Rusia grumbullon 6,200 dronë kamikazë
Forcat ruse kanë grumbulluar rreth 6 mijë e 200 dronë kamikazë “Geran” të llojeve të ndryshme, sipas të dhënave të inteligjencës ushtarake të Ukrainës (GUR), të raportuara nga media ukrainase Militarnyi.
“Geran” është një dron sulmues rus me rreze të gjatë veprimi, i bazuar në modelin iranian “Shahed”.
Rusia fillimisht mori furnizime të vazhdueshme me dronë “Shahed” nga Irani pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, përpara se të ngrinte prodhimin e tyre brenda vendit.
Sipas raportimit, Rusia zakonisht krijon rezerva të mëdha dronësh përpara sulmeve të mëdha. Në të njëjtën kohë, numri i dronëve me rreze të gjatë të lëshuar kundër Ukrainës ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
Sulmet më të mëdha ruse mund të përfshijnë nga 600 deri në 1 mijë dronë. Gjatë periudhave kur forcat ruse janë duke rimbushur rezervat, zakonisht lëshohen rreth 150-200 dronë për sulm, ndërsa në raste të caktuara numri arrin në 300.
Një nga sulmet më të mëdha me dronë kundër Ukrainës gjatë vitit 2026 u zhvillua në maj. Forcat ruse lëshuan 1 mijë e 560 dronë brenda 24 orëve, më 13 dhe 14 maj. Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, forcat ukrainase interceptuan 94% të tyre.
Të dhënat ditore të Forcave Ajrore të Ukrainës tregojnë se përdorimi rus i dronëve me rreze të gjatë u rrit ndjeshëm gjatë pranverës. Rusia lëshoi rreth 4 mijë e 450 dronë në janar, ndërsa në maj numri arriti rekordin prej 8 mijë e 150.
Gjatë verës, ritmi ka rënë përsëri. Në korrik, forcat ruse lëshuan afro 5 mijë dronë.
Që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë, Rusia ka përmirësuar ndjeshëm edhe aftësitë e dronëve të saj me rreze të gjatë.
Modifikimi më i fundit, “Geran-5”, të cilin Rusia nisi ta përdorte kundër Ukrainës gjatë vitit 2026, mban një ngarkesë luftarake prej 90 kilogramësh, ka rreze veprimi rreth 950 kilometra dhe mund të arrijë shpejtësi deri në 600 kilometra në orë, sipas GUR-it.