12 Qershor, 2026

Popullin ia mori Irani (Zvërnecin ende jo)

 Popullin ia mori Irani (Zvërnecin ende jo)

Nga Kimete Berisha

Sipas Edi Ramës, një milion shqiptarë që protestojnë kundër tij janë pjesë e një operacioni iranian.

Kjo është një goditje e rëndë për Shqipërinë.

Jo për shkak të Iranit.

Por për shkak se Irani arriti të marrë online një milion shqiptarë pa e vënë re askush.

Madje as ata vetë.

Dhe t’i bëjë ushtarë iranianë kundër Edi Ramës.

Vetëm Edi Rama e di të vërtetën.

Të tjerët dinë vetëm gjysmë të vërteta.

Irani nuk ua mori tokat.

Nuk ua mori shtëpitë.

Nuk ua mori kursimet.

Ua mori mendimin.

Dhe ua ktheu kundër Edi Ramës.

Në fillim mori disa qindra shqiptarë.

Pastaj disa mijëra.

Pastaj një milion.

Askush nuk vuri re gjë.

Vetëm Edi Rama.

Ekspertët po përpiqen të kuptojnë si ndodhi.

Dyshohet se operacioni ka nisur në Zvërnec.

Një fshat i vogël.

Por me rëndësi të jashtëzakonshme gjeopolitike.

Më të madhe sesa mund të imagjinohet.

Amerika merret me Lindjen e Mesme.

Izraeli me sigurinë kombëtare.

Irani me Zvërnecin.

Edi Rama me dhëndrin.

Secili ka prioritetet e veta.

Dihet se xhelozia iraniane lidhet me miqësinë e Kryeministrit me dhëndrin e Presidentit Trump.

Por nuk mund të mbështetesh gjithë jetën vetëm te Irani.

Edi Rama mund të thotë se Greqia ka faj.

Por atëherë Greqia bëhet armiku real.

I duhet një armik i përbashkët me Trumpin.

Prandaj Irani nuk sulmoi Amerikën.

Sulmoi lagunën.

Ndërkohë, protestuesit vazhdojnë të pretendojnë se dolën vetë.

Se u zemëruan vetë.

Se menduan vetë.

Se u organizuan vetë.

Kjo është pikërisht ajo që do të thoshte një iranian i trajnuar.

Shërbimet përkatëse po hetojnë.

Ekziston frika se Irani mund të ketë depërtuar edhe më thellë.

Në familje.

Në lagje.

Në pedonale.

Në male.

Madje edhe në shqiptarë që nuk e dinë fare se janë iranianë.

Edi Rama pret një arsye të shëndoshë për t’u bërë nami.

Por nami nuk bëhet kurrë për arsye të shëndosha.

Bëhet për arsye të sëmura.

Ose për qejf.

Deri tani, versioni iranian mbetet më bindësi.

Sepse Zvërneci pret.

Veç Irani nuk pret.

Sot t’i mori një milion.

Nesër t’i merr edhe ata pak që të kanë mbetur.

Pastaj mbetesh vetëm.

Me projektin.

Dhe me Iranin.

EPILOG:

Rrezik.

Deliri gjeopolitik po rritet.

Iranin e kanë parë duke mbushur TikTok-un me video kundër projektit.

Tinëz.

Islami politik po e paraqet Zvërnecin si vend për palestinezët që do të dëbohen nga Gaza.

Por me fenë islame, çka do të ndodhë edhe në Zvërnec e di vetëm Zoti.

Greqia kërkon të pyetet, sepse ka pronarë grekë në Zvërnec.

Dhe sepse nuk e humb kurrë rastin të shqetësohet.

Komisioni Evropian shqetësohet se Shqipëria mund të hyjë në BE me investitorë amerikanë.

Me dy veta.

Burrë e grua.

E shqiptarët janë të mërzitur për flamingot.

Po të ishin pula, do t’i hanin.

Po të ishin shqiponja, do t’ia linin NATO-s.

Ndërsa Zvërneci rri i mbuluar me bërllog.

Sipas një legjende, nën tokën e Zvërnecit dyshohet se gjendet diçka.

Për arsye personale, tani nuk është momenti ta them.

P.S.

E vërtetë.

Sipas iranianëve.

AUTOKRITIKË:

Më gëzon protesta kundër Edi Ramës.

Nuk kam arsye.

Kjo është arsyeja.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *