Studentë iranianë kthehen nga Rusia me njohuri mbase vdekjeprurëse rreth dronëve dhe IA-së
Në vitin 2000, iraniani Ali Mohammad Amouei përfundoi studimet në Institutin e Aviacionit të Moskës (MAI), një universitet i njohur teknik rus i përqendruar në inxhinierinë hapësinore dhe atë të raketave. Ekspertiza e tij është në motorët me turbina me gaz – lloji i motorëve që përdoren për të fuqizuar avionët e udhëtarëve dhe avionët luftarakë, por edhe raketat lundruese e dronët.
Pas kthimit në Iran, Amouei nisi të ngjitej në hierarkinë e industrisë së aviacionit, sipas profilit të tij në LinkedIn. Deri në vitin 2017, ai ishte bërë drejtues i lartë në Farsco, një kompani në pronësinë e së cilës përfshihet Mahan Air, një kompani ajrore ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë sanksione për shkak të lidhjeve me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Në vitin 2020, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj vetë Farscos, duke e akuzuar atë për blerje të paligjshme të helikopterëve të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.
Mohammad Hosseinpour Khanmiri u kthye në Iran në vitin 2022, pas disa vitesh në Rusi, ku kishte nisur studimet në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut në vitin 2015.
Ai dhe këshilltari i tij atje, studiuesi i lartë Roman Bogdanov, zhvilluan një metodë për matjen e raporteve të izotopeve të uraniumit dhe toriumit në mostrat e mineraleve natyrore. Ky bashkëpunim ishte pjesë e një partneriteti më të gjerë që daton që nga fillimi i viteve ‘90, kur Rusia nisi të ndihmonte Iranin në ndërtimin e programit të tij të energjisë bërthamore dhe të centralit të tij të vetëm bërthamor, në Bushehr.
Në vendin e tij, Khanmiri e përdori këtë metodë mbi xeherorin nga Saghandi, vendburimi kryesor i uraniumit në Iran. Referencat në internet tregojnë se ai tani punon në Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit ose në një institut kërkimor bërthamor të lidhur me të, ndaj të cilit janë vendosur sanksione nga vendet perëndimore.
Rrugëtimet arsimore dhe profesionale të Amoueut dhe Khanmirit nuk janë aspak raste të veçuara: Për dekada me radhë, Rusia ka trajnuar specialistë iranianë dhe ka ndihmuar në zhvillimin e karrierave të tyre shkencore në fusha që kanë zbatime praktike në industrinë e mbrojtjes dhe aktivitetet bërthamore, duke krijuar një lloj kanali të teknologjive me përdorim të dyfishtë midis dy vendeve.
Një analizë e hulumtimeve të publikuara gjatë 10 vjetëve të fundit, e kryer nga njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë (REL), Systema, tregon se Rusia dhe Irani kanë vazhduar të bashkëpunojnë në fusha me rëndësi të veçantë për industrinë iraniane të mbrojtjes.
Këto fusha tani përfshijnë jo vetëm sektorë tradicionalë, si shtytja e raketave dhe pasurimi i uraniumit, por edhe teknologji që përdoren si në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ashtu edhe në luftën amerikano-izraelite me Iranin, si lufta elektronike, falsifikimi i sinjaleve GPS për të çorientuar sistemet e navigimit dhe inteligjenca artificiale për dronët.
“Ky ka qenë një synim afatgjatë i iranianëve, që të kenë qasje në këtë informacion ose në çfarëdo lloj informacioni”, në fushën bërthamore, por edhe “në fusha të tjera të ndjeshme, si inteligjenca artificiale dhe gjithçka që lidhet me hapësirën ajrore”, tha Nicole Grajewski, eksperte në universitetin Sciences Po në Paris dhe autore e një libri të botuar në vitin 2024 mbi marrëdhëniet Rusi-Iran.
“Asnjë nga përpjekjet kërkimore iraniane, veçanërisht ato që përfshijnë studentët e doktoratës që shkojnë jashtë vendit, nuk është tërësisht apolitike”, tha Grajewski për REL në një bisedë telefonike. “Në shumicën e rasteve, ato kanë një lloj lidhjeje me qeverinë ose ndonjë motiv tjetër të fshehtë”.
E njëjta gjë vlen edhe për disa institute kërkimore teknike ruse, tha ajo, por shtoi: “Në përgjithësi, Irani ka qenë vendi që ka kërkuar më shumë bashkëpunim nga Rusia, në krahasim me Rusinë që ka shkuar te Irani.”
“Miqtë tanë në Rusi”
“Në shumë raste, ne kemi një shkallë të caktuar të vetëmjaftueshmërisë në mbrojtje”, tha Mohammad Javad Zarif, atëherë ministër i Jashtëm i Iranit, në vitin 2020. “Në disa raste, ne kemi nevoja serioze për bashkëpunim në fushën e armatimit me miqtë tanë në Rusi dhe në vende të tjera”.
Shtrirja e lidhjeve akademike është luhatur në varësi të zhvillimeve gjeopolitike dhe ulje-ngritjeve në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Iranit, si dhe lidhjeve të tyre përkatëse me Perëndimin. Numri i iranianëve që studiojnë në universitetet ruse është rritur ndjeshëm qëkurse presidenti Vladimir Putin nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Lidhjet ushtarake dhe industriale mes Rusisë dhe Iranit janë në qendër të vëmendjes gjatë kësaj lufte, e cila tani po i afrohet pesëvjetorit, si dhe gjatë luftës amerikano-izraelite me Iranin, e cila shpërtheu në shkurt.
Përveç predhave dhe municioneve të tjera, Irani siguroi shumë nga dronët e përdorur nga Rusia në fazat e hershme të pushtimit në shkallë të plotë, ndërsa Rusia tani po prodhon në masë versione të prodhuara brenda vendit duke përdorur të njëjtën teknologji. Ekspertët thonë se bashkëpunimi funksionon në të dyja drejtimet: Moska gjithashtu ka ndarë përmirësime teknologjike me Teheranin.
Përtej kësaj, Rusia raportohet se i ka ofruar Iranit informacione të inteligjencës dhe të dhëna të tjera për ta ndihmuar në shënjestrimin e aseteve amerikane në rajonin e Gjirit Persik gjatë luftës atje. Financial Times raportoi këtë muaj se Rusia po e ndihmon fshehurazi Iranin të zhvillojë raketa të avancuara supersonike lundruese që nga viti 2023.
Bashkëpunimi në inxhinierinë e raketave nisi në vitet ‘90, kur institutet dhe kompanitë ruse e ndihmuan Iranin të zhvillonte raketën e tij të parë balistike të prodhuar brenda vendit.
Sa u përket motorëve të avionëve, Irani ka përvojë në riparimin e tyre dhe në prodhimin e pjesëve individuale, por nuk ka prodhuar kurrë në seri një motor të plotë për avionë civilë. Ajo që ka zotëruar në këtë fushë janë motorët e vegjël me turbina me gaz – specialiteti i Amoueut – të prodhuar për raketa lundrimi dhe dronë.
Bashkëpunimi gjatë luftës
Derisa Amouei po thellohej gjithnjë e më shumë në botën e aviacionit iranian të lidhur me mbrojtjen, ai nuk ndaloi së publikuari punime me kontaktet e tij të vjetra në Rusi.
Në vitin 2016, ai ishte bashkautor i një punimi mbi veshjet mbrojtëse për fletët e turbinave, së bashku me iranianë të tjerë dhe një pedagog të MAI-t. Në vitin 2021, ai publikoi sërish – këtë herë nën emrin e një universiteti iranian të lidhur me Qendrën e Kërkimit për Teknologji dhe Shkencë të Mbrojtjes, e cila lidhet drejtpërdrejt me Ministrinë iraniane të Mbrojtjes.
Izraeli bombardoi në vitin 2025 një kampus të lidhur me të njëjtin rrjet, ndërsa ushtria amerikane e ka lidhur atë me programin bërthamor të Iranit.
Nuk është e qartë nëse Amouei kishte një pozicion të përhershëm në universitetin iranian. Systema u përpoq të kontaktonte atë dhe iranianët e tjerë që kishin studiuar në Rusi dhe që përmenden në këtë raport, por asnjëri prej tyre nuk u përgjigj.
Në atë punim të vitit 2021 figuronin edhe emra të tjerë, përfshirë Aleksei Boitsov, drejtues i një departamenti në MAI, i cili gjithashtu këshillon gjigantët shtetërorë rusë të industrisë së mbrojtjes dhe hapësirës, Rostec dhe Roscosmos. Amouei nuk ishte i vetmi shkencëtar iranian i trajnuar nga Boitsov: të paktën katër të tjerë shfaqen në të njëjtën fushë kërkimore.
Në vitin 1999, një vit para se Amouei të përfundonte studimet në Rusi, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi universitetesh ruse të dyshuara se po ndihmonin Iranin në zhvillimin e teknologjisë raketore dhe bërthamore, përfshirë MAI-n.
Sanksionet u hoqën në vitin 2010, gjatë politikës së presidentit Barack Obama me Moskën dhe vetëm tri ditë pasi Rusia dhe Uashingtoni ranë dakord për një paketë të re të përbashkët sanksionesh ndaj Iranit.
Nga fundi i viteve 2000 deri në fillim të viteve 2010, bashkëpunimi ushtarak mes Rusisë dhe Iranit përgjithësisht ra. Por, kjo ndryshoi pasi Putini u rikthye në Presidencë në vitin 2012. Në fillim të vitit 2015, Moska dhe Teherani nënshkruan një marrëveshje të re për bashkëpunimin ushtarak.
Në vitet që pasuan, ky lloj bashkëpunimi nisi të rritej sërish dhe u shtua edhe më shumë gjatë pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Deri në vitin 2025, gati 10.000 iranianë studionin në universitetet ruse, një rritje prej 42 për qind në vetëm dy vjet.
Punimet e përbashkëta të shkencëtarëve rusë dhe iranianë mbeten më të rralla sesa ato me studiues evropianë ose amerikanë, por edhe kjo po ndryshon. Në disa universitete të mëdha teknike, si ITMO në Shën Petersburg, bashkautorët iranianë pothuajse i kishin zënë gjermanët deri në vitin 2025 – ndërsa para luftës në shkallë të plotë, Gjermania ishte partneri kryesor kërkimor i Shën Petersburgut.
Bllokimi dhe falsifikimi i sinjaleve
Dokumentet e shqyrtuara nga Systema treguan se studiuesit akademikë nga Rusia dhe Irani po punojnë gjithashtu së bashku në bllokimin dhe falsifikimin e sinjaleve GPS, teknologji që bllokon ose falsifikon sinjalet GPS. Irani e ka përdorur këtë teknologji që nga fillimi i viteve 2010 për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa dhe dronë dhe për të çorientuar sistemet e navigimit të avionëve dhe anijeve armike.
Mohammad Reza Mosavi, profesor i inxhinierisë elektrike në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë së Iranit, është një nga studiuesit iranianë me më shumë publikime mbi GPS-in.
Në vitin 2016, Mosavi ishte bashkautor i një punimi me Stepan Shafran, një shkencëtar rus që drejton sektorin e inxhinierisë të një projekti për zhvillimin e teknologjisë së navigimit radio dhe komunikimeve.
Një nga partnerët e projektit është një kompani që prodhon, ndër të tjera, dronin Orlan-10 dhe ndaj së cilës Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione po atë vit për ndihmën që i kishte dhënë agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake, të njohur si GRU, në spiunazhin elektronik.
Në vitin 2015, Amir Tabatabaei, një student i diplomuar nga një universitet në Teheran, shkoi në Rusi për të studiuar në një laborator të themeluar nga Kai Borre, një ekspert danez i navigimit satelitor që vdiq në vitin 2017, dhe që ishte pjesë e Universitetit të Samarës, një institucion i madh teknik rreth 860 kilometra nga Moska.
