Polemika në Britani pas deklaratave të JD Vance për vrasjen e Henry Nowak
Qeveria britanike ka reaguar ashpër ndaj komenteve të zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit Henry Nowak, duke e akuzuar atë për përpjekje për të nxitur përçarje në shoqërinë britanike.
Reagimi erdhi pasi Vance publikoi një mesazh në rrjetet sociale, ku pretendoi se vdekja e të riut ishte pasojë e “emigracionit masiv” dhe kritikoi autoritetet britanike për mënyrën se si trajtuan ngjarjen.
Një zëdhënës i zyrës së kryeministrit britanik në 10 Downing Street deklaroi se familja e Nowak ka kërkuar që vdekja e tij të mos përdoret për të krijuar ndarje politike apo shoqërore.
“Politika jonë duhet t’i bashkojë njerëzit edhe në rrethanat më tragjike. Kjo është ajo që përfaqëson vendi ynë”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Vrasja e Nowak ka shkaktuar debat të gjerë në Britani. I riu u vra me thikë në Southampton nga Vickrum Digwa, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm.
Polemikat u shtuan pas publikimit të pamjeve nga kamerat e policisë, ku shfaqej momenti kur efektivët i vendosnin prangat Nowakut teksa ai ishte i plagosur rëndë, pasi autori i sulmit kishte pretenduar fillimisht se ishte viktimë e një sulmi racist.
Deklaratat e Vance kanë ngjallur reagime edhe nga politikanë të tjerë britanikë.
Ministri për Fëmijët dhe Familjen, Josh MacAlister, kritikoi atë që e quajti “importim të politikave toksike” në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se vendi nuk ka nevojë për leksione nga politikanët amerikanë mbi mënyrën e funksionimit të policisë britanike.
Ndërkohë, liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, ka kërkuar një rishikim të pavarur dhe të shpejtë të rrethanave që pasuan vrasjen e Nowak, duke argumentuar se çështja prek besimin e publikut te institucionet dhe policia.
Rasti vazhdon të jetë në qendër të debatit publik në Britani, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime për veprimet e policisë dhe për trajtimin e ngjarjes pas sulmit fatal.