Poshtërimi i viktimave – Rasti i PD-së me Gërdecin dhe Ramës me Thethin
Politika në Shqipëri, duket se nuk mjaftohet vetëm me shkatërrimin e jetëve të qytetarëve.
Këta me sa duket ndjejnë një kënaqësi djallëzore, edhe t’i poshtërojnë viktimat e tyre.
Këtë gjë ka bërë Edi Rama këtë të martë, kur është kthyer në Theth, një vit pasi iu shkatërroi jetën qindra personave, me shkatërrimin e godinave që kishte premtuar t’ua legalizonte para zgjedhjeve.
Këtë të martë, tha se e kishin keqkuptuar.
“Është tërësisht e pavërtetë dhe ju jeni dëshmitarë. Unë nuk kam ardhur këtu dhe kam thënë: vazhdoni dhe ndërtoni se i legalizojmë. Se nuk kam pasur si ta them se do isha në shkelje të ligjit. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do legalizojmë këto ekzistueset. Do legalizojmë duke filluar nga ndërtimet e vjetra.
Edhe ata që kanë trashëguar kulla në një zonë si kjo, nuk kishin letra. Nuk ia vinte njeri kullën në hipotekë se i thoshin në një zonë të mbrojtur, dhe duke qenë në zonë të mbrojtur mbaje kullën, nuk vjen njeri ta prishë, por nuk bëhet pronë e jotja. Pastaj realiteti i krijuar nga ata që ndërtuan më pas pa leje në kushtet kur këtu nuk kishte asgjë.
Do legalizohen ata që ekzistojnë. Ajo që ndodhi ishte që pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme aty, meqë po e legalizojmë thanë hajt se po futemi. U arrit të goditej kartolina botërore e Thethit. Po të shkosh e të shkruash Theth në të gjitha gjuhët e botës, është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë e shtëpiza druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit. Si mund t’i lejonim ne këto?”, tha Rama.
Vizita e tij tek viktimat e veta, të kujton historinë me Gërdecin.
Pasi shkaktoi ngjarjen më të rëndë të viteve të demokracisë, ku mbetën të vrarë 26 persona, Sali Berisha dhe PD u investuan fuqishëm dhe fituan në zgjedhjet parlamentare në Gërdec, me diferencë të madhe me PS.
Dhe me krenari pastaj, nxirrnin lajmet në mediat e tyre, se kishin fituar në Gërdec.
Këta edhe të vrasin, edhe të poshtërojnë!