Po iku Edi Rama kush do të vijë?!
Nga Gjergj Erebara
Ja tre shembuj historikë:
1.Në vitin 1991, Fatos Nano kishte 169 nga 250 deputetë (67%). Në mars fitoi zgjedhjet, në korrik dha dorëheqjen. Besoje apo jo, vendi nuk mbeti pa kryeministër. Ylli Bufi 43 vjeç, u be kryeministër.
Ylli Bufi ishte politikan. Ai ishte dhe mbetet përfaqësues i Partisë Socialiste. Në dhjetor, megjithëse PS vijonte të kishte 67% të parlamentit (e barazvlefshme me 94 deputetë sot), dha dorëheqjen dhe PS pranoi një qeveri “teknike” me kryeministër Vilson Ahmetin. Ahmeti nuk u angazhua në politikë pas kësaj.
2.Në 1996, Sali Berisha vodhi 122 mandate parlamentare nga 140 gjithsej. Ne mars 1997, pranoi të dorëzojë pushtetin te Bashkim Fino, në atë kohë, një i panjohur, kryetar i Bashkisë Gjirokastër. Vendi ishte zhytur në kaos në këtë kohë kështu që, për të ardhur nga Gjirokastra për në Tiranë, kryeministri i nominuar u tërhoq nga Gjirokastra me helikopter.
3.Në korrik të atij viti, Shqipëria bëri zgjedhje. Fatos Nano fitoi 52% të votave dhe 65% të parlamentit.
Vetëm një vit më vonë, Nano u përball me krizë. Ai e dha dorëheqjen dhe kryeministër u bë Pandeli Majko, në atë kohë, 28 vjeç.
Siç shikohet, në të gjitha rastet, pyetja nuk ka qenë, kush do të vijë, po sa dëme shkakton ai që duhet të ikë, para se të ikë.
Edhe në drejtim të reformave apo të menaxhimit, këta kryeministrat e panjohur që kanë ardhur nga asgjëja, nuk kanë rezultuar ngordhalaqë. Përkundrazi.
Në korrik të vitit 1991, Shqipëria liberalizoi çmimet, e bëri monedhën kombëtare lekun të konvertueshme dhe vendosi regjimin e kursit të lirë luhatës (të cilin Banka e Shqipërisë e ka pezulluar tashmë që prej tre vjetësh për llogari të Edi Ramës).
Në vitin 1997, vendosja e një kryeministri si Bashkim Fino hoqi shkakun e përplasjeve të dhunshme nëpër rrugë, duke krijuar mundësinë për rikthimin e qetësisë, pas një tragjedie që shkaktoi 1800 të vrarë.
Dhe në vitin 1998, Pandeli Majkos i ra përsipër të menaxhojë krizën e Luftës në Kosovë, me qindramijëra të shpërngulur lufte që u strehuan kudo që të mundej në Shqipëri. Dhe vetëm pak javë pasi mori detyrën Majko, Shqipëria miratoi me referendum kushtetutën që kemi edhe sot, sido që të sakatuar nga ndërhyrjet e vitit 2008.
Rrjedhimisht, pyetja nuk është: Kush do të vijë po iku ky! Pyetja është: Sa dëme do të bëjë ky që do të ikë, para se të ikë.