Tension në Memaliaj – Albert Malaj përplaset me Këshillin Bashkiak, banorët i dalin në krah kryebashkiakut
Në kuadër të dëgjesave publike për Reformën Administrative-Territoriale, banorët e Njësive Administrative Krahës, Qesarat, Buz dhe Luftinjë kanë shprehur në mënyrë të qartë dhe unanime kundërshtimin ndaj çdo ndryshimi që do të çonte në shkrirjen e Bashkisë Memaliaj apo largimin e shërbimeve nga territori.
Ata kërkuan ruajtjen e Bashkisë Memaliaj si njësi administrative më vete, duke theksuar se një reformë e tillë rrezikon të thellojë shpopullimin dhe të largojë institucionet nga qytetarët.
Ndërkohë, dëgjesa e radhës publike u zhvillua në qytetin e Memaliajt, ku edhe banorët e qytetit kundërshtuan njëzëri Reformën Administrative-Territoriale.
Për herë të parë në këto dëgjesa morën pjesë edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, i cili dominohet nga shumica socialiste, duke u përballur me kundërshtimet e qytetarëve.
Debati u shoqërua edhe me përplasje mes banorëve, anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe kryetarit të Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj. Situata u tensionua në sallë, ndërsa Malaj u largua më pas nga dëgjesa, i ndjekur edhe nga qytetarët.
Banorët e Memaliajt kërkuan që zëri i tyre të merret në konsideratë dhe kundërshtuan çdo vendim që mund të çojë në shkrirjen e bashkisë dhe humbjen e shërbimeve lokale.