Rama shet Ballukun: Ta zgjidhë vetë çështjen me drejtësinë, unë nuk e mbroj dot
Kryeministri Edi Rama u shpreh se ish zëvendësja e tij, Belinda Balluku, ka një çështje me drejtësinë, dhe se ai në lidhje më këtë nuk ka komentuar, por vetëm mbi standardin dhe parimin.
Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, Rama u shpreh se në këtë çështje me drejtësinë, nuk e mbron askush dhe se Balluku mbron veten e vet.
“Balluku ka një çështje me drejtësinë, në atë çështje unë nuk kam thënë asgjë, është i njëjti standard, nuk kam folur as për çështjen e Beqajt për të cilin pres të shoh ku është korrupsioni, pres ta shoh, nuk e kam parë akoma.
Kam folur vetëm për çështje të parimit dhe standardit, kështu që ajo ka një çështje me drejtësinë aty as unë dhe askush nuk e mbron, aty ajo mbron veten e vet për sa i takon të mbrojë veten e vet”, tha Rama.
Në intervistën për gazetaren Rudina Xhungën në podcastin “Flasim”, Rama tha se në këtë rast nuk u sfidua ai personalisht, por Kushtetuta dhe ndarja e pushteteve. Sipas tij, nëse prokurorëve do t’u jepej e drejta të pezullonin ministrat, do të cenohej sistemi që po ndërtohet.
“Në rastin e Belinda Ballukut u faturua shumë keq një gjë tjetër që nuk kishte lidhje me të. U prodhua një masë absurde, e pandodhur në historinë e botës: pezullimi i ministrit nga detyra. Prokurori dhe gjykatësi u bashkuan bashkë në një dhomë dhe vendosën që të bëjnë kryeministrin, Parlamentin, presidentin.
Nuk u sfidova unë. U sfidua Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe u sfidua një pushtet i pavarur. Ata janë pushtet i pavarur dhe ne jemi pushtet i pavarur. Çfarë do të thotë? Ne nuk jemi të pavarur nga ligji, ne zbatojmë ligjin.
Ata janë atje të pavarur nga ne që të kontrollojnë zbatueshmërinë e ligjit në raport me interesin publik. Por ata nuk janë të pavarur që të vendosin për ne. Ata janë të pavarur për të vendosur sanksione penale për ne në rastin nëse ne shkelim ligjin. Aty është vija e kuqe e pushteteve.
Nëse do t’u jepej prokurorëve e drejta të pezullonin ministrat, do të orvatej SPAK-u, do të prishej gjithë ajo që po mundohemi të ndërtojmë. SPAK-u hyri në territorin tim si kryeministër dhe në territorin tonë si shumicë parlamentare që ka votuar qeverinë dhe në territorin e Presidentit që ka dekretuar ministrat. Pra nuk ka lidhje me personin. Çdo ministër, nëse do të pezullohej, unë do të mbaja po atë qëndrim”, tha Rama.