Pikat e voçkla? – Përse u thirr në SPAK, Mirela Kumbaro?
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Ajo është parë të hyjë në institucionin e drejtësisë rreth mesditës, ndërsa deri në këtë fazë nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi arsyen e paraqitjes së saj.
Paraqitja e Kumbaros në SPAK vjen në një kohë kur një nga vendimet më të debatueshme të saj mbetet ai për ndërtimin e “Resort Manastirit” nga kompania “AlbStar”, në pronësi të Idajet Ismailajt, brenda zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Në vitin 2021, me një vendim që shkaktoi reagime të forta publike, Kumbaro firmosi nxjerrjen e gjirit të Manastirit, në hyrje të Ksamilit, nga statusi i zonës së mbrojtur. Pas këtij vendimi, Këshilli Kombëtar i Territorit hapi rrugën për dhënien e lejes së ndërtimit për resortin.
Projekti u kundërshtua gjerësisht në atë kohë nga ekspertë dhe aktorë të shoqërisë civile, ndërsa vetë ministrja e minimizoi ndikimin e tij gjatë një interpelance në Kuvend, duke e cilësuar si “një pikë të voçkël”.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga SPAK apo nga vetë ministrja lidhur me paraqitjen e saj në këtë institucion.
Kujtojmë që Kumbaro është edhe drejtuese politike e PS, për Qarkun e Gjirokastrës.
Edhe këtu, ajo është përfolur për përfshirje në disa afera korruptive.
Mirela Kumbaro: Ja pse u thirra në SPAK
“Isha në cilësinë e personit në dijeni” – Kështu u shpreh Mirela Kumbaro pas përfundimit të dëshmisë së saj në SPAK.
Ajo tha se ishte thirrur në lidhje me një çështje që lidhet me stadiumin “Air Albania”.
Ministrja, e cila u paraqit rreth orës 13:00 pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme dha një deklaratë të shkurtër për mediat, duke theksuar se roli i saj ishte thjesht si person në dijeni të rrethanave të hetimit.
“Isha në cilësinë e personit në dijeni për një çështje që ka të bëjë me stadiumin Air Albania,” u shpreh ajo, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kjo është hera e parë që Kumbaro paraqitet pranë prokurorëve të posaçëm.
Ajo njihet si një ndër figurat më jetëgjata në qeverisjen e Edi Ramës, ku për vite me radhë ka mbajtur postin e ministres së Kulturës. Prej shtatorit të vitit të kaluar, ajo ushtron detyrën e ministres së Arsimit.