28 Shtator, 2026

Si përdoren TV kombëtare dhe emisionet e darkës, të pastrojnë çdo skandal

 Si përdoren TV kombëtare dhe emisionet e darkës, të pastrojnë çdo skandal

Mbrëmja e djeshme tregoi se beteja e Ergys Agasit ka hyrë edhe në studiot e televizioneve kombëtare. Brenda pak orësh, njeriu që ndodhet në qendër të një dosjeje që ka prekur drejtuesen e SHISH u shty në plan të dytë, ndërsa publikut iu servir një histori e re me klane, hakmarrje, dosje të rrjedhura dhe armiq të rinj brenda pushtetit.

Sa herë një dosje penale afrohet te oborri i pushtetit, studiot kombëtare fillojnë të prodhojnë një realitet paralel, ku i hetuari largohet gradualisht nga qendra e skandalit, viktimat dhe fajtorët ndërrojnë vendet, ndërsa përgjegjësia tretet në një mjegull të re të quajtur “luftë klanesh”.

Ergys Agasi duhej të ishte objekti kryesor i pyetjeve mbi informacionet që kishte marrë, njerëzit që i kishin shërbyer dhe pushtetin që kishte ndërtuar jashtë çdo mandati publik. Në vend të kësaj, një nga televizionet kombëtare hapi dyert e studios dhe, brenda pak orësh, Agasi nisi të ndryshonte rol para syve të publikut. Nga personi për të cilin hetuesit kërkojnë të kuptojnë çfarë informacioni kishte marrë nga drejtuesja e shërbimit sekret, ai u prezantua papritur edhe si një “bashkëpunëtor i SHISH”, një status i hedhur publikisht në studio dhe i shoqëruar me tezën se SPAK mund të mos jetë kurrë në gjendje ta verifikojë.

Dosja ndërkohë kishte prodhuar një histori shumë më konkrete. Hetuesit kishin sekuestruar në makinën e Agasit nëntë printime me të dhëna të shërbimit, Vlora Hyseni kishte pranuar se komunikonte vazhdimisht me të dhe raportimet mbi materialin hetimor flasin për një marrëdhënie që vazhdoi edhe gjatë kohës kur Agasi ishte në kërkim, me telefonata, komunikime në Signal, video dhe fotografi. Vetë SPAK, sipas këtyre raportimeve, e ka kundërshtuar shpjegimin se e gjithë kjo lidhej thjesht me statusin e një bashkëpunëtori.

Studioja e zhvendosi shpejt lupën. Kush i fotografoi mesazhet, kush i nxori, kujt i interesonte publikimi, pse u ekspozua pjesa intime.Brenda së njëjtës mbrëmje, gruaja që kishte drejtuar institucionin më të ndjeshëm të sigurisë dhe kishte pranuar komunikimin e vazhdueshëm me “shpirtin” e saj Gysin po merrte një histori të re, atë të shënjestrës së një “operacioni” të organizuar kundër saj.

Pastaj erdhën “specialistët e midhjes dhe peshkut”, personazhe që në ditë të zakonshme nuk shkelin në atë ekran, ndërsa dyert hapen sapo beteja e tyre personale përputhet me nevojën e pronarit për të goditur në një drejtim të caktuar. Njëri solli teorinë e bashkëpunëtorit të SHISH, tjetri solli luftën e klaneve, ndërsa një tjetër hodhi në tavolinë takime private, kontroll mbi drejtësinë, vila dhe shantazh, duke e zhvendosur zjarrin te një figurë tjetër e pushtetit. Në të njëjtën ndërhyrje, Agasi u promovua edhe si njeriu që paska një numër të madh videosh, duke kaluar nga personazhi që duhet të japë llogari për sekretet e shtetit te personazhi që mban sekretet e të tjerëve. Pse vallë?!

Kështu funksionon më së miri emisioni i “shpëlarjes”, me një ish-politikane në krye që ka marrë rolin e një “Don Kishote” moderne, gjithmonë gati të hipë mbi kalin e betejës së radhës sapo studioja gjen mullirin që duhet sulmuar. Ky personazh e ka kthyer studion në sallon rehabilitimi për personazhe që vijnë të rënduar nga dosjet dhe dalin prej andej të veshur si viktima të konspiracioneve. Dosja mund të ketë një protagonist, dokumente dhe komunikime konkrete, ndërsa emisioni prodhon brenda natës pesë protagonistë të rinj derisa publiku humbet fillin se përse nisi historia.

Formula i shërben vetë Edi Ramës. Në momentin kur Agasi dhe drejtuesja e SHISH treten në një histori për luftën mes klaneve të PS, përgjegjësia politike për fuqinë që Gysi kishte ndërtuar pranë institucioneve humbet mes sherrit të brendshëm. Publikut i serviret ideja se palët po hanë njëra-tjetrën, ndërsa pyetja se si një njeri pa mandat publik arriti të kishte këtë lloj aksesi në majën e shtetit humbet mes tymnajës.

Mbrëmja e djeshme  e nxori mekanizmin lakuriq. Gysi doli si “bashkëpunëtor” i shërbimit, drejtuesja e SHISH si viktimë që po hetohet nga SPAK, ndërsa zjarri u drejtua te njerëz të tjerë që skanë lidhje me dosjen AKSHI as me SHISH. Klani i Ergys Agasit po lufton fort për narrativën dhe, kur ekranet kombëtare të sjellin njerëzit e duhur në minutën e duhur për të zhvendosur historinë, Gysi mund të bëjë mbrojtjen më të mirë të jetës së tij pa u ulur asnjëherë vetë përballë kamerës. Bravo Gys “zemra”!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *