Pse njerëzit e viteve ’70–’80 në të gjithë botën, ishin më të dobët fizikisht?
Pothuajse çdo verë, në rrjetet sociale rikthehen fotot e vjetra të plazheve të viteve ’70–’80. I shohim me një lloj habie. Mes turmave të njerëzve, meshkuj e femra, dallojmë trupa me konstrukt kompakt, pa dhjamosjen që hasim më shpesh sot. Dhe menjëherë shprehim habi.. A ishte vërtet e mundur që pothuajse të gjithë njerëzit të ishin kaq të dobët?
Në fakt, nuk bëhet fjalë vetëm për Shqipërinë. Fotografi të ngjashme nga vende të ndryshme të botës tregojnë një realitet të ngjashëm. Por shpjegimi nuk qëndron thjesht te fakti se njerëzit hanin më pak. Përkundrazi, kërkimet e shkrimtarit dhe kolumnistit George Monbiot kanë nxjerrë në pah disa ndryshime të rëndësishme mes mënyrës së jetesës së atëhershme dhe asaj të sotme.
Njerëzit e atyre viteve, në shumë raste, konsumonin edhe më shumë ushqim se sot, por dieta e tyre ishte ndryshe. Ushqimet përmbanin më pak yndyra dhe, mbi të gjitha, mënyra e jetesës kërkonte shumë më tepër lëvizje. Puna fizike ishte pjesë e përditshmërisë, jo vetëm në bujqësi apo industri, por edhe në shumë profesione të tjera.
Sot jetojmë në atë që shpesh quhet “mjedis obezogjen”, një mjedis që e favorizon shtimin në peshë. Ushqimi i shpejtë, produktet e përpunuara, pijet me shumë sheqer dhe bollëku i ushqimeve të gatshme janë bërë pjesë normale e jetës së përditshme. Ushqimi është gjithmonë pranë nesh, ndërsa lëvizja është gjithnjë e më pak e nevojshme.
Edhe puna ka ndryshuar rrënjësisht. Teknologjia ka bërë shumë procese më të lehta dhe më produktive, por njëkohësisht ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin fizik. Një pjesë e madhe e njerëzve sot kalojnë tetë ose më shumë orë ulur në një karrige, përballë një kompjuteri, dhe më pas kthehen në shtëpi me makinë, autobus apo mjete të tjera transporti.
Pra, fotot e vjetra nuk na tregojnë domosdoshmërisht një brez që “hante më pak”. Ato na tregojnë një mënyrë tjetër jetese. Më pak ushqime të përpunuara, më pak ushqim të shpejtë dhe shumë më tepër lëvizje në jetën e përditshme.
Kjo është arsyeja pse, kur shohim sot një plazh të viteve ’70 apo ’80, na duket sikur të gjithë njerëzit ishin të dobët. Në të vërtetë, ajo që ka ndryshuar më shumë nuk është vetëm trupi i njeriut, por mjedisi ku njeriu jeton, ushqehet dhe punon. (Rifat Kullolli)