9 Tetor, 2026

SHBA e Libani po mbrojnë ish-gjeneralin sirian të kërkuar për krime kundër njerëzimit

 SHBA e Libani po mbrojnë ish-gjeneralin sirian të kërkuar për krime kundër njerëzimit

Sipas një hetimi të BBC dhe NPR, Bassam al-Hassan, ish-gjeneral i lartë sirian dhe këshilltar i ish-presidentit Bashar al-Assad, po qëndron në Liban nën mbrojtjen e autoriteteve amerikane dhe libaneze, pavarësisht se kërkohet për krime të rënda të lidhura me regjimin e Assadit.

Hassan ka pasur rol të rëndësishëm në programin sirian të armëve kimike dhe dyshohet se ka pasur lidhje me zinxhirin komandues të operacionit për rrëmbimin e gazetarit amerikan Austin Tice në Siri në vitin 2012.

Hetimi i BBC pretendon se marrëveshja për mbrojtjen e Hassanit është arritur në pranverën e vitit 2025. Në këmbim të informacionit për fatin e Tice-s dhe të dhënave të tjera të inteligjencës, atij i është ofruar qëndrim në Liban, mbrojtje dhe ndihmë financiare për nevojat e jetesës. Sipas burimeve të cituara nga BBC, pagesat amerikane për Hassan kalojnë përmes një ndërmjetësi, duke e bërë më të vështirë gjurmimin e tyre.

Hassan është nën sanksione të qeverisë amerikane. Megjithatë, burime të njohura me marrëveshjen pretendojnë se autoritetet amerikane kanë preferuar ta mbajnë atë në Liban për shkak të informacionit që ai mund të ofrojë për Austin Tice, por edhe për programin sirian të armëve kimike dhe marrëdhëniet ushtarake të Sirisë me Iranin.

Dy zyrtarë nga struktura të ndryshme të qeverisë së re siriane i kanë thënë BBC-së se Damasku kërkon kthimin e Hassan në Siri, ku ai do të përballej me drejtësinë. Sipas tyre, autoritetet amerikane duan që ai të qëndrojë në Liban dhe qeveria e re siriane ka pak mundësi për ta ndryshuar këtë situatë.

FBI-ja, CIA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Libanit u kontaktuan nga BBC për të komentuar gjetjet. Vetëm FBI-ja dha përgjigje, duke mos komentuar drejtpërdrejt marrëveshjen dhe duke iu referuar një deklarate të mëparshme, sipas së cilës fokusi i saj mbetet zbardhja e fakteve rreth rastit të Austin Tice dhe sigurimi i kthimit të tij.

Tice, gazetar amerikan, u rrëmbye në Siri në vitin 2012. BBC kishte raportuar më herët se rrëmbimi i tij ishte një operacion i planifikuar dhe se Hassan dyshohet se ishte pjesë e zinxhirit komandues.

Sipas hetimit, Hassan u ka thënë hetuesve amerikanë se Tice ishte ekzekutuar me urdhër të Bashar al-Assadit. Ai gjithashtu ka dhënë një vend të mundshëm ku mund të ndodheshin mbetjet e gazetarit. Megjithatë, një kërkim në atë zonë nuk solli rezultat, çka ka ngritur dyshime mbi saktësinë e disa prej deklaratave të Hassanit. Dy burime i thanë BBC-së se kërkimi u ndërpre para përfundimit të hetimeve, ndoshta për arsye sigurie.

Hetimi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi efektivitetin e marrëveshjes. Persona të përfshirë në çështjen e Tice kanë thënë se nuk kanë parë prova se informacioni i dhënë nga Hassan ka sjellë përparim të madh në gjetjen e gazetarit. Disa burime kanë shprehur shqetësimin se marrëveshja mund të vazhdojë për një kohë të pacaktuar dhe të kushtojë shuma të konsiderueshme parash.

Hassan nuk është i vetmi ish-funksionar i regjimit sirian që, sipas BBC-së, ka përfituar nga lidhjet me hetimin për Tice. Një ish-anëtar i regjimit ka pretenduar se ka marrë disa herë pagesa nga FBI-ja në këmbim të bashkëpunimit dhe se kishte interes të mos e jepte të gjithë informacionin menjëherë, në mënyrë që të vazhdonte të merrte pagesa.

Një tjetër ish-funksionar sirian, i lidhur me çështjen Tice, ka pretenduar se jeton në Liban nën “patronazhin” e autoriteteve amerikane dhe se kjo është arsyeja pse nuk mund të flasë publikisht për rastin.

Një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës libaneze i tha BBC-së se shërbimet libaneze kanë marrëveshje bashkëpunimi me amerikanët dhe se pagesa të tilla mund të bëhen kur interesat e dy agjencive përputhen në raste të caktuara. Megjithatë, ai tha se nuk kishte dijeni për pagesa konkrete që lidhen me rastin e Austin Tices.

Pas rënies së regjimit të Assadit në dhjetor 2024, Hassan besohet se fillimisht u arratis drejt Iranit. Një biznesmen sirian me lidhje të forta me ish-regjimin dhe autoritetet libaneze i tha BBC-së se më pas janë zhvilluar negociata mes SHBA-ve, Libanit dhe Iranit për transferimin e Hassanit në Liban.

Vlera e Hassanit për shërbimet amerikane, sipas burimeve të BBC-së, nuk lidhet vetëm me informacionin që ai mund të ketë për Tice. Ai konsiderohet gjithashtu burim i rëndësishëm për informacion mbi programin sirian të armëve kimike dhe bashkëpunimin ushtarak mes Damaskut dhe Teheranit.

Hetimi përmend edhe disa ish-funksionarë të tjerë sirianë të lidhur me çështjen e Tices. Mohammad Makhlouf, i cili raportonte te Hassan dhe kishte lidhje me ndalimin e Tices, besohet se ndodhet në Liban. Sakr Rustom, nipi i Hassan dhe një person i përfshirë në rrëmbimin e Tices, besohet se lëviz mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Libanit. Ndërsa Ghassan Nassour, ish-gjeneral i Gardës Republikane siriane, për të cilin ish-anëtarë të Forcave të Mbrojtjes Kombëtare thonë se kishte mbikëqyrur burgun ku mbahej Tice, besohet se jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe me familjen e tij.

Rasti ngre një dilemë të rëndë për autoritetet amerikane: deri ku mund të shkojë bashkëpunimi me një ish-zyrtar të një regjimi të akuzuar për krime kundër civilëve, nëse ai mund të japë informacion për fatin e një qytetari amerikan të zhdukur. Për familjen e Austin Tices, përdorimi i parave të taksapaguesve amerikanë për të siguruar jetën e një personi të lidhur me regjimin sirian është veçanërisht shqetësues.

Zëdhënësi i familjes Tice, Phil Eluood, e ka cilësuar situatën si të papranueshme dhe ka kërkuar që Hassan të përballet me drejtësinë. Ndërkohë, pyetjet kryesore mbeten ende pa përgjigje: çfarë ka ndodhur realisht me Austin Tice, sa të besueshme janë informacionet e dhëna nga Hassan dhe nëse marrëveshja amerikane me të ka prodhuar rezultate konkrete në hetimin për gazetarin e zhdukur.

BBC

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *