21 Maj, 2026

Samir Mane, oligarku që “komandon” Shqipërinë: Si e ka blerë heshtjen e SPAK dhe medias?

 Samir Mane, oligarku që “komandon” Shqipërinë: Si e ka blerë heshtjen e SPAK dhe medias?

Nëse vitet ’90 ishin vitet e kaosit dhe skemave piramidale, dekadat e fundit janë padyshim vitet e konsolidimit të një kaste të majmur nëpëmjet shndërrimit të pasurisë kombëtare në pronë private

Miti i “self-made man” në Shqipëri fsheh pas një të vërtetë të hidhur. Pasuria e madhe në këtë vend nuk ka ardhur nga gara e ndershme, por nga afërsia me vendimmarrjen politike. Kamja e një grushti individësh me të njëjtat tipare nuk është produkt i ndonjë gjenialiteti tregtar në vakum. Është pjella e shëmtuar e një simbioze kirurgjikale me politikën.

Ka një emër, i cili është metonimia e një sistemi që ka prodhuar  pabarazinë më ulëritëse në Europë: Samir Mane. Analiza e portofolit të tij, të çon gjithandej në gjurmët e pasurisë publike, nga minierat e kromit në Bulqizë, te tokat e lakmuara në bregdetin e Jugut.

Sa përfiton shoqëria shqiptare nga shfrytëzimi i këtyre pasurive kombëtare kundrejt fitimit që nxjerr një individ i vetëm?

Ky cikël shkrimesh që nis sot në DITA nuk synon thjesht portretizimin e një individi, por anatominë e një sistemi që prodhon varfëri në një vend të pasur.

—-

Mane është arkitekti i “getove të luksit”, komplekseve rezidenciale ku mblidhen ata që kanë zhytur duart në paranë publike për t’u izoluar nga pluhuri dhe zhurma e Shqipërisë që vetë kanë krijuar.

Ndërsa zoti Mane ngre mure rrethues për të mbrojtur qetësinë e ‘elitës së re’, Shqipëria përtej atyre mureve vazhdon të rrjedhë e të zbrazet. Në këtë kontrast fshihet një ironi therrëse. Njeriu që solli i pari shërbëtorë nga Filipinet për oborrin e tij, duket se ka skicuar edhe ‘zgjidhjen’ për kombin. Thuhet se kur ikja masive e shqiptarëve filloi të trondiste themelet e tregut, ishte pikërisht Mane ai që i ofroi Ramës, vizitor i rregullt i darkave të tij, recetën e zëvendësimit: Të rinjtë tanë që ikin, të mbulohen me punëtorë nga Azia e largët. Një model që nisi si tekë private luksi, u shndërrua në strategji kombëtare.

A nuk është ky një cikël i përsosur i cinizmit absolut? Sistemi me stomak të ngopur por me shpirt të shkretuar që ai përfaqëson, fillimisht e kthen atdheun në një hapësirë të pajetueshme për të rinjtë, duke i dëbuar ata me forcën e padukshme të pamundësisë. Pasi ata ikin, po ky sistem, i zëvendëson me qenie që nuk e njohin gjuhën, që nuk kanë kujtesë. Nuk është thjesht migrim.

Është edhe zëvendësim i rebelimit të atyre që ikën me heshtjen e atyre që vijnë. Qytetari me kërkesë llogarie ndërrohet me skllavin pa gjuhë.

Kush mendon se është e tepërt të lidhësh Manen me largimin masiv të rinisë nga vendi, e ka gabim. Të rinjtë shqiptarë ikin sepse e ndjejnë (edhe nëse nuk e artikulojnë) se në një vend ku suksesi është i rezervuar për një kastë të mbyllur, aftësitë e tyre nuk vlejnë asgjë përballë lidhjeve nepotike dhe politike të oligarkisë.

​Por le të qëndrojmë te përqendrimi i pasurisë në pak duar. Kjo përkthehet në mënyrë të pashmangshme në fuqi politike. Dosja në SPAK, me të cilën do t’ju njohim në ditët në vijim, është vetëm maja e ajsbergut të një marrëdhënieje korruptive ku pronat dhe vilat shkëmbehen nga Mane me favore ligjore.

Është e qartë pse ai ka fuqinë të diktojë ligjet dhe të blejë heshtjen mediatike. Po si e bleu mosveprimin e SPAK?

Emri i tij dhe i bashkëshortes kanë dalë qartazi gjatë hetimit dhe përgjimeve të çiftit Meta-Kryemadhi. Sipas nenit 260 të Kodit Penal (për të cilin akuzohet Meta), korrupsioni është një marrëdhënie dypalëshe. Është një që jep (ose premton) dhe një që merr (ose pranon premtimin). Nëse SPAK thotë se Meta ka kryer korrupsion duke pranuar një vilë nga Mane, ligjërisht Mane është personi që ka ofruar ryshfetin.

Nëse jo si i pandehur, përse nuk u thirr as si dëshmitar?

Është një nga episodet që vërteton se përqendrimi i pasurisë nuk ka ardhur nga shitja e televizorëve, por nga blerja e ligjeve. Por nuk është më i rëndësishmi.

Si fillim kemi një pyetje publike për z.Mane, të cilën po e adresojmë edhe në rrugë zyrtare:

– Z Mane, a mund të shpjegoni publikisht natyrën dhe qëllimin e 14 transfertave financiare që, sipas të dhënave, kanë kaluar nga Tirana drejt Beogradit dhe më pas drejt Arabisë Saudite? Cilat kompani apo struktura janë përfshirë në këtë zinxhir dhe për çfarë shërbimesh apo marrëveshjesh konkrete bëhet fjalë?

– A kanë këto transferta lidhje me investime specifike të grupit tuaj, apo me marrëdhënie të palëve të treta? Dhe a janë deklaruar plotësisht pranë autoriteteve fiskale dhe bankare shqiptare? (DITA)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *