Rama sulmoi Goxhajn: Po sikur ky të ketë qenë plani që në fillim?
Nga Klementin Mile
Pse protesta zgjodhi pikërisht Dritan Goxhajn për të lexuar kërkesat e saj?
Në pamje të parë, duket zgjedhje e çuditshme.
Sepse Goxhaj është figurë që vjen me shumë polemika, shumë kundërshtarë dhe shumë plagë publike të vjetra. Dhe pikërisht për këtë arsye, Rama e kishte të lehtë ta sulmonte menjëherë si mercenar, si agjent iranian, si antisemit, si ekstremist, duke i mohuar kontributin patriotik për UÇK-në.
Por ndoshta protesta nuk e zgjodhi Goxhajn për biografinë, po për simbolikën e tij.
Sepse në çdo konflikt vjen momenti kur beteja nuk zhvillohet më vetëm për faktet. Por fillon të zhvillohet rreth figurave që mishërojnë konfliktin.
Dhe Goxhaj, pavarësisht dritëhijeve të tij, përfaqëson një figurë që prej vitesh ka qenë në përplasje me pushtetet, institucionet dhe narrativat dominante.
Pra nuk përfaqëson domosdoshmërisht figurën e konsensusit.
Por atë të rezistencës.
Problemi është se kjo lloj zgjedhjeje ka gjithmonë kosto.
Sepse në momentin që mesazhi lidhet me një figurë të debatueshme, pushteti nuk sulmon më mesazhin.
Sulmon figurën.
Nuk debatohet më për kërkesat.
Debatohet për biografinë.
Nuk flitet më për Zvërnecin.
Flitet për Goxhajn.
Dhe kjo është arsyeja pse reagimi i Ramës ishte i menjëhershëm.
Sepse ai e kuptoi që beteja nuk fitohet duke rrëzuar argumentet e protestës, por duke ndryshuar objektin e debatit.
Nga kërkesat te personi.
Nga çështja te biografia.
Nga protesta te polemika.
Prandaj sot nuk duhet të pyesim pse u zgjodh Dritan Goxhaj.
Në fakt, pyetja është tjetër:
A e përdori protesta Goxhajn si ZËDHËNËS të saj?
Apo e përdori si RRUFEPRITËS, në mënyrë që të gjitha goditjet e sistemit të binin mbi një njeri, ndërsa vetë kërkesat të qëndronin në këmbë?