27 Tetor, 2026

Qytetarët shprehen të keqardhur për Erion Braçen: Nuk e shohim dot në këtë gjëndje

 Qytetarët shprehen të keqardhur për Erion Braçen: Nuk e shohim dot në këtë gjëndje

Deputeti socialist Erion Braçe ka shpërthyer në lot teksa u kërkonte falje qytetarëve për një ligj që e kishte votuar vetë, por për të cilin ishte kundër.

Duke qarë, ai tha se kishte menduar për ta, kur votoi pro.

Kjo, pasi po të votonte kundër, nuk do ishte më pjesë e Partisë Socialiste dhe nuk do të kishte mundësinë të zgjidhte më hallet e tyre.

Pamjet prekëse kanë tronditur banorët e prekur nga reforma, të cilët kanë kuptuar se gjatë gjithë këtyre viteve kishin menduar vetëm për veten e tyre, pa marrë parasysh pasojat emocionale që ankesat mund t’i shkaktonin deputetit.

Në shenjë solidariteti, banorët kanë vendosur të mos ankohen më për asnjë ligj të miratuar nga Kuvendi.

“Ia bëjmë hallall votën pro Erionit.

Boll e kemi shqetësuar.

Që sot e tutje, do e lëmë të qetë, se nuk e shohim dot në këtë gjëndje.

Njeri është edhe ai, ka ndjenja dhe sedër.

Le të punojë i qetë këto kohë”, u shprehën qytetarët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *