Servet Bani, marathonomaku i famshëm nga Mezhgorani
Nga Keze Kozeta Zylo
Servet Bani, ky bir i denjë i Mezhgoranit, është legjendë e sportit të atletikës dhe maratonës.
Të përjetosh fëmijërinë në fshat, mes dy maleve kryelartë të kombit, Shendëlli dhe Trebeshina, është si të rritesh shumë pranë qiellit, të prekësh Hënë dhe Diell, të jesh në prehrin e natyrës që të mëson të dëgjosh, të ndjesh dhe të ëndërrosh. Mëngjeset atje të zgjojnë me freskinë e ajrit të pastër, ku zëri i kaposhit (këndezi, gjeli), sa feksin dritat e mëngjesit, bëhet ora më e saktë zvicerane e ditës.
Atje çdo pemë është një mikeshë, çdo gur një histori, çdo erë një kujtim violine që mbetet gjatë në shpirt.
Ndërsa dielli sapo kishte nxjerrë syrin mbi majat, duke i lyer me ar, Servet Bani kishte filluar vrapin Mezhgoran–Këlcyrë, në 20 kilometra pa u ndalur, saqë të dukej sikur vraponte zbathur mbi brinja, kalldrëme, guricka, guraleca me alga apo alga përrenjsh, barin e njomë, pa e ditur se po jetonte kujtimet më të bukura të jetës së tij dhe një ditë fama do t’i shkonte në kupë të qiellit. E kisha dëgjuar që fëmijë për shkollimin e tij, sportin, ecjen e një marathonomaku që nuk dinte të ndalej, as në fshat, mes maleve, as në qytetin e Këlcyrës ku jetoi e punoi.
Ai mbaroi Shkollën Ushtarake për Këmbësori dhe punoi në Tiranë, Shkodër etj., pranë korpuseve të tyre. U pranua pranë skuadrës “Partizani” si sportist maratone. Arriti të jetë përfaqësues i ekipit kombëtar. Në Kinë dhe Turqi ka siguruar medalje në garat marramendëse. Sot, në këtë moshë, jeton në Këlcyrë me bashkëshorten e tij Fatbardhën dhe ka tre fëmijë: Edianën, Blerinën dhe Ilirin.
Nëna e mirë Velideja, një grua zonjë, shumë e pastër, e kishte lindur atje në Mezhgoran, ku toka ende merr frymë ngadalë dhe bari mban vesën si margaritarë të vegjël.
Aty, Serveti nuk ecte, ai fluturonte mbi shtigje, gati zbathur, se këmbët prej atleti nuk donin gjë veshur; ishte i lirë si era që zbret nga mali me furi. I kujtoj me plot respekt vëllezërit e nderuar Banaj, atin e Servetit, Xha Sadikun, Xha Hasanin, Xha Bajramin dhe Xha Halilin, një bletërritës i përkushtuar, miq shumë të afërt të babait tim, që respektonin aq shumë njëri-tjetrin, dhe jetonin me nder në shoqëri.
Në kujtimet e mia, gjithë ai brez i pakthyeshëm qëndron si male të larta, të heshtura, si pleq të urtë që ruajnë sekretet e kohës dhe krenarinë e ligjshme si mezhgoranas zemërbardhë dhe plot histori. Ata na mësojnë të shohim larg, të presim, të ndiejmë madhështinë e Mezhgoranit pa fjalë. Nën hijen e atij brezi, çdo pasdite Nju Jorkeze më zgjatet si një ëndërr e artë, ku dielli bie ngadalë buzë oqeanit dhe qielli ndizet në ngjyra që vetëm zemra e një emigranti i kupton.
Ndër këto kujtime kam dhe Valentinen, motrën e Servetit, aq krenare për vëllain, shoqja ime e fëmijërisë, që gjithmonë rrugën nga shkolla në luadh për në shtëpi e bënim duke kënduar këngë magjike labe. Fati e solli të njoh nëpërmjet shkollës “Alba Life” në Brooklyn të birin e saj të mrekullueshëm Edin, kolegen time Rozin, bashkë me fëmijët e dashur.
Udhëtonim për ditë bashkë me Valin; kënga jonë bashkohej me jehonën që mbante përroi midis malesh, i cili rridhte si një përrallë pa fund, duke të treguar se jeta është lëvizje, është rrugë, uji është këngë. Pranë tij, me duart e vogla preknim ujin e ftohtë të burimeve dhe zemra mbushej me një freski që s’e gjen më kurrë njësoj.
Ecte marathonomaku pa u ndalur, pranë xhadesë, pranë lumit më të egër në Evropë, Vjosës, herë-herë i rrezikshëm, por për sportistin e pashoq ishte një sfidë dhe një ëndërr, sepse aty guximi i mori formë dhe frika natyrshëm iu kthye në një lojë të rrallë, sfiduese, të dallueshme dhe shndritëse.
Në agimin e heshtur, kur qyteti ende fle, ai zgjohet, marathonomaku i rrugëve të gjata dhe ëndrrave pa kufi. Hapat e tij bien lehtë mbi asfalt, si rrahje zemre që ndjekin ritmin e një qëllimi të largët. Era i flet, dielli e ndjek, ndërsa ai vrapon mes lodhjes dhe shpresës.
Serveti nuk është thjesht një vrapues, por një udhëtar i kohës dhe i vetvetes. Çdo kilometër është një betejë e fituar në heshtje, çdo frymëmarrje një premtim për të mos u ndalur. Dhe një ditë, mes turmës dhe zhurmës së garës, ai preku lavdinë, u shpall kampion.
Fitorja e tij ishte si një dritë që shpërthen në horizont, e bukur dhe e përkohshme, por e paharrueshme. Megjithatë, ai nuk ndalet aty, sepse për të rruga nuk mbaron te vija e finishit. Ajo vazhdon, e gjatë dhe e qetë, në çdo hap që ai hedh drejt një ëndrre të re.
Dhe kështu, ai vrapon sërish, jo për medalje, por për ndjesinë e lirisë që vetëm vrapi mund ta japë.
Më tregonin vëllezërit e mi me krenari se ai është një sportist marathonomak, simbol i durimit, përkushtimit dhe forcës mendore. Ai zgjohet herët çdo mëngjes, pavarësisht motit apo lodhjes, dhe nis stërvitjen e tij të gjatë në rrugë apo në natyrë. Hapat e tij janë të qëndrueshëm, frymëmarrja e kontrolluar, ndërsa mendja e fokusuar vetëm te qëllimi: të përmirësojë veten çdo ditë. Në ditën e garës, ai vrapoi me zemër, duke kapërcyer lodhjen dhe dhimbjen, derisa kaloi vijën e finishit i pari.
Ai u shpall kampion i Ballkanit për veteranët në atletikë në vitin 2021. Ai fitoi vendin e parë në garën 5000 metra me rezultatin 24 minuta, 31 sekonda, në një kampionat ballkanik të zhvilluar në Korçë. Ai është marathonomak aktiv në Shqipëri edhe pse në moshë të madhe.
Megjithatë, ajo që e bën atë vërtetë të veçantë nuk është vetëm titulli i kampionit, por përulësia dhe dëshira për të vazhduar përpara. Ai e di se çdo garë është një sfidë e re dhe se suksesi kërkon punë të pandërprerë. Për të, maratona nuk është thjesht një sport, por një mënyrë jetese për shëndetin.
Maratona, një garë prej 42.195 kilometrash, kërkon përgatitje të gjatë dhe sakrifica të mëdha. Për një atlet të tillë si Serveti, suksesi nuk erdhi brenda natës, por është rezultat i viteve të stërvitjes intensive dhe përkushtimit të vazhdueshëm.
Serveti është shembull frymëzimi për shumë njerëz, duke treguar se me punë të palodhur dhe këmbëngulje, çdo qëllim mund të arrihet.
Duke shkruar për këtë sportist të nivelit të lartë, nuk ka si të mos më kujtohet poema
“Rent, o Marathonomak”, shkruar nga Fan Stelian Noli:
“Rent, o rent,
rent e u thuaj,
se u çthur ordi e huaj,
se betejën e fituam
dhe qytetin e shpëtuam.
Rent, o rent,
rent, o Marathonomak!”
Kjo poemë tregon historinë legjendare të dërguesit të Athinës që vrapoi nga fusha e betejës së Maratonës drejt Athinës për të njoftuar fitoren mbi ushtrinë persiane. Përmes imazheve të fuqishme dhe ritmit të ndezur, Noli përshkruan vrapimin e lodhshëm të luftëtarit të plagosur, i nxitur nga detyra dhe guximi. Historia e maratonës daton në vitin 1896.
Serveti vrapon, vrapon… ndryshe nuk mund ta kuptosh dhe ta dallosh nga të tjerët. Ai të kujton Simone Biles, sportisten e famshme amerikane me 11 medalje olimpike dhe 30 medalje të Kampionatit Botëror, që thotë:
“Të dal në garë dhe të provoj se çfarë mund të bëj, më ka mësuar shumë për atë që jam. Ne mund të shtyjmë veten më tej. Ne gjithmonë kemi më shumë për të dhënë.”
Ja kështu e kujtova në këto netë pranverore marsi, të cilat janë një botë tjetër. Ato më kujtojnë netët mezhgoranse, ku yjet binin më afër nga qielli, si të donin të të tregonin se universi është mik, jo largësi.
Me krenari them se Servet Bani, ky bir i denjë i Mezhgoranit, është legjendë e sportit të maratonës, është histori suksesi që frymëzon.