Pse Rama përmendi dorëheqjen pa ia kërkuar askush zyrtarisht?
Nga Klementin Mile
Ka një detaj që ka kaluar pa u vënë re në fjalimin 67-minutësh të Ramës.
Ai nuk e kaloi pjesën më të madhe të kohës duke mbrojtur projektin e Zvërnecit. Nuk foli as për flamingot. As për investimin. As për procedurat.
Foli për algoritmet. Për zemërimin. Për rrjetet sociale. Për histerinë. Për vëmendjen. Për psikologjinë e turmës.
Dhe kjo është shumë domethënëse.
Sepse lideri nuk flet gjatë për atë që e konsideron të parëndësishme, po për atë që e shqetëson.
Lexuar me logjikën e luftës politike, fjalimi i Ramës nuk ishte kundër protestës. Ishte kundër mundësisë që protesta të shndërrohet në KRIZË LEGJITIMITETI.
Pikërisht për këtë arsye Rama futi në fjalim dy tema që askush, të paktën zyrtarisht, nuk ia kishte kërkuar drejtpërdrejt: dorëheqjen dhe zgjedhjet e parakohshme.
“Nuk e di pse kam lënë përshtypjen që mund të jap dorëheqjen.”
“Ne nuk zgjedhim rrugën e lehtë të zgjedhjeve të parakohshme.”
Këto nuk janë fjali të rastësishme.
Në politikë nuk mohohet gjëja që nuk ekziston. Mohohet gjëja që rrezikon të kthehet në pritshmëri.
Prandaj fjalimi ishte më shumë operacion parandalues sesa kundërsulm.
Mesazhi për protestuesit ishte “Mos e ndërtoni strategjinë tuaj mbi idenë se presioni do të më detyrojë të largohem.”
Mesazhi për Partinë Socialiste ishte edhe më i qartë: “Mos filloni të mendoni për skenarë pas-Ramës.”
Kjo është arsyeja pse fjalimi kishte aq shumë referenca filozofike, historike dhe sociologjike. Rama po përpiqej të zhvendoste fushën e betejës.
Jo “qeveria kundër protestës”.
Por “demokracia kundër algoritmit”.
Jo “Zvërneci”.
Por “epoka e re e manipulimit dixhital”.
Jo “konflikt lokal”.
Por “sfidë globale”.
Kur lideri ndryshon fushën e betejës, zakonisht tregon se fusha aktuale nuk i pëlqen më.
Kjo nuk do të thotë se Rama është në panik. Përkundrazi. Fjalimi nuk kishte tonin e njeriut që mendon se po humbet.
Por kishte tonin e njeriut që ka identifikuar një rrezik të ri.
Dhe kur kryeministri ndjen nevojën të shpenzojë 67 minuta për të shpjeguar pse nuk do të japë dorëheqjen dhe pse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, atëherë çështja nuk është çfarë po ndodh sot në bulevard, por se çfarë sheh ai se mund të ndodhë nesër.