Rama “këput” shoferët, taksë të re për çdo makinë që përdor rrugët kombëtare
Një skemë e re tarifimi për përdorimin e rrugëve kombëtare po merr formë në Kuvendin e Shqipërisë.
Përmes një projektligji të propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste Andi Qose, parashikohet heqja e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin, prej 27 lekësh për litër, nga 1 janari 2027, dhe zëvendësimi i saj me një tarifë të re: vinjetën.
Nisma ligjore, synon të ndryshojë mënyrën e financimit të përdorimit të rrjetit rrugor kombëtar, duke vendosur një detyrim të ri për automjetet që qarkullojnë në të.
Kush do të paguajë vinjetën?
Sipas projektligjit, tarifa e re do të zbatohet për automjetet e lehta, autobusët dhe, deri më 31 dhjetor 2029, edhe për mjetet e rënda të transportit të mallrave.
Për automjetet e regjistruara në Shqipëri, pagesa vjetore e vinjetës parashikohet të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Ndërsa automjetet me targa të huaja do të duhet ta blejnë atë në pikat e kalimit kufitar ose përmes platformave online.
Tarifat do të ndryshojnë sipas periudhës së përdorimit
Projektligji parashikon disa kategori vlefshmërie për vinjetën, nga një ditë deri në 365 ditë.
Për secilën prej tyre përcaktohen kufij maksimalë tarifimi, të llogaritur në raport me çmimin vjetor.
Ligji i ri
Projektligji synon transformimin e skemës së tarifimit rrugor, duke e argumentuar atë me heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekë/litër (që nga 1 janari 2027) dhe rishpërndarjen e saj.
Objekti i taksimit: Vinjeta do të zbatohet si tarifë përdorimi e rrjetit rrugor kombëtar për mjetet e lehta, autobusët dhe, përkohësisht deri më 31 dhjetor 2029, edhe për mjetet e rënda të mallrave.
Performanca për mjetet vendase: Për të gjitha mjetet e regjistruara në Shqipëri, detyrimi i vinjetës vjetore do të përfshihet drejtpërdrejt brenda taksës vjetore të mjeteve të përdorura.
Mjetet e huaja: Mjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë do të detyrohen të blejnë vinjetë në pikat e kalimit kufitar apo online.
Elementët e tjerë me rëndësi në këtë nismë
Ndërtimi i një skeme me “tarifë agjenti” dhe fshehja e kostove reale.
Të ardhurat nga vinjeta nuk do të shkojnë të plota në buxhet. Projektligji parashikon që dy institucione — Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) si emetuese dhe “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” sh.a. (EKORR) si shpërndarës/shitës — do të mbajnë paraprakisht një “tarifë agjenti” nga të ardhurat e mbledhura për të mbuluar kostot e tyre operative, mirëmbajtjes dhe sistemeve. Vetëm pjesa e mbetur (neto) do të derdhet në Buxhetin e Shtetit.
Kufijtë maksimalë të tarifimit (Periudhat e vlefshmërisë)
Për mjetet e lehta, vinjeta do të ofrohet ditorë, 10-ditore, 30-ditore dhe vjetore (365 ditë). Projektligji përcakton tavanet si përqindje mbi tarifën vjetore:
Ditore: deri në 9% të tarifës vjetore.
Javore: deri në 11% të tarifës vjetore.
10-ditore: deri në 12% të tarifës vjetore.
Mujore (30-ditore): deri në 19% të tarifës vjetore.
2-mujore (60-ditore): deri në 30% të tarifës vjetore.
Përjashtimet dhe rrugët me koncesion
Segmentet rrugore që janë me koncesion apo PPP (si Rruga e Kombit), si dhe ura apo tunele me tarifa të veçanta, përjashtohen nga rrjeti i vinjetës për të shmangur pagesën e dyfishtë. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave do të përcaktojë reduktime apo përjashtime për mjetet me emetime zero (elektrike/hidrogjen), ato me emetime të ulëta, motomjetet dhe mjetet e regjistruara në shtetet kufitare.
Kamera dhe monitorim nga Policia e Shtetit
Kontrolli i e-vinjetës do të kryhet automatikisht pa ndalur qarkullimin përmes kamerave për leximin e targave të Policisë së Shtetit të lidhura me regjistrat elektronikë të DPSHTRR-së.
Gjobat dhe sanksionet
Përdorimi i rrjetit rrugor pa vinjetë të vlefshme dënohet me gjobë me masën e tarifës së vinjetës mujore për kategorinë përkatëse të mjetit, si dhe me detyrimin për pajisjen e menjëhershme me vinjetë. Kurse për EKORR sh.a., shkelja e detyrimeve sanitare apo mbledhjes dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë.