11 Shtator, 2026

Skandali i Sarandës: Shteti shkoi për të prishur një ndërtim pa leje, por përfundoi duke mbrojtur krimin

 Skandali i Sarandës: Shteti shkoi për të prishur një ndërtim pa leje, por përfundoi duke mbrojtur krimin

Nga Arben Llangozi, avokat

Në një shtet ligjor, një vendim administrativ për prishjen e një ndërtimi pa leje duhet të zbatohet. Në Sarandë ndodhi e kundërta. Institucionet shtetërore u paraqitën në vendngjarje me qëllim ekzekutimin e vendimit pranë subjektit shkelës Klensi shpk,  por në fund objekti mbeti në këmbë, ndërsa askush nuk u procedua për ndërtimin pa leje, askush nuk u shoqërua për pengimin e ekzekutimit dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për dështimin e shtetit në zbatimin e ligjit. Pamjet filmike të datës 14.07.2026 tregojnë praninë në vendngjarje të IMT Bashkia Sarandë, Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake gjatë tentativës për ekzekutimin e vendimit.

Objekti në fjalë ishte konstatuar si ndërtim pa leje, ndërsa subjekti kishte ndryshuar destinacionin e katit përdhes nga garazh në banesë me qëllim përfitimi ekonomik. Megjithatë, edhe pse vetë IMT ishte paraqitur për prishjen e objektit,  vetëm sa për sy e faqe të ankuesit sepse bënte anksa dhe duhet ti tregohej se IMT punon.

Akoma më shqetësues është procesverbali i hartuar në vendngjarje. Sipas videos, në procesverbal është pasqyruar se në banesë ndodhej një i mitur me probleme të shëndetit mendor dhe kjo rrethanë është përdorur për të justifikuar moszbatimin e vendimit. Mirëpo pamjet filmike tregojnë se hyrja në banesë është bërë me urdhër të drejtuesit të IMT Sarandë Fatjon Veliu. I cili ka udhëruar futjen në banesë me qëllim sa të bënte ai një foto ta kishte si provë.

Skandali është edhe më i rëndë pasi në vendngjarje ndodheshin edhe punonjës të Policisë së Shtetit. Ata kishin detyrimin të garantonin rendin dhe zbatimin e vendimit. Megjithatë, nuk rezulton të jetë shoqëruar apo proceduar asnjë person për pengimin e ekzekutimit, ndërsa objekti vazhdon të qëndrojë në këmbë. Pra shteti ishte aty, e pa çfarë po ndodhte, kishte vendimin në dorë, kishte policinë në terren, kishte inspektoratin dhe përsëri vendimi nuk u zbatua.

As IMT Bashkia Sarandë, as IKMT dhe as Policia e Shtetit nuk rezulton të kenë referuar penalisht ndërtimin pa leje, ndonëse për ndërtimin e paligjshëm të kryer për qëllime fitimi neni 199/a parashikon dënim nga 3 deri në 8 vjet burgim. Institucionet e gjetën objektin, shkuan për ta prishur, por procedimi penal mungon, rastësi, neglizhencë apo favorizim?

Edhe heshtja e AMP ngre pikëpyetje. Në një ngjarje ku ekzistojnë pamje filmike, procesverbale zyrtare dhe pretendime konkrete për mosveprim të punonjësve të Policisë së Shtetit, minimumi që pritej ishte një verifikim i plotë dhe i pavarur. Deri më tani nuk rezulton publikisht një reagim që të sqarojë përgjegjësinë e efektivëve të pranishëm në vendngjarje. Dhe aq më tepër të verifikonte përse nuk është kallzuar ndërtimi pa leje nga ana e policisë së shtetit.

Po aq e pakuptueshme është sjellja e IKMT-së. Në një kohë kur IKMT zhvillon aksione të bujshme kundër ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme të vendit, Saranda duket sikur ka mbetur jashtë hartës. Në këtë rast ekziston një vendim prishjeje i paekzekutuar, ekziston një objekt informal që vijon të qëndrojë në këmbë dhe ekzistojnë pretendime serioze mbi mënyrën se si është penguar zbatimi i vendimit. Megjithatë, deri më sot nuk rezulton një ndërhyrje që ta çojë ekzekutimin deri në fund.

Këtu lind pyetja që askush nuk po e thotë, a kemi të bëjmë thjesht me paaftësi institucionale, apo me një zinxhir veprimesh dhe mosveprimesh që kanë prodhuar në mënyrë konkrete favorizimin  me qëllime korruptive të subjektit ndërtues?

Sepse rezultati është i thjeshtë. Vendimi nuk është ekzekutuar. Objekti nuk është prishur. Subjekti vazhdon të përfitojë nga gjendja ekzistuese. Ndërsa institucionet që duhej të zbatonin ligjin vazhdojnë t’ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.

Kur shteti shkon me inspektorë, polici dhe vendim prishjeje dhe kthehet pa prishur asgjë, problemi nuk është më vetëm te një ndërtesë. Problemi është te vetë funksionimi i shtetit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *