21 Maj, 2026

PD i shpall luftë Top Channel: Bojkotojeni këtë television

 PD i shpall luftë Top Channel: Bojkotojeni këtë television

Lori Hoxha dhe Grida Duma

Partia Demokratike, duke nisur nga rasti i ndodhur mes Grida Dumës dhe Alfred Lelës, ka akuzuar Top Channel se po shtrembëron të vërtetën.

Për këtë arsye, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj Top Channel.

“Në një emision televiziv mbrëmë, në mënyrë më të papërgjegjshme, për të damkosur opozitën, për të mbuluar krimin e shëmtuar të djegies së pallatit shumëkatësh, të ndërtuar me material të djegshëm, të ndërtuar me material, të cilin opozita e kishte denoncuar pikërisht atë ndërtues dhe atë pallat në organet e prokurorisë kohë më parë, deklarohej se asnjë deputet i opozitës nuk ishte aty.

Paturpërsia mediatike nuk mund të ketë kufi tjetër përveç kësaj. Deklarohej se deputetët e opozitës heshtën, në një kohë kur aty ishin deputetët e opozitës, në një kohë kur deputetët ndërhynë për të njoftuar emisionin që kemi aty. Me dokumente.

Në një kohë që në parlament, 4 deputetë të opozitës ngritën zërin për pallatin që u dogj dhe mbrojtjen e banorëve.

Në një kohë kur unë para jush denoncova Edi Ramën dhe Erion Veliajn si autorë të zjarrit dhe Armand Lilon që e mbrojti Edi Rama, sepse doli e tha se do e ndërtojë ndërtuesi, megjithëse nuk është përgjegjësia e ndërtimit ajo që ndodhi.

Në një kohë kur Armand Liloja ia ka mbathur.

Dhe unë thashë, që në qoftë se është i pafajshëm, pse ia mbathi ai.

Në gjithë këtë kontekst organizohet si artileri mashtrimi Top Tuneli për të sulmuar opozitën që nuk çau kokën, se ka lidhje me Fatmir Xhafën.

Se tani në luftën Balