Studentët në protestë, Arben Muçobega i Mirela Kumbaros merr një tjetër leje për 3 pallate e hotel në Himarë
Studentët dhe gjimnazistët po protestojnë kundër korrupsionit, mungesës së kushteve për jetesë në konvikte, mangësive në shkolla e auditorë dhe kapjes së shtetit nga krimi dhe oligarkia.
Ndërsa Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, po vazhdon pazaret dhe biznesin e ndërtimeve në bregdet me trafikantin Arben Sadik Muçobega, i skeduar edhe si “lavatriçe” i parave të pista, që Kumbaro ka grumbulluar nga tenderët dhe licencat gjatë 14 viteve në 3 ministri.
Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, rezulton se ditën e parë të protestës së studentëve, më 13 shtator 2026, nga zyra e Këshillit Kombëtar të Territorit e Ujit është zbardhur një leje ndërtimi me objekt: Ndërtimi i kompleksit “Triada Verde” buzë detit në Potam të Himarës.
Kompleksi përbëhet nga 3 pallate banimi dhe hotel, me nga 5 kate mbi tokë e 1 kat nëntokë, me mjedise argëtimi e pishina; me investitore dhe ndërtuese kompanitë “Bega 07” e “AKM Group”.
Pronar i kompanisë “Bega 07” sh.p.k. është trafikanti Arben Sadik Muçobega, i lidhur prej rreth 10 vitesh në këtë biznes ndërtimi me ministren Mirela Kumbaro.
Arben Muçobega është me dosje si “lavatriçe” i milionave të pista të Mirela Kumbaros, dhe kjo si ortake në hije në biznesin e ndërtimit, që merr pjesët me çeqe e klering, për lejet që ka firmosur si anëtare e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe që i negocion paraprakisht te Edi Rama.
Leja e ndërtimit për kompleksin “Triada Verde”, me 3 pallate banimi dhe hotel buzë detit në Potam të Himarës, dhënë kompanisë “Bega 07” të Arben Muçobegës dhe kompanisë “AKM Group”, u fut në listën e përzgjedhjes për miratim në mbledhjen e datës 30 korrik 2026 të KKT-së.
Sipas dokumentit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se dhe kompania tjetër “AKM Group” me 100 mijë lekë kapital është e trafikantit Arben Muçobega, por ai e ka regjistruar në emrin e të birit Kristi Muçobega e nipit Armando Muçobega.
Ai e përdor fiktivisht si bashkëpërfituese lejesh e bashkëfinancuese për hotelet, resortet dhe komplekset me vila e pallate, lejet e të cilave ia siguron Mirela Kumbaro, ortake e tij në hije.
Edhe një fakt tjetër tregon fuqinë e Mirela Kumbaros për t’i dhënë leje ndërtimi trafikantit Muçobega, të cilin e përdor si “lavatriçe” të milionave dhe për të marrë pjesët, si shpërblim për lejet e ndërtimit që i ka dhënë e vazhdon t’i japë atij.
Nga 98 projekte të përzgjedhura për t’u trajtuar në mbledhjen e datës 30 korrik të KKT-së, vetëm leja e Arben Muçobegës për 3 pallate e hotel buzë detit në Potam të Himarës u miratua me procedurë të përshpejtuar e u zbardh më 13 tetor 2026, ditën që filloi protesta para ministrisë së Kumbaros.
Disa leje që ka marrë firma “Bega 07”, me sekserizim dhe firmosje nga Mirela Kumbaro:
· Kompanisë “Bega 07” iu dhanë 3.1 hektarë kodra të gjelbëruara në Farkë, për të ndërtuar kompleksin “Centaurea” me 15 kulla, secila me 9 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë.
· Me Vendim nr. 34, datë 2 prill 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit, përsëri me propozim të Mirela Kumbaros, i dha trafikantit Arben Muçobega leje për resort buzë detit në Potam-Himarë.
· Firma e Mirela Kumbaros është dhe në Lejen Nr. 25, datë 31 korrik 2024, për hotelin “Sea View” po në Potam të Himarës, me shtesë kati nëntokësor.
· Me Vendim nr. 13, datë 25 shtator 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit, me propozim të ministres Mirela Kumbaro, i dha leje për resortin “Amantes” në Gjirin e Llamanit.
Indicie për SPAK është ky fakt: kompania “Bega 07” me qarkullim vjetor të deklaruar deri në 5 milionë euro dhe me fitime të deklaruara deri në 440 mijë euro në vit, ndërsa kompania “AKM Group” e të birit me 100 mijë lekë kapital bëjnë investime miliona euro. (Pamfleti)