21 Maj, 2026

SHBA dhe Izraeli kishin plan të vendosnin Ahmadinejad në krye të Iranit, pas vrasjes së Khameneit

 SHBA dhe Izraeli kishin plan të vendosnin Ahmadinejad në krye të Iranit, pas vrasjes së Khameneit

Një nga planet më të pazakonta dhe më të debatueshme të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit ka dalë tani në dritë: sipas një investigimi të “The New York Times”, Washingtoni dhe Tel Avivi kishin konsideruar ish-presidentin iranian, Mahmoud Ahmadinejad, si figurën që mund të merrte drejtimin e Iranit pas rrëzimit të regjimit aktual.

Raportimi zbulon se në ditët e para të ofensivës së përbashkët amerikano-izraelite, ekzistonte një strategji shumëfazore për ndryshim regjimi në Teheran, e cila përfshinte eliminimin e liderit suprem Ali Khamenei, destabilizimin e aparatit shtetëror dhe ngritjen e një “qeverie alternative”. Në qendër të këtij skenari ishte Ahmadinejad – një zgjedhje që shumë zyrtarë amerikanë e konsideronin të pabesueshme.

Sipas burimeve amerikane të cituara nga gazeta, Ahmadinejad ishte konsultuar paraprakisht për planin dhe një nga sulmet ajrore izraelite në ditën e parë të luftës kishte si objektiv “çlirimin” e tij nga arresti shtëpiak në Teheran.

Sulmi që ndryshoi gjithçka

Më 28 shkurt, në valën e parë të bombardimeve, Izraeli goditi jo vetëm kompleksin ku ndodhej Ali Khamenei, por edhe zonën ku mbahej nën mbikëqyrje Ahmadinejad. Objektivi, sipas zyrtarëve amerikanë, ishte eliminimi i Gardës Revolucionare Islamike që e kontrollonte dhe hapja e rrugës për nxjerrjen e tij nga izolimi.

Ahmadinejad mbeti i plagosur, por i mbijetoi sulmit – edhe pse fillimisht u raportua se kishte mbetur i vrarë nga goditjet amerikane. Megjithatë, sipas burimeve pranë tij, ai u zhgënjye nga mënyra si u zhvillua operacioni dhe humbi besimin te plani për ndryshim regjimi.

Që prej asaj kohe, ish-presidenti iranian nuk është parë më në publik dhe vendndodhja e tij mbetet e panjohur.

Një figurë ekstremisht kontradiktore

Ideja që SHBA-të dhe Izraeli të mbështeteshin te Ahmadinejad për të udhëhequr Iranin pas luftës ka shkaktuar habi të madhe, për shkak të historisë së tij politike.

Ahmadinejad drejtoi Iranin nga viti 2005 deri në 2013 dhe u bë i njohur ndërkombëtarisht për retorikën agresive kundër Izraelit dhe SHBA-ve. Ai mbështeti fuqishëm programin bërthamor iranian, mohoi Holokaustin dhe deklaroi se Izraeli duhej “fshirë nga harta”.

Gjatë presidencës së tij, Irani përshpejtoi pasurimin e uraniumit dhe shtypi me forcë protestat e brendshme, veçanërisht gjatë krizës pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Por vitet e fundit ai ishte kthyer në një figurë problematike për establishmentin iranian. Ai akuzonte elitën fetare për korrupsion dhe kishte hyrë në konflikt të hapur me Ali Khamenein. Kandidaturat e tij për zgjedhjet presidenciale të viteve 2017, 2021 dhe 2024 u refuzuan nga Këshilli i Gardianëve, ndërsa lëvizjet e tij u kufizuan ndjeshëm.

Dyshime për lidhje me Perëndimin

Sipas raportimit, disa figura pranë Ahmadinejad janë akuzuar prej kohësh nga mediat iraniane për kontakte të dyshimta me Perëndimin dhe madje me inteligjencën izraelite.

Një element që ka ushqyer spekulimet janë edhe udhëtimet e tij jashtë Iranit në vitet e fundit. Në 2023 ai vizitoi Guatemalën, ndërsa në 2024 dhe 2025 udhëtoi drejt Hungarisë – një vend me marrëdhënie të afërta me Izraelin dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Në Budapest, Ahmadinejad mbajti ligjërata në universitete pranë qeverisë së Viktor Orbanit. Ai u kthye në Iran vetëm pak ditë para nisjes së sulmeve izraelite.

Një tjetër detaj që ngriti pikëpyetje ishte heshtja e tij pothuajse totale gjatë luftës me Izraelin, ndonëse historikisht kishte qenë një nga figurat më anti-izraelite të Republikës Islamike.

Plani për rrëzimin e regjimit

Sipas “The New York Times”, strategjia izraelite për Iranin ishte ndërtuar në disa faza.

Fillimisht do të goditeshin strukturat ushtarake dhe drejtuesit kryesorë të regjimit. Paralelisht, Izraeli llogariste në rebelime të brendshme dhe në aktivizimin e grupeve kurde kundër forcave iraniane.

Më pas pritej që kaosi politik, dëmtimi i infrastrukturës dhe fushatat e ndikimit psikologjik të krijonin perceptimin se regjimi po humbiste kontrollin.

Në fazën finale, sipas planit, qeveria teokratike do të shembej dhe do të krijohej një strukturë e re politike me mbështetje perëndimore.

Megjithatë, shumica e këtyre objektivave nuk u realizuan. Edhe pse Khamenei u vra në sulmet e para dhe Irani pësoi dëme të mëdha ushtarake, sistemi politik iranian mbijetoi.

Skepticizëm brenda administratës Trump

Raportimi thekson se edhe brenda administratës amerikane kishte skepticizëm të madh për idenë e rikthimit të Ahmadinejad në pushtet.

Disa zyrtarë e konsideronin atë tepër radikal dhe të paparashikueshëm për të qenë partner i besueshëm për SHBA-të.

Megjithatë, Donald Trump besohej se ishte i frymëzuar nga operacioni në Venezuelë kundër Nicolas Maduro-s dhe mendonte se një model i ngjashëm mund të funksiononte edhe në Iran.

Në një intervistë për “The New York Times” në vitin 2019, vetë Ahmadinejad kishte surprizuar opinionin publik duke lavdëruar Trumpin.

“Trump është njeri veprimi. Ai mendon si biznesmen dhe di të llogarisë kostot dhe përfitimet”, kishte deklaruar ai atëherë.

Misteri i madh: ku ndodhet Ahmadinejad?

Aktualisht askush nuk e di saktësisht se ku ndodhet ish-presidenti iranian.

Pas raportimeve fillestare se ai ishte vrarë, mediat iraniane konfirmuan se kishte mbijetuar, ndërsa gardianët e IRGC-së që e mbanin nën arrest shtëpiak kishin humbur jetën.

Analistët besojnë se rikthimi i emrit të tij në qarkullim publik mund të jetë tregues se pas skenave po zhvillohen negociata të reja për të ardhmen politike të Iranit.

Ndërkohë, edhe pas dështimit të planit fillestar, disa zyrtarë izraelitë vazhdojnë të besojnë se ndryshimi i regjimit në Teheran mbetet i mundur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *