Shkurte Fejzaj mesazh Edi Ramës: Madhështia e udhëheqjes qëndron te dëgjimi, gjeni dorën e pajtimit
Këngëtarja e njohur e muzikës popullore, Shkurte Fejzaj, i ka drejtuar një lutje publike kryeministrit të Shqipërisë, lidhur me protestat dhe shqetësimet e ngritura nga rinia studentore.
“Kur studentët ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, le t’i dëgjojmë me vëmendje, pa paragjykime dhe pa i parë si kundërshtarë. Ata janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë, janë rinia ku mbështetet e ardhmja e këtij vendi. Pas çdo studenti që kërkon zgjidhje, qëndron një familje me shpresa, sakrifica dhe ëndrra,” shprehet artistja.
Më tej, Fejzaj i drejtohet drejtpërdrejt kreut të qeverisë, duke kujtuar se fuqia e vërtetë e drejtimit të një shteti qëndron te zemërgjerësia dhe aftësia për të dëgjuar qytetarët e vet.
“Zoti Kryeministër, ndonjëherë madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm në vendimet që merren, por edhe në gatishmërinë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur dorën e pajtimit. Ju lutem, gjeni një rrugë mirëkuptimi, një zgjidhje të drejtë e të arsyeshme, që u jep studentëve shpresë dhe familjeve qetësi,” shkruan ajo.
Ajo shton se vendit i nevojiten zgjidhje që bashkojnë e nuk thellojnë ndarjet:
“Një zgjidhje që nuk e thellon ndarjen, por ndërton ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve. Asnjë fitore nuk është më e çmuar se mirëqenia e popullit dhe asnjë krenari nuk është më e madhe se ajo që buron nga dëgjimi i zërit të qytetarëve.”
Shkurte Fejzaj bën thirrje që kësaj radhe të jetë fjala dhe dialogu ai që do të sjellë zgjidhjen.
“Si artiste, jam mësuar që kënga t’i bashkojë njerëzit edhe kur fjalët nuk mjaftojnë. Sot, dëshira ime është që edhe fjala të shërbejë si urë bashkimi, jo si shkak për ndarje. Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi,” përfundon mesazhin e saj këngëtarja, duke e mbyllur me bekime për vendin dhe të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.