Studimi: Nga e kanë origjinën shqiptarët?
Një studim i publikuar të hënën në Nature Human Behaviour hedh dritë të re mbi origjinën e shqiptarëve, duke treguar vazhdimësi të fortë gjenetike nga epoka e bronzit dhe e hekurit në Ballkanin Perëndimor.
Studiuesit analizuan mbi 6 mijë mostra ADN-je të lashtë nga Euroazia Perëndimore dhe 74 individë shqiptarë të sotëm, për të rindërtuar historinë e popullsisë shqiptare.
Sipas rezultateve, shqiptarët e sotëm rrjedhin kryesisht nga një grup paleo-ballkanik, i cili kishte tashmë një profil gjenetik të ngjashëm me shqiptarët modernë që në periudhën 800-900 pas Krishtit.
Studimi evidenton se në Shqipërinë e Mesjetës së hershme ka pasur një vazhdimësi më të madhe të këtij trashëgimi gjenetike krahasuar me rajonet fqinje në Ballkan.
Nga ana tjetër, hulumtimi identifikon edhe përzierje gjenetike me popullsi të Evropës Lindore gjatë Mesjetës, që përbën rreth 10-20 për qind të përbërjes gjenetike të shqiptarëve të sotëm.
Autorët theksojnë se këto gjetje ndihmojnë në kuptimin e proceseve demografike që kanë formësuar popullsinë shqiptare dhe japin indikacione për zonën e origjinës së gjuhës shqipe.