Përmetari që ka një ndër restorantet më të mira në Zvicër
Bledi Kume, një djalë nga Përmeti, ka ngritur një ndër restorantet më të mira në Zvicër.
Kjo bëhet me dije nga ambasadori shqiptar në Zvicër, Ermal Dredha, që ka shkuar për ta vizituar atë.
“Kisha kënaqësinë e veçantë të darkoja në një restorant të ngritur mes maleve të bukura të Zvicrës, një sipërmarrje frymëzuese e një të riu shqiptar, Bledi Kume, që me punë, vizion dhe përkushtim ka sjellë një histori suksesi që na bën krenarë.
Me origjinë nga Përmeti dhe me shpirtin e mikpritjes shqiptare, Bledi ka ditur të ndërtojë jo vetëm një biznes, por një urë vlerash mes traditës sonë dhe standardeve ndërkombëtare.
Pas viteve të eksperiencës në Mikonos të Greqisë, ku mori më të mirat e kulturës së shërbimit dhe turizmit, ai prej tre vitesh ka zgjedhur Zvicrën, në Villeneuve, për të investuar dhe për të krijuar një model të suksesshëm sipërmarrjeje.
Në këtë ambient të veçantë, mes natyrës zvicerane, ndjeva jo vetëm profesionalizëm, por edhe zemrën shqiptare në çdo detaj. Më mbushi me krenari fakti që rreth 80% e stafit janë shqiptarë – një dëshmi e qartë se diaspora jonë jo vetëm integrohet, por krijon, punëson dhe përfaqëson denjësisht identitetin tonë.
Histori si kjo tregojnë se shqiptarët, kudo që ndodhen, dinë të ndërtojnë sukses me punë të ndershme, mikpritje dhe vizion.
Bledi Kume është një shembull i bukur i diasporës sonë aktive, që promovon jo vetëm emrin e tij, por edhe vlerat më të mira shqiptare”, shkruan Dredha.
Prindërit e Bledit ndërkohë, prej disa vitesh kanë ngritur një bujtinë në Peshtan, me emrin “Vila Goliku”.