Pse jam bërë pishman që u ktheva nga emigrimi në Shqipëri?
Nga Ing Azmer Dulevic
Ky vend nuk është më për njerëzit e thjeshtë. Nuk është për ata që jetojnë me djersën e ballit, për ata që nuk kanë miq në pushtet, për ata që nuk kanë para për të blerë çdo gjë.
Në Shqipëri, kush nuk ka njohje nuk hyn dot në punë, kush nuk ka lekë nuk e blen dot një banesë. Dyert janë mbyllur për popullin e thjeshtë, ndërsa hapen vetëm për ata që blejnë gjithçka me pushtet, korrupsion dhe lidhje. Këtu nuk ka meritë, nuk ka mundësi, nuk ka të ardhme për ata që duan të jetojnë me ndershmëri.
Fatkeqësisht, ky vend ka marrë fund. Shpresa është shuar…Askush nuk të dëgjon,madje qeshin me propozimet e mia!
Emigrimi është bërë oksigjeni i të rinjve, ëndrra e familjeve, shpëtimi i të thjeshtëve. Sepse këtu nuk ka më jetë, ka vetëm mbijetesë. Nuk ka më shpresë, ka vetëm ikje. Çdo ditë shohim të rinj që largohen, prindër që i përcjellin me lot, familje që shpresojnë të gjejnë dritë jashtë kufijve.
Ky vend nuk është më shtëpi, është thjesht një stacion i përkohshëm, një vend ku të rinjtë nuk shohin të ardhme, ku prindërit nuk shohin siguri, ku çdo ditë është një betejë për mbijetesë.
Unë jam bërë pishman që u ktheva nga emigrimi me idenë se gjërat kishin ndryshuar. Kisha besuar se vendi im do të kishte hapur një faqe të re, se do të kishte më shumë mundësi, më shumë drejtësi, më shumë shpresë. Por realiteti më përballi me zhgënjim. Gjërat nuk kanë ndryshuar, përkundrazi, janë bërë edhe më të vështira për njerëzit e thjeshtë.
Shpresa që kisha kur vendosa të rikthehem është shuar, dhe çdo ditë e më shumë e kuptoj se vendimi im ishte i gabuar.
Unë nuk ndejta spektator. Veprova, mora guximin të kandidoj, u përpiqa të sjell ndryshim. Por populli nuk më dha votat e duhura që të fitoja, zgjodhi sharlatanët. Unë humba, por ata që fituan çfarë bënë për njerëzit që i votuan? Një vit ka kaluar dhe përgjigjja është e thjeshtë: ZERO punë.
E di që u zgjata pak por e kam menduar gjithë ditën këtë dhe doja ta ndaja me ju!