“Rama dhe ministrat ikin me 20 valixhe jashtë shtetit” – Gazetari ngre pyetjen: Çfarë dërgojnë andej?
Gazetari Robert Papa ka komentuar situatën politike në Shqipëri, protestat e të rinjve dhe përplasjet brenda mazhorancës, gjatë një interviste në podcastin “Ma Shqip me Flamur Vezaj”.
Në bisedë, Papa u shpreh se konfliktet mes figurave politike nuk arrijnë të largojnë vëmendjen e protestuesve, ndërsa hodhi akuza për mënyrën se si funksionon pushteti dhe ngriti dyshime për transportimin e shumave të mëdha parash dhe sendeve me vlerë nga zyrtarë gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
I pyetur nëse përplasja politike po përdoret për të larguar vëmendjen nga protesta, Papa u përgjigj se të rinjtë që dalin në rrugë nuk ndikohen nga zhvillimet televizive dhe debatet mes politikanëve.
“Mirë mo tani, të jem unë në protestë dhe ma heq vëmendjen Erion Veliaj. Aty s’ia hoqi kampionati botëror dhe as prostitutat e Adi Hilës. Ai brez që del atje nuk sheh televizor, këta langaraqet atje, harroje! As deputetët nuk i njeh fare. I ke parë që s’reagojnë hiç”, tha Papa.
Sa i përket heshtjes së deputetëve socialistë, Papa pretendoi se ata nuk kanë pavarësi politike dhe se duhet të tregojnë më shumë dinjitet. “Ata s’janë deputetë. Ata i ka të gjithë dhe mirë bëjnë që s’flasin, po të jenë pak dinjitet, se ata s’janë asgjë, askush. Ai i ka bërë milionere”, u shpreh ai.
Gjatë bisedës, gazetari ngriti edhe akuza të tjera, duke pretenduar se zyrtarë të lartë udhëtojnë jashtë vendit me një numër të madh valixhesh, për të cilat hodhi dyshime se mund të përmbajnë para dhe sende me vlerë.
“Janë njerëzit që punojnë në Rinas. Ore këta dalin jashtë, Rama del me 20 valixhe. Sa herë që del ajo Fico. Ata ministrat ikin në vikend me nga 20 valixhe të gjithë. Çfarë nxjerrin me 20 valixhe?”, tha Papa.