Kërkimet e hershme të Tabatabaeit u përqendruan në GLONASS – sistemin rus të pozicionimit satelitor, të cilin e përdor edhe Irani për të përmirësuar saktësinë e raketave të tij balistike. Laboratori i tij në Teheran kishte tashmë një marrës funksional GLONASS para se ai të mbërrinte në Rusi.
Në vitin 2016, Tabatabaei dhe Mosavi publikuan një punim në një revistë në pronësi të një kompanie ruse të mbrojtjes që ndërton sisteme navigimi për marinën. Në këtë artikull, ata propozuan një algoritëm për zbulimin e sulmeve me falsifikim të sinjaleve GPS dhe thanë se kishin ndërtuar një sinjal të rremë për të testuar se sa mirë funksiononte.
Tabatabaei nuk është i vetmi shkencëtar iranian i lidhur me këtë laborator rus. Të tjerë përfshijnë studentin Shervin Behzad Far, studiuesen Zainab Koohi dhe profesorin Hadi Shahriar Shahhosseini, një zyrtar i lartë në universitetin e Tabatabaeit në Teheran.
Në vitin 2021, media shtetërore ruse Sputnik publikoi një intervistë me Seyed Hassan Zabihifar, një student iranian i diplomuar në Universitetin Teknik Shtetëror Bauman të Moskës. Ai i cilësoi sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit si “shtypëse”, duke thënë se ngrirja e aseteve iraniane jashtë vendit kishte lënë më pak fonde për blerjen e pjesëve për punën e tij në robotikë.
Bauman është një nga qendrat kryesore ruse të kërkimit dhe zhvillimit për aplikimin e inteligjencës artificiale në teknologjinë e dronëve. Në vitin 2026, shkencëtarët e këtij universiteti publikuan një monografi mbi vizionin kompjuterik për kontrollin e saktë autonom të mjeteve ajrore pa pilot, e cila përmend teknologji tipike për dronët ushtarakë, si sistemet automatike për zbulimin dhe gjurmimin e objektivave.
Stafi i universitetit publikon gjithashtu punime mbi navigimin autonom të bazuar në inteligjencën artificiale, si për dronët, ashtu edhe për robotët tokësorë.
Zabihifar kaloi vitet 2014–2018 duke studiuar në Moskë, ku ai dhe profesori i tij përdorën modele lavjerrësi për të zhvilluar algoritme adaptive të kontrollit nervor, një mënyrë për të ndihmuar në stabilizimin e sistemeve të paqëndrueshme, e cila mund të aplikohet te dronët dhe mjetet e tjera pa pilot.
Gjatë qëndrimit në Moskë, Zabihifar dhe kolegët e tij nga universiteti ku kishte studiuar në Iran zhvilluan një algoritëm kontrolli për një mjet nënujor pa pilot. Robotë të tillë autonomë përdoren si në oqeanografinë civile, ashtu edhe në aplikime ushtarake, si zbulimi dhe mbikëqyrja.
Pas diplomimit, Zabihfar punoi në kompani ruse nën kontrollin e shtetit, përfshirë një bankë. Në vitin 2023, ai u kthye në Iran, ku tani punon si profesor i asociuar në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë.
Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës shkaktoi një valë të re sanksionesh amerikane ndaj universiteteve ruse. MAI u vu në shënjestër në vitin 2022 për blerjen e mallrave amerikane në mbështetje të ushtrisë ruse dhe në vitin 2024 për trajnimin e personelit për industrinë ushtarake të Rusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën gjithashtu sanksione ndaj universiteteve të tjera ruse për arsye të ngjashme, përfshirë Baumanin.
Në vitin 2025, Pentagoni i shtoi këto universitete, së bashku me disa të tjera, në një listë të zezë që ndalon kontratat e sigurisë dhe bashkëpunimin me entitetet e përcaktuara. (REL)