Rikthimi i “Portës së Lartë” në Ballkan!
Nga Francesco Narcisi
Prania turke në Ballkan nuk është një zhvillim i ri. Rrënjët e saj shkojnë pas në kohë, te pushtimi osman i gadishullit, që e vendosi pjesën më të madhe të rajonit nën sundimin e Stambollit për rreth pesë shekuj.
Shoqëria osmane në Ballkan ishte organizuar mbi sistemin e miletit, ku përkatësia fetare luante një rol të rëndësishëm në organizimin shoqëror. Kjo trashëgimi la pas një prani të gjerë të islamit në rajon.
Konvertimi në Islam nuk ishte gjithmonë dhe vetëm rezultat i detyrimit. Ai u lehtësua edhe nga politika ekonomike, të sigurisë dhe punësimit që favorizonin të konvertuarit. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX, Turqia republikane i kushtoi relativisht pak vëmendje Ballkanit.
Kjo ishte në përputhje me doktrinën kemaliste, e cila synonte shkëputjen nga trashëgimia perandorake dhe orientimin drejt Perëndimit. Situata nisi të ndryshojë në fund të shekullit të kaluar. Ish-presidenti dhe kryeministri turk Turgut Özal ishte ndër të parët që përdori termin “neo-otomanizëm”, duke hedhur bazat për një qasje të re ndaj hapësirave që dikur kishin qenë pjesë e Perandorisë Osmane.
Por kthesa më e madhe erdhi me ngjitjen në pushtet të AKP-së së Recep Tayyip Erdoğan dhe me doktrinën e “thellësisë strategjike”, të formuluar nga ish-Ministri i Jashtëm Ahmet Davutoğlu. Në këtë kuadër, Ballkani rifitoi një rëndësi të veçantë në politikën e jashtme turke.
Një prej instrumenteve kryesore për zgjerimin e ndikimit turk është feja islame. Në disa prej shteteve të Ballkanit prania myslimane është veçanërisht e madhe. Në Kosovë përbën shumicën dërrmuese të popullsisë, ndërsa në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjithashtu, myslimanët boshnjakë përbëjnë një nga komunitetet kryesore të vendit. Në këtë hartë, Shqipëria zë një vend të veçantë. Turqia, përmes Agjencisë Shtetërore për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA, financon ndërtimin dhe restaurimin e xhamive dhe objekteve të tjera me trashëgimi osmane.
Një prej shembujve më të njohur është xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, një nga monumentet e rëndësishme të arkitekturës osmane në Ballkan. Një tjetër instrument i Ankarasë është Diyanet, Presidenca e Çështjeve Fetare të Turqisë.
Rëndësia e këtij institucioni në politikën e jashtme turke është rritur gjatë viteve, çka tregon edhe peshën gjithnjë e më të madhe që feja islame ka marrë në projeksionin ndërkombëtar të Turqisë. Feja është përdorur gjithashtu në përplasjen e Ankarasë me lëvizjen Hizmet, të lidhur me Fethullah Gülenin, kundërshtarin kryesor të Erdoğan, i cili ndërroi jetë në vitin 2024.
Që nga fillimi i viteve 1990, Hizmet ishte shndërruar në një kanal joqeveritar të ndikimit kulturor dhe fetar turk në Ballkan, duke ngritur një rrjet shkollash dhe qendrash kulturore.
Lëvizja promovonte një formë të islamit të moderuar dhe apolitik, por njëkohësisht të organizuar dhe të strukturuar.
Pas grushtit të shtetit të dështuar në Turqi në vitin 2016, të cilin autoritetet turke ia atribuuan rrjetit të Gülenit, Hizmet u shpall organizatë terroriste nga Ankaraja. Që prej atëherë, hapësirat ku ajo kishte ndërtuar ndikim në Ballkan, u konsideruan nga qeveria turke si një kërcënim.
Në këtë kuadër u rritën edhe investimet turke në institucionet fetare dhe u forcua përdorimi i Diyanet në rajon. Sipas këtij interpretimi, kjo ka ndihmuar në dobësimin e ndikimit të Hizmetit, megjithëse rrjeti i saj nuk është zhdukur plotësisht.
Por ndikimi turk në Ballkan nuk kufizohet te feja. TIKA është një prej instrumenteve kryesore përmes të cilit Ankara ndërton praninë e saj në shoqëritë e rajonit. Aktiviteti i saj shtrihet nga restaurimi i objekteve të trashëgimisë osmane deri te arsimi, ku përfshihen ndërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave, trajnimi i mësuesve dhe financimi i bursave. Bashkëpunimi shtrihet edhe te administratat publike. Turqia ofron programe trajnimi për nëpunës, mbështetje për menaxhimin administrativ dhe investime në sektorin shëndetësor. Në rajon janë financuar rikonstruksione spitalesh, klinikash dhe repartesh, si dhe trajnime për mjekë e infermierë dhe furnizime me barna e pajisje mjekësore.
Edhe bujqësia është pjesë e kësaj politike. TIKA financon kooperativa bujqësore, programe për modernizimin e prodhimit dhe projekte që synojnë të mbështesin komunitetet rurale.
Në frontin kulturor vepron Instituti Yunus Emre, i pranishëm në vende të ndryshme të Ballkanit, nga Serbia deri në Maqedoninë e Veriut.
Instituti është një prej mjeteve të diplomacisë kulturore turke, përmes të cilit promovohen gjuha, historia dhe kultura e Turqisë, organizohen shkëmbime kulturore dhe krijohen lidhje sociale mes Ankarasë dhe komuniteteve të rajonit.
Një tjetër kanal ndikimi është industria e argëtimit dhe informacionit. Serialet turke janë bërë një produkt mediatik i përhapur në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Sipas Asamblesë së Eksportuesve Turq, serialet turke shiten në rreth 170 vende të botës.
Vlera e eksporteve të këtij sektori ishte rreth 600 milionë dollarë në vitin 2023 dhe arriti në rreth 1 miliard dollarë në vitin 2024. Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, ka deklaruar se rreth 800 milionë shikues në mbarë botën ndjekin serialet turke.
Vendet e Ballkanit janë ndër tregjet e rëndësishme për këto produkte televizive, filmike dhe informative. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu dhe televizioni publik TRT kanë krijuar përmbajtje të dedikuara për rajonin.
TRT Balkan transmeton lajme dhe programe në gjuhët e Ballkanit, ndërsa serialet dhe filmat turq janë bërë një prej produkteve më të konsumuara mediatike në rajon. Këto produkte nuk shërbejnë vetëm për argëtim. Ato mund të përcjellin edhe vlera tradicionale turko-islamike dhe të ndërtojnë një imazh pozitiv të trashëgimisë osmane.
Për shembull, seriali “Muhteşem Yüzyıl”, e vendos historinë e Perandorisë Osmane në qendër të një produkti kulturor masiv, duke krijuar një lidhje simbolike mes Turqisë së sotme dhe së kaluarës perandorake.
Një tjetër shtyllë e pranisë turke është bashkëpunimi ushtarak. Vetëm gjatë vitit 2024, Ankaraja nënshkroi marrëveshje të reja të sigurisë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Ritmi i shpejtë i ratifikimit të tyre në parlamentin turk, shihet si tregues i rëndësisë që Turqia u kushton këtyre marrëveshjeve.
Pas ratifikimit dhe publikimit të marrëveshjeve, forcat e armatosura turke mund të lidhin drejtpërdrejt marrëveshje me homologët e tyre në vendet e Ballkanit, pa pasur nevojë për procedura të tjera parlamentare. Këto zhvillime kanë shkaktuar edhe reagime në Athinë. Greqia i ka interpretuar disa prej tyre në kontekstin e doktrinës turke të “Atdheut Blu”, duke i parë si pjesë të një politike më të gjerë të Ankarasë për zgjerimin e ndikimit të saj rreth territorit grek. Në marrëdhëniet me Shqipërinë, bashkëpunimi në fushën e sigurisë përfshin pothuajse të gjitha aspektet e mbrojtjes.
Ndër pikat kryesore janë trajnimi i oficerëve shqiptarë në akademitë ushtarake turke, stërvitjet e përbashkëta, shkëmbimi i informacionit të inteligjencës dhe rritja e blerjeve të sistemeve të armatimit të prodhuara në Turqi. Me rëndësi është edhe bashkëpunimi në fushën e hartografisë dhe hidrografisë.
Ky bashkëpunim, mund të lidhet edhe me mënyrën se si Turqia koncepton shtrirjen e zonave të juridiksionit detar. Marrëdhëniet ushtarake mes dy vendeve përfshijnë gjithashtu rinovimin e marrëveshjeve për përdorimin e instalacioneve ushtarake nga Turqia, përfshirë portin e Pashalimanit.
Baza detare në Adriatik ka një rëndësi të veçantë për Marinën Turke, e cila e konsideron praninë e saj aty si të lidhur me interesat e sigurisë kombëtare. Edhe Kosova zë një vend të rëndësishëm në këtë strategji. Erdoğan e ka përshkruar Kosovën si pjesë të rëndësishme të botës turke.
Në vitin 2013, ai deklaroi se “Turqia është Kosova dhe Kosova është Turqia”, një frazë që u bë simbol i afërsisë politike mes dy vendeve. Marrëveshja e sigurisë e vitit 2024, formalizoi një partneritet që kishte nisur shumë më herët. Që prej marrëveshjes së bashkëpunimit të vitit 2009, Turqia ka trajnuar pjesëtarë të policisë së Kosovës.
Në vitet 2014-2015, programet e trajnimit për njësitë elitare të Kosovës u zgjeruan më tej, ndërsa bashkëpunimi arriti një tjetër nivel me furnizimin me dronë Bayraktar TB2 dhe sisteme të tjera ushtarake. Ky afrim mes Ankarasë dhe Prishtinës, ka shkaktuar reagime në Beograd.
Në tetor 2025, presidenti serb Aleksandar Vučić deklaroi se armatosja e Prishtinës nga Turqia shkel Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe pretendoi se objektivi i Ankarasë ishte destabilizimi i Ballkanit dhe rikrijimi i Perandorisë Osmane.
Më vonë, Vučić i zbuti tonet, duke deklaruar se Serbia është “shumë e vogël për të kërcënuar një fuqi të madhe” si Turqia, ndërsa e cilësoi Erdoğan si mik dhe “lider të madh”.
Kontrasti është domethënës, sepse Turqia është njëkohësisht partner i rëndësishëm ekonomik i Serbisë.
Në vitin 2024, eksportet turke drejt Serbisë arritën në 2.69 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi i nivelit të vitit 2020, ndërsa investimet turke në vend arritën rreth 400 milionë dollarë. Kjo tregon se politika turke në Ballkan nuk funksionon përmes një boshti të vetëm.
Ankaraja mund të ketë marrëdhënie të ngushta me Kosovën dhe Shqipërinë, ndërkohë që ruan lidhje të rëndësishme ekonomike dhe politike edhe me Serbinë. Në tërësi, prania turke në Ballkan është shumëdimensionale. Ajo shtrihet nga feja dhe trashëgimia historike te arsimi, shëndetësia, bujqësia, kultura, media, tregtia, aviacioni dhe bashkëpunimi ushtarak. Edhe lidhjet ajrore janë pjesë e këtij rrjeti. Turkish Airlines dhe Pegasus lidhin aeroportet kryesore të Ballkanit me Turqinë dhe, përmes Stambollit, me pjesën tjetër të botës. Kjo krijon një tjetër kanal të rëndësishëm të lidhjeve ekonomike, njerëzore dhe kulturore.
Në këtë kuptim, rikthimi i Turqisë në Ballkan nuk është thjesht një histori nostalgjie për Perandorinë Osmane. Është një politikë e ndërtuar mbi një kombinim të ndikimit kulturor dhe ekonomik me instrumente më të drejtpërdrejta të fuqisë shtetërore dhe të sigurisë.
Për Ankaranë, historia, feja, ekonomia, kultura dhe siguria nuk janë fusha të ndara.
Ato funksionojnë së bashku si pjesë e një strategjie për të konsoliduar një rol të qëndrueshëm të Turqisë si fuqi rajonale në Ballkan.