatgjatë.
Pavarësisht skepticizmit, administrata Trump këmbëngul se objektivat kryesore janë arritur: të pengohet Irani të sigurojë armë bërthamore dhe të mos lejohet të mbajë uranium të pasuruar në nivele të larta. Nëse këto synime do të materializohen në praktikë, mbetet ende për t’u parë.