20 Shtator, 2026

Takimi në Gjirokastër, Rama përjashtoi Memaliajn nga diskutimi – Kryebashkiaku: Ka prerë në besë banorët

 Takimi në Gjirokastër, Rama përjashtoi Memaliajn nga diskutimi – Kryebashkiaku: Ka prerë në besë banorët

Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, thotë se u përjashtuannga takimi i kryeministrit Edi Rama, që u mbajt në Gjirokastër.

“Kryeministri mblodhi në Gjirokastër përfaqësues të bashkive të qarkut për t’u folur rreth Reformës Administrative Territoriale.

Bashkitë Libohovë dhe Këlcyrë kishin përfaqësues, megjithëse, për sa i përket Këlcyrës, më mirë do të ishte të mos kishte fare. Ndërsa Bashkia Memaliaj nuk ishte e ftuar. Edhe një muaj më parë, në Kuç, nuk u ftuam.

Në këtë takim, kryeministri u shpreh i vendosur se reforma do të bëhet dhe u përpoq të bindte përfaqësuesit e përzgjedhur me listë se Bashkitë  nuk do të shkrihen, se godina do të mbetet dhe nuk do të zhvendoset.

Atëherë, nëse reforma do të bëhet dhe vendimi është marrë:

Përse e dërgoni projekt-draftin për dëgjesa publike?

Përse u kërkoni qytetarëve të shprehen në dëgjesa?

Përse duhet të dal me vendim Këshilli Bashkiak, nëse vendimi nuk do të merret parasysh?

Kjo është një tallje me njerëzit.

Në një kohë kur flisni me të madhe për BESËN me njerëzit, pikërisht tani po ua ktheni shpinën dhe po i prisni në besë.

Kryeministër, 99,9% e banorëve janë shprehur kundër kësaj reforme. Nevojiten politika zhvillimi, investime dhe mundësi për njerëzit, jo politika shpopullimi. Një reformë që kundërshtohet kaq qartë nga komuniteti duhet të rishikohet, jo të imponohet.

Ata që ishin në sallë nuk përfaqësonin zërin e qytetarëve, pasi ishin përzgjedhur me listë. Edhe ata që gjoja do të diskutonin ishin të instruktuar”, shprehet Malaj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *