21 Maj, 2026

Pikëpyetjet mbi rebelimin e Spiropalit dhe aludimet se Rama po i jep Berishës, Bashkinë e Tiranës

 Pikëpyetjet mbi rebelimin e Spiropalit dhe aludimet se Rama po i jep Berishës, Bashkinë e Tiranës

Nga Migena Aleksi

Sjellja e ditëve të fundit e znj.Spiropali shënon një kthesë të rëndësishme në diskursin politik brenda Partisë Socialiste. Ajo po e pozicionon veten si dikushi që e njeh mirë sistemin nga brenda, por që tashmë ka zgjedhur të thyejë heshtjen.

Ky lloj reagimi nuk është i zakonshëm për një figurë që ka mbajtur poste të larta në qeverisjen e Edi Ramës. Akuzat janë të rënda, por jo të panjohura e të paditura. Janë bërë më herët në vijimësi. Por sigurisht, të ardhura nga brenda “familjes” partiake, ato kanë një tjetër peshë.

Spiropali po kërkon të faktorizohet si zëri i “pjesës së ndershme” që nuk e pranon situatën. Po ku qëndron thelbi i skepticizmit që shoqëron zakonisht këto “rebelime” të vonuara brenda llojit?

Së pari është ​detyrimi moral për ndjesë

Kjo është pika më e dobët e atyre që “shpallen” kritikë pasi largohen ose lihen mënjanë. Spiropali ka qenë një nga figurat mbrojtëse të këtij sistemi për më shumë se një dekadë. ​Ndaj kur flet për “makinerinë e pashpirt” që po na godet, lind pyetja: A nuk ishte po kjo makineri në punë edhe kur ajo mbante postin e kryetares së Kuvendit apo ministres?

Nuk kemi pra ende, një reflektim mbi përgjegjësinë personale në instalimin e këtij modeli që ajo sot e quan me të drejtë “fosil”. Pa këtë reflektim mesazhi i saj duket si reagim për shkak të humbjes së pushtetit personal, pra jo si një shqetësim parimor për shtetin.

Gjithsesi, kjo është më e pakta. Në çdo rast mund ta konsiderojmë vetë reagimin si një ndjesë të nënkuptuar.

Ajo që vërtetë ka rëndësi shkon përtej retorikës. Pesha e vërtetë e lëvizjes së Spiropalit dhe asaj të Braçes do të matet me atë që vjen më pas.

A do mjaftohen ata me mjegullnajën e ‘parave të errëta’, apo do të guxojnë t’i japin zë të vërtetës me emra konkretë? Do mbeten denoncimet në rrafshin e eufemizmave për ’emërime okulte’ apo këto akuza do marrin formën që duhet? Do jenë të gatishëm për t’i treguar publikut, dhe mbi të gjitha drejtësisë, fytyrën e asaj ‘dore joformale’ që lëviz fijet? Apo ‘dora joformale’ do mbetet një enigmë e paprekur?

Këtu do ndahet edhe dyshimi a kemi të bëjmë me një projekt real reformator ndryshimi brenda mazhorancës, apo me një skenar të “përçarjes së kontrolluar” për interesa të tjetërkujt.

Një lëvizje e gjerë reformatore do sillte atë që e dëshirojnë të gjithë socialistët.e ndershëm:Ndryshim pushteti brenda së majtës.

Kurse “përçarjet” e kontrolluara (të cilat janë përdorur edhe më parë në PS për të prodhuar rezultate të paracaktuara) dihet çfarë sjellin. Janë e vetmja mënyrë për të rikthyer në pushtet Berishën e pavotë.

Në Tiranë përflitet nën zë që Rama po përgatitet t’i japë Berishës, Bashkinë e Tiranës dhe kjo është pjesë e një marrëveshje që përfshin edhe disa pika të tjera, të konturuara rreth nevojës për mbrojtje të përbashkët nga goditjet e Prokurorisë së Posaçme. Në të vërtetë, nuk do ishte hera e parë që e mbështesin njëri-tjetrin në momente të vështira. E kanë bërë disa herë që nga 2008.

Sipas këtyre zërave, një përçarje e votës së majtë në Tiranë përmes një kandidati të tretë apo një fraksioni “rebel”, favorizon këtë marrëveshje nën rrogoz që ndryshon fillimisht balancat e kryeqytetit dhe më pas risjell berishizmin në pushtet në 2029.

Kjo ka qenë sipas këtij versioni edhe arsyeja e lincimit të pashembullt të Veliajt. Jo rastësisht protestat e PD me zjarr e molotov që i paraprin arrestimit të shpejtë dhe të habitshëm të tij, u financuan nga grupimi i Ballukut, sic doli në përgjimet e publikuara.

Në të vërtetë atë flamur që ka marrë sot Spiropali apo Braçe pritej ta tundte dhe duhej ta tundte pikërisht Veliaj, akuzat ndaj të cilit duken fare qesharake krahasuar me dosjen Balluku apo AKSHI. Por Veliaj nuk është ndjerë, ndoshta sepse e ka pas menduar disi pastoral batakun politik të Tiranës, por me siguri edhe për hir të së famshmes “mospërçarje” që ai e ka ruajtur deri tani me vetësakrifikim ekstrem.

Vatrat e tensionit brenda familjes socialiste tashmë janë ndezur, por në mënyrë tjetër. Jemi dëshmitarë të një zgjimi ndërgjegjeje? Apo po rishohim mjeshtrat e vjetër të shahut duke risistemuar figurat përballë një rreziku të përbashkët?

Testi i vërtetë i Spiropalit nuk qëndron te bukurshkrimi apo poezia e reagimit, as te metaforat lasgushiane.

Pa u përballur realisht me të vërtetat e zhveshura, ‘rebelimi’ i saj apo i z.Braçe ose do mbetet një mjet presioni, tip gjobe politike për të blerë një pozicion më të mirë, ose më keq akoma: Rreshtim në shërbim të skenarit që synon rikthimin e berishizmit, së pari në kryeqytet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *