27 Qershor, 2026

Protesta grisi perden e Ramës dhe Berishës

 Protesta grisi perden e Ramës dhe Berishës

Nga Ergys Mërtiri

Thuhet se minjtë janë të parët që e ndjejnë furtunën. Patronazhistët e Ramës dhe Berishës janë acaruar shumë këto ditë duke u turrur si të tërbuar me komente plot helm e vrer, kundër atyre që mbrojnë protestën në emër të një politike të re, kundër dy mamuthëve të korrupsionit shqiptar. Bandat e militëve janë sulur edhe në profilin tim me një gjuhë të fëlliqur e shpifje banale ku njëra palë më akuzon se i shërbej Ramës e Sorosit, ndërsa tjetra, se i shërbej Berishës.

Problemi është që, ashtu si vetë klasa politike, ata duan ta mbërthejnë publikun në dialektikën false të një dualiteti të shtirur PD-PS. Rama dhe Berisha kërkojnë të mbajnë me rrena dhe mashtrime bipolaritetin e skenës politike, duke përjashtuar, çdo mundësi për një pozicion të tretë, kundër të dyve. Sipas logjikës që ata ushqejnë, kush sulmon Ramën është me Berishën dhe kush sulmon Berishën është me Ramën. Kjo është e vetmja mënyrë që ata të mund ti ndajnë shqiptarët mes njëri-tjetrit, për ti përdorur në shërbim të interesave të tyre të përbashkëta.

Në fakt, e vërteta reale është ndryshe. Shqiptarët janë kundër të dyve dhe kjo protestë e nxorri fuqishëm në dukje këtë. Protesta imponon sot një dialektikë të re: Atyre që janë me Ramën apo Berishën nga njëra anë, dhe të tjerëve që janë kundër të dyve në anën tjetër. Dialektika ere, e cila ka grisur tashmë perden e teatrit të vjetër është: Pro apo kundër Sistemit.

Militantët e Ramës dhe Berishës janë pro sistemit. Protesta është kundër. Për këtë arsye, Berisha, ashtu si dhe Rama, në fakt e urren protestën, pavarësisht se ai, pikërisht për të mbajtur në këmbë perden e vjetër, bën sot sikur po ngazëllehet me sheshin e mbushur plot me të rinj që kërkojnë rrëzimin e Edi Ramës.

Zërat që brohorasin në shesh “Berisha në burg”, ai i etiketon si manipulim prej asaj që ai e quan opozitë e opozitës. Në fakt sheshi është në tërësinë e vet kundër Ramës dhe Berishës. Parrulla “Rama n’burg, Berisha n’burg” është më e përhapura dhe mund të quhet realisht pasaporta e kësaj proteste.

Në të vërtetë, opozitë e opozitës këtu është vetë Berisha. Është ai që mban Ramën në pushtet dhe bën pazare me të, ndërsa vret, sulmon e pengon çdo opozitë të re alternative. Është ai që diskualifikon nga të qenit opozitë çdo opozitar të vërtetë që është kundër sistemit. Ishte ai vetë që doli kundër protestës, me zë dhe me figureë, dhe sulmoi atë dhe protestuesit si njerëz të shitur te Rama dhe Sorosi, ndërsa mbrojti projektin e Ramës për Zvërnecin.

Protesta sot është opozita e vërtetë, opozita që i kundërvihet këtij falsifikimi që Rama dhe Berisha i bëjnë skenës politike. Ajo po kërkon rrëzimin e dy kolonave që mbajnë në këmbë këtë sistem politik të kalbur: Ramës dhe Berishës. Protesta po kërkon të dërgojë për skrap, jo vetëm qeverisjen e korruptuar dhe të degjeneruar të Edi Ramës, por edhe opozitarizmin e korruptuar dhe të falsifikuar të Sali Berishës dhe kjo është rruga e duhur për një transformim rrënjësor të skenës politike shqiptare.

Sot fati i Ramës dhe Berishës është i lidhur më fort se kurrë me njëri-tjetrin. Largimi i njërit prej tyre merr me vete, paketë, edhe tjetrin dhe ky është oguri më i mirë për këtë vend, pas një tranzicioni të stërgjatë. Sot më shumë se kurrë kemi terrenin e duhur për një realitet të ri politik. Sido që të vejë, pas protestës gjërat nuk do të mund të jenë më si më parë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *