Policia qetëson protestuesit: S’do lejojmë njeri tjetër t’ju godasë, përveç nesh
Policia e Shtetit ka garantuar se do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur protestuesit nga dhuna, duke u kujdesur personalisht që çdo goditje ndaj tyre të vijë vetëm nga punonjësit e saj.
Sipas burimeve pranë institucionit, është e papranueshme që në një shtet ligjor qytetarët të rrihen nga persona të paautorizuar, kur për këtë punë ekzistojnë efektivë të trajnuar, të pajisur me uniformë, shkop gome dhe rrogë nga taksat e vetë qytetarëve.
Policia u ka bërë thirrje protestuesve të mos provokojnë efektivët duke qëndruar në këmbë, duke vrapuar, duke u ulur në tokë apo duke mbrojtur kokën me duar.
Institucioni ka sqaruar se çdo përpjekje për t’iu shmangur goditjeve përbën pengim të punës së policisë, ndërsa çdo qytetar që goditet duhet të bashkëpunojë dhe të mos e vendosë efektivin në pozitën e vështirë që të detyrohet ta godasë për herë të dytë.