6 Qershor, 2026

Shantazhonte dëshmitarët kundër Veliajt, SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për Klotilda Bushkën

 Shantazhonte dëshmitarët kundër Veliajt, SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për Klotilda Bushkën

Prokuroria e Posaçme, SPAK paraqiti të mëkurën konkluzionet përfundimtare ndaj 11 të pandehurve në çështjen e ndarë nga ajo e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vetëm për të pandehurin Elman Abule u kërkua dënimi me burg, ndërsa për të tjerët u kërkua gjobë ose pezullimi i dënimit dhe vendosja në shërbim prove.

Prokurori Ols Dado lexoi në seancë vetëm kërkimet përfundimtare për 11 të pandehurit, ndërsa vendosi në dispozicion të mbrojtësve të tyre konkluzionet përfundimtare prej 537 faqesh, në formë digjitale me CD. Për ish-deputeten socialiste, Klotilda Bushka, e akuzuar se së bashku me bashkëshortët Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, ndërmorrën një fushatë të koordinuar për të intimiduar dëshmitarët dhe hetuesit, u kërkua dënimi me 600 mijë lekë gjobë dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare me 400 mijë lekë gjobë.

SPAK kërkoi gjobë me 40 mijë lekë për të pandehurën Flutura Xhani të akuzuar për deklarim të rremë. Për të pandehurën Frosina Bollo të akuzuar për korrupsion u kërkuan 8 muaj burg dhe pezullimi kësaj mase. Ndërkohë, që u kërkua gjobë 330 mijë lekë për OJF-në e saj, “Frobolus”.

Për biznesmenin Fatmir Bektashi, u kërkua deklarimi fajtor për korrupsion aktiv dhe dënimi tij përfundimtar me 8 muaj burg. Ndërkohë, u kërkua pezullimi i masës së dënimit dhe konvertimi me orë pune me interes publik. Dado kërkoi që të deklarohej fajtore për të njëjtën vepër penale edhe kompania e Bektashit, “Kontakt” sh.p.k. dhe dënimi me 600 mijë lekë gjobë.

SPAK kërkoi dënimin e të pandehurës Ina Goxhaj me 8 muaj burg për korrupsion dhe 4 vjet e 8 muaj heqje lirie për pastrim parash. Megjithatë, u kërkua pezullimi i dënimit dhe vendosja e saj në shërbim prove për pesë vjet. Për të pandehurën Adela Kondakçiu të akuzuar për npastrim parash u kërkua masa 4 vjet e 8 muaj burg dhe në përfundim përjashtimi nga dënimi. Ndaj ish-punonjësit të policisë, Fatjon Baçi i cili akuzohet se i dha në mënyrë të paligjshme një telefon Veliajt, u kërkua dënimi me 3 vjet e 4 muaj burgim dhe në përfundim pezullimi e vendosja në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare.

Për të pandehurin Elman Abule, i akuzuar për pastrim parash u kërkua dënimi përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, u kërkua edhe të caktohet gjobë prej 12 milionë lekësh ndaj shoqërisë së tij, “Rametal” sh.p.k..

Në fillim të seancës, përfaqësuesja ligjore e të pandehurit Elman Abule, avokatja Romina Zano kërkoi që çështja për të mbrojturin prej saj të transferohej për gjykim në një gjykatë të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ajo argumentoi se, pas ndarjes së çështjes ku një pjesë vijuan me gjykim të shkurtuar dhe të tjerët, përfshi dhe Veliajn, me gjykim të zakonshëm, çështja penale në në ngarkim të Abules nuk mund të ishte më kompetencë e Gjykatës së Posaçme.

Kërkesa u cilësua e pabazuar nga prokurorët e SPAK, Ols Dado dhe Altin Dumani, të cilët argumentuan se ishin në fazën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare dhe se në fazën e gjykimit nuk mund të paraqitej një kërkesë e tillë. Gjykata e rrëzoi si të pabazuar kërkesën e Abules dhe u vijua me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Seanca u shty për më datë 15 qershor, në orën 13:30, kur të pandehurit dhe avokatët e tyre do të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Për 19 të pandehurit e tjerë, mes të cilëve Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është vendosur ndarja e çështjes dhe ata do të gjykohen me gjykim të zakonshëm, proces gjatë të cilit provat formësohen në gjykatë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *