“Të fortët” në futboll – Ngjarja që tronditi sportin shqiptar
Nga Uvil Zajmi
Në atë kohë drejtoja sektorin e arbitrave në FSHF. Pasi ndoqa pjesën e parë të ndeshjes në “Selman Stërmasi”, në korridor takova Luanin, teksa po largohej. Shkëmbyem një shikim dhe u siguruam për njëri-tjetrin se gjithçka do të shkonte mirë edhe në pjesën e dytë. Më pas u largova drejt “Qemal Stafës”.
Sapo kishte nisur ndeshja Shqipëri-Itali mes politikanëve, kur në tribunë u përhap lajmi tronditës: “Pas ndeshjes, pranë ‘Selman Stërmasit’, ka pasur të shtëna me armë”.
Spektatorët, të shqetësuar, nisën të largoheshin nga stadiumi. Pak minuta më vonë erdhi lajmi edhe më i rëndë: kishte humbur jetën presidenti i Tomorit, ndërsa ishin plagosur arbitra.
U nisa me shpejtësi drejt Spitalit Ushtarak. Në sheshin përpara urgjencës gjeta qytetarë, arbitra, sportistë dhe familjarë. Njerëz që hynin e dilnin, ndërsa minutat e pritjes dukeshin të pafundme.
Dhe pastaj, papritur, dikush tha: “Ka vdekur edhe Luani…, ka vdekur edhe Luani…” Ishte një moment rrëqethës. Nuk mund të kishte lajm më të rëndë.
Mjekët shpjeguan se ishte bërë gjithçka për ta shpëtuar, por një plumb e kishte goditur në qafë, pranë aortës, duke shkaktuar trombozë fatale. Ndërkohë, për Adrian Çobon, miqtë e të cilit e kishin dërguar drejt spitalit pasi e kishin gjetur pranë vendit të ngjarjes, gjithçka kishte përfunduar ende pa mbërritur atje.
Askush nuk donte ta besonte atë që kishte ndodhur. Ishte një tragjedi e vërtetë. Dy të rinj, presidenti i një klubi futbolli dhe një arbitër, u ndanë në mënyrë dramatike dhe të papritur nga jeta.
Televizionet nisën menjëherë raportimet: “Të shtëna me armë pas ndeshjes Partizani-Tomori në stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Ka të plagosur…”
Nga një edicion informativ te tjetri, lajmi bëhej gjithnjë e më i plotë: “Adrian Çobo, president i Tomorit të Beratit, dhe arbitri i futbollit Luan Zylfo, nga Tirana, kishin humbur jetën”.
Futbolli shqiptar u mbulua nga zia. I gjithë komuniteti sportiv, por edhe shumë më gjerë, u zhyt në dëshpërim e trishtim të thellë. Drejtuesit e FSHF-së u njoftuan dhe, menjëherë, Papadhopulli e Starova informuan edhe FIFA-n dhe UEFA-n.
Dhimbja që goditi dy familjet ishte e jashtëzakonshme. Trupi i Adrian Çobos u dërgua po atë natë drejt Beratit, së bashku me skuadrën e Tomorit, e cila u kthye nga rruga sapo mori lajmin e tragjedisë.
Të nesërmen u zhvilluan ceremonitë mortore në Tiranë dhe Berat. Turma të mëdha njerëzish kaluan në heshtje pranë trupave të tyre, të vendosur në mjediset e stadiumeve. Shtypi, veçanërisht ai sportiv, me “Sport Ekspres” dhe “Sporti Shqiptar”, ia kushtoi faqet e para tragjedisë dhe kronologjisë së ngjarjes.
“Futbolli në zi” ishte një nga titujt që përmbledhte më së miri dhimbjen e atyre ditëve. Në nderim të tij, Shoqata e Arbitrave vendosi që Kolegjiumi i Tiranës të mbante emrin “Luan Zylfo”.
Vitet kalojnë dhe koha ecën përpara, por unë nuk do ta harroj kurrë atë mesditë të zezë të 13 majit 2000″.