11 Shtator, 2026

Rama nuk është më karta e vetme e Amerikës në Shqipëri

 Rama nuk është më karta e vetme e Amerikës në Shqipëri

Nga Klementin Mile

Në deklaratat e javëve të fundit të Ambasadës amerikane në Tiranë vihet re një detaj:

Amerika nuk flet thuajse fare për Ramën, por flet për Shqipërinë.

Për ushtrinë. Për NATO-n. Për 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Për drejtësinë. Për SPAK-un. Për luftën kundër krimit të organizuar. Për sigurinë. Për bizneset amerikane. Për profesionistët shqiptarë që trajnohen në Shtetet e Bashkuara.

Kjo nuk duket si fushatë për rrëzimin e Kryeministrit shqiptar.

Por as si mbështetje personale për të.

Në fakt, Uashingtoni po forcon institucionet e shtetit shqiptar, ndërkohë që krijon gradualisht më shumë kufizime për mënyrën e ushtrimit të pushtetit.

SPAK është ndoshta simboli më i qartë. Kur Amerika e vendos SPAK-un në qendër të luftës globale kundër krimit të organizuar, nuk mbështet thjesht një institucion shqiptar. Amerika i jep atij një burim legjitimiteti që nuk varet vetëm nga politika e Tiranës.

Edhe 302 milionë dollarët për mbrojtjen kanë kuptim të dyfishtë. Shqipëria fiton kapacitete, ndërsa Amerika ndikim dhe ndërvarësi strategjike.

Dhe pastaj Berisha.

Hapja e derës amerikane për të, nuk do të thotë automatikisht se Uashingtoni e ka zgjedhur Berishën si alternativë të Ramës. Por, do të thotë se monopoli i marrëdhënieve politike amerikano-shqiptare me një lider, po dobësohet.

Kjo duhet kuptuar si opsionalitet politik.

Po të kishte Amerika në plan të rrëzonte Ramën, sinjalet do të ishin shumë më të direkte:

Delegjitimim publik.

Presion për dorëheqje.

Mbështetje të qartë për protestën.

Angazhim intensiv krah opozitës.

Nuk i kemi parë këto.

Çka po shohim deri tani, është më e sofistikuar.

Rama mund të mbetet partner i Amerikës.

Por, partneriteti, po bëhet gjithnjë e më pak personal.

Dhe kjo, për liderin e një vendi të vogël, mund të jetë shumë më e rëndësishme se një deklaratë kundër tij.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *