Sherr për një çelës biçiklete – Policia jep detajet se çfarë ndodhi tek “Syri i Kaltër”
Një konflikt me sende të forta ka ndodhur në një subjekt në Sarandë. Siç njofton policia ngjarja ka ndodhur në parkimin e “Syrit të Kaltër”, dhe është arrestuar një 43 vjeçar dhe tre të tjerë të përfshirë në konflikt janë proceduar.
“Konfliktohet dhe godet me sende të forta administratorin e një subjekti që jep biçikleta me qira për lëvizje brenda parkut, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari. Procedohen penalisht 3 shtetas të përfshirë në konflikt, mes tyre dhe administratori i subjektit.
Salla Operative e Komisariatit të Policisë Sarandë ka marrë njoftim për një konflikt në parkimin e “Syrit të Kaltër”. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shoqëruar në komisariat të gjithë personat e përfshirë”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, rreth orës 12:00 të ditës së sotme, në vendin e quajtur “Parkimi i Syrit të Kaltër”, gjatë një konflikti për pagesën e dëmit të shkaktuar nga humbja e çelësit të një biçiklete, shtetasi A. H., 43 vjeç, ka goditur me sende të forta shtetasin A. L., 27 vjeç, administrator i subjektit, i cili ka pësuar dëmtime (fraktura) dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet dyshohet se në konflikt janë përfshirë edhe shtetasit A. H., 45 vjeç, S. Ç., 20 vjeç”, njofton policia.
Pas ngjarjes është bërë i mundur arrestimi i 43 vjeçarit si dhe janë proceduar personat e tjerë të përfshirë në sherr.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi A. H., 43 vjeç, banues në Kamëz, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërsa shtetasit A. H., 45 vjeç, banues në Kamëz (vëllai i të arrestuarit), S. Ç., 20 vjeç, banues në Dërmish, Finiq, dhe A. L., 27 vjeç, banues në Stjar, Delvinë, administrator i subjektit, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e policisë.