Qyteti që i mbijetoi tërmetit 7.4 ballë
Banorët e Armenisë, në Kolumbinë perëndimore, u përballën me një nga momentet më të frikshme të jetës së tyre, kur një tërmet me magnitudë 7.4 goditi vendin në orët e para të mëngjesit.
Dridhjet rikthyen menjëherë kujtimet e tragjedisë së vitit 1999, kur një tërmet me magnitudë 6.2 shkatërroi rreth 60 për qind të ndërtesave në qytetin e Armenisë dhe shkaktoi afro 1,000 viktima.
Por këtë herë situata ishte krejt ndryshe.
Falë përgatitjes dhe ushtrimeve të zhvilluara rregullisht në qytet, banorët reaguan menjëherë. Disa u pozicionuan pranë shtretërve, duke shpresuar se në rast shembjeje do të krijohej një hapësirë mbrojtëse, ndërsa të tjerë u mbështetën pranë frigoriferëve.
Pas përfundimit të lëkundjeve, banorët pritën sirenat e ambulancave. Por ato pothuajse nuk u dëgjuan.
Tërmeti me magnitudë 7.4, me epiqendër në bregdetin e Paqësorit, shkaktoi shembje të shumta në pjesën perëndimore të Kolumbisë, duke lënë të paktën 285 persona të vdekur dhe mijëra të plagosur. Ekipet e shpëtimit vijuan kërkimet në rrënoja, edhe pse shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po pakësoheshin.
Ndërkohë, Armenia, qytet me rreth 300 mijë banorë dhe vetëm 69 kilometra nga epiqendra, i shpëtoi një katastrofe të ngjashme. Asnjë ndërtesë nuk u shemb, nuk pati nevojë për operacione të mëdha shpëtimi dhe, mbi të gjitha, nuk u regjistrua asnjë viktimë.
Kontrasti ishte i fortë me qytetet përreth. Në Pereira dhe Manizales u raportuan dhjetëra viktima, ndërsa në Cali, e cila ndodhej më larg nga epiqendra se Armenia, numri i të vdekurve arriti të paktën në 95.
Tre vendimet që bënë diferencën
Jahir Rodriguez, i cili në vitin 1999 ishte kreu i planifikimit urban dhe menaxhimit të fatkeqësive në Armeni, i tha gazetës Post se tre vendime rezultuan vendimtare në tërmetin e ri.
Së pari, Armenia u bë një nga qytetet e para në Kolumbi që kreu një studim të detajuar mikrozonal, duke hartuar bllok pas blloku se si toka reagon ndaj një tërmeti.
Së dyti, ndërtimet e reja u ndaluan në tokë të lirshme, të cilat mund të përforcojnë lëkundjet sizmike.
Dhe së treti, u zbatuan kode ndërtimi të rrepta dhe të përditësuara.
Kodi kombëtar i tërmeteve i Kolumbisë, i rishikuar për herë të fundit në vitin 2010, ka një qëllim të qartë: të parandalojë shembjen e ndërtesave dhe të mbrojë jetët njerëzore. Një tërmet i vogël nuk duhet të shkaktojë dëme, ndërsa një shumë i fortë mund të shkaktojë dëme serioze, por jo shembje.
Problemi nuk janë ligjet, por zbatimi i tyre: Ndërtesa të ndërtuara… prej llaçi!
Problemi i madh në Kolumbi, sipas ekspertëve, nuk është cilësia e rregulloreve rezistente ndaj tërmeteve, por shkalla në të cilën ato zbatohen, veçanërisht në ndërtimet arbitrare dhe informale.