Përplasje e fortë brenda SPAK? Prokurori refuzoi të dëshmojë për takimin me Agasin, përplasje me Dumanin
Një prokuror i SPAK-ut është përfshirë në një përplasje të fortë brenda Prokurorisë së Posaçme pasi, sipas gazetarit Elton Qyno, ka refuzuar të japë shpjegime për një takim me Ergys Agasin. Deklarata u bë në podcastin “MaShqip me Flamur Vezaj”, ku Qyno dhe Artan Hoxha komentuan prapaskenat e dosjes Agasi dhe tensionet që, sipas tyre, ekzistojnë brenda SPAK-ut.
Qyno deklaroi se, pasi janë marrë në pyetje Ergys Agasi dhe ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, hetuesit kanë tentuar të marrin në pyetje edhe një prokuror të SPAK-ut. Sipas tij, prokurori ka refuzuar fillimisht kërkesën dhe më pas nuk i është përgjigjur as një fletëthirrjeje të dërguar për t’u paraqitur.
Arsyetimi i prokurorit, sipas Qynos, ka qenë se fakti që ka takuar një person nuk përbën në vetvete arsye që ai të merret në pyetje. Gazetari nuk e paraqiti refuzimin si shkelje ligjore. Përkundrazi, Qyno e përshkroi prokurorin si një njeri “të qëndrueshëm” dhe njohës të ligjit, por tha se mbetet për t’u parë deri ku mund të shkojë kjo përplasje me drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani.
Pjesa më e fortë e deklaratave lidhet me atë që Qyno e përshkroi si një ndarje të brendshme në SPAK. Sipas tij, përplasjet kanë ekzistuar edhe më parë, por janë bërë më të dukshme pas ardhjes së Dumanit në drejtim. “Në SPAK janë tre grupe të ndara mes tyre”, deklaroi Qyno, duke pretenduar se disa prokurorë janë diferencuar nga drejtuesi dhe kjo ka thelluar konfliktet e brendshme. Flamur Vezaj ngriti gjithashtu çështjen e marrëdhënieve të tensionuara brenda institucionit dhe faktin se, sipas informacioneve të diskutuara në emision, Dumani nuk komunikon me një pjesë të njerëzve në SPAK.
Dosja bëhet edhe më e ndërlikuar nga pamjet e sigurisë të zyrës së Agasit. Qyno tha se aty është filmuar jo vetëm prokurori, por edhe një gjyqtare e drejtësisë së posaçme, duke ngritur pikëpyetje se çfarë natyre kanë pasur këto kontakte dhe si do të trajtohen nga hetuesit.
Në “MaShqip”, Qyno hodhi edhe një akuzë tjetër të rëndë. Duke folur për presionet ndaj gazetarëve, ai deklaroi se rasti i Klodiana Lalës nuk është i vetmi dhe pretendoi se edhe ai së bashku me Artan Hoxhën janë përballur me “shantazh” nga SPAK-u.
Kështu, dosja Agasi, nuk po ngre vetëm pikëpyetje për njerëzit jashtë SPAK-ut që shfaqen në përgjime dhe pamje, por edhe për vetë marrëdhëniet brenda institucionit që po kryen hetimin: kush ishte prokurori që takoi Agasin, përse kërkohet të japë shpjegime dhe a ka kjo çështje lidhje me përplasjet e pretenduara brenda SPAK-ut?