14 Korrik, 2026

Revolucioni i reputacionit

 Revolucioni i reputacionit

Nga Klementin Mile

Fushata e review-ve negative të këtyre ditëve të fundit nuk duhet lexuar si bojkot ndaj disa bizneseve. Në të vërtetë, objekti i sulmit nuk janë bizneset, por fijet që lidhin pushtetin me paranë në vendin tonë.

Për herë të parë në Shqipëri po shfaqet një ide politike e re: nëse institucionet nuk arrijnë, ose nuk duan, të ndëshkojnë ata që protestuesit i konsiderojnë elita ekonomike e lidhur me pushtetin, atëherë qytetarët e kalojnë ndëshkimin nga gjykata te reputacioni.

Kjo është risia.

Review nuk është më vlerësim konsumatori, por shndërrohet në instrument presioni politik. Reputacioni bëhet formë e re pushteti.

Pikërisht këtu lind edhe konflikti me Policinë e Shtetit. Për institucionet, legjitimiteti për të ndëshkuar buron nga ligji dhe procedura. Për protestuesit, buron nga ndërgjegjja qytetare dhe dështimi i institucioneve.

Prandaj, beteja e vërtetë nuk është për komentet në Google apo platformat turistike.

Beteja është më radikale.

KUSH KA TË DREJTËN TË PRODHOJË DREJTËSI NË EPOKËN DIXHITALE?

Institucionet, përmes ligjit?

Apo qytetarët, përmes reputacionit?

Kjo pyetje e bën këtë protestë të ndryshme nga gjithë protestat e mëparshme. Konflikti nuk ndodh më vetëm në rrugë e në sheshe. Ai përfshin algoritme, reputacion dhe perceptim publik.

Ky është kalimi nga protesta fizike te protesta algoritmike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *