Rumania gati t’i paguajë ushtarët amerikanë, që mos të largohen nga vendi
Rumania është e gatshme të paguajë Shtetet e Bashkuara për të ruajtur praninë e trupave amerikane në territorin e saj, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton reduktimin e dislokimeve ushtarake në Evropë.
Në një intervistë për Financial Times, presidenti rumun Nicușor Dan deklaroi se Bukureshti i ka propozuar Washingtonit një marrëveshje për ndarjen e kostove të pranisë ushtarake amerikane, duke ndjekur një model të ngjashëm me atë të Polonisë.
“Ne duam më shumë trupa amerikane dhe kapacitete më të mëdha goditëse”, tha Dan.
Sipas presidentit rumun, propozimi përfshin shifra konkrete lidhur me numrin e trupave dhe mënyrën e ndarjes së shpenzimeve.
Aktualisht, në Rumani ndodhen 1 mijë e 172 ushtarë amerikanë, nga rreth 1 mijë e 700 më parë.
Zyra e presidentit la të kuptohej se Bukureshti po shqyrton një ofertë financiare të ngjashme me atë të Varshavës, e cila ka propozuar 15 mijë dollarë në vit për çdo ushtar amerikan të vendosur në bazën e planifikuar “Fort Trump”.
Propozimi rumun vjen pas vizitës së nënsekretarit amerikan të Mbrojtjes, Elbridge Colby, në Poloni dhe Rumani, dy vendet më të populluara të krahut lindor të NATO-s.
Colby ka mbështetur më parë një prani ushtarake amerikane më të kufizuar dhe më të përqendruar në Evropë, ndërsa Pentagoni, nën drejtimin e Pete Hegseth, ka paralajmëruar vazhdimisht mundësinë e reduktimit të forcave në kontinent.
Ndryshe nga Rumania, Polonia strehon aktualisht rreth 10 mijë ushtarë amerikanë, të shpërndarë në një duzinë vendndodhjesh.
Varshava po kërkon ndërtimin e një baze të përhershme amerikane, ndërsa ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, deklaroi se kishte marrë sinjale pozitive nga Hegseth për projektin.
Për Rumaninë, ruajtja e pranisë amerikane lidhet drejtpërdrejt me kërcënimin rus në rajonin e Detit të Zi.
“Ne e kuptojmë kërcënimin nga Rusia dhe e kuptojmë se si lufta në Ukrainë kërcënon sigurinë tonë”, deklaroi Dan.
Gjatë luftës, dronë rusë kanë rënë disa herë në territorin rumun, ndërsa anije tregtare janë goditur pranë brigjeve të vendit.
“Rusët po përpiqen të ndryshojnë mentalitetin e vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën”, tha presidenti rumun.
Ai shtoi se Bukureshti synon të forcojë mbrojtjen në Detin e Zi përmes pajisjeve shtesë dhe përgatitjes më të mirë, por pa përshkallëzuar tensionet.
Rumania po e rrit gradualisht buxhetin e mbrojtjes, megjithëse deficiti i lartë publik e pengon të arrijë nivelin e shpenzimeve të Polonisë, që tashmë i afrohet 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.