Rama u tregon burgun fëmijëve, tre javë pasi ndryshoi ligjin për të shmangur arrestimin e zyrtarëve të korruptuar
Nga Migena Aleksi
Paralajmërimi i fundit i kryeministrit Edi Rama për uljen e moshës së përgjegjësisë penale për nxënësit që marrin pjesë në protestat kundër tij është një akt i pacipë. Kryeministri përmendi BE-në prapë, por kjo do jetë ndonjë BE që njeh vetëm ai. Në BE-në që njeh bota, ndërtohen shkolla më të sigurta, qendra rinore, sisteme rehabilitimi, hapësira ku brezi i ri dëgjohet, nuk përgatiten pranga për fëmijët.
Por mesazhi synon frikësimin. Nëse je nën 18 vjeç dhe del në shesh të protestosh për të drejtat e tua, për arsimin apo për të ardhmen tënde, shteti do të të trajtojë si kriminel. Hekurat e qelisë gati për fëmijët – thotë “kryesocialisti’ i vendit, por kjo është vetëm gjysma e faqes së këtij turpi publik.
Ndërsa ndaj fëmijëve thotë se po përgatitet dora e hekurt e shtetit, ndryshimet e fundit ligjore në Kodin e Procedurës Penale, të prezantuara vetëm 3 javë më parë, nga vetë Rama, me vendosjen e pragut 5 vjeçar garantojnë mekanizmat e heqjes së burgimit, zbutjes së dënimeve dhe u hapin rrugën e lirisë zyrtarëve të korruptuar.
Për këta zyrtarë të lartë, drejtorë dhe politikanë që kapen me duar në thesin e parave publike, ligji papritur bëhet i butë, i kuptueshëm dhe “human”. Për ta nuk ka më burg. Ka shërbim prove, dënime me kusht dhe amnistira që i kthejnë prapë në komoditetin e vilave ku jetojnë.
Revolta rinore dënohet, korrupsioni shtetëror fshihet nën tapet. Të pafuqishmit ndëshkohen me me rreptësi extreme, ndërsa të pushtetshmit mbrohen me nene e paragrafe të qepura sipas masës. Fëmijët në burg, hajdutët në liri. Periferia dhe qendra sipas “kryesocialistit”.
Si për të vulosur këtë teatër të dyfishtë, pikërisht sot vendi u përball me sprovën e radhës të këtij “standardi të ri”. Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u la sërish e lirë, ndonëse mbi të rëndojnë akuza tronditëse për korrupsion, pastrim parash dhe manipulimin e tenderave publikë që kapin vlerën stratosferike të 1.2 miliardë eurove.
Ndërsa për pushtetarët që tjetërsojnë miliardat e shqiptarëve shteti gjen hapësira ligjore, toleranca proceduriale-hetimore e zgjatje afatesh, për fëmijët e adoleshentët që dalin në rrugë kundër pamundësisë dhe varfërisë, i njëjti kryeministër gjen kurajon të artikulojë prangat, qelitë e burgut dhe uljen e moshës penale.
Kjo është provë e qartë se si pushteti e përdor drejtësinë si mburojë për vetveten dhe si kamzhik për qytetarët. Ky standard i dyfishtë po e kalb këtë shoqëri nga brenda. Një shtet që lufton fëmijët që protestojnë dhe fal zyrtarët që vjedhin është një regjim spurdhjakësh. Kurrë një shoqëri nuk mund të përparojë kur drejtësia tregon grushtin ndaj më të dobëtve dhe u ofron dorën e ngrohtë të mbrojtjes për ata që e kanë kthyer shtetin në pronë private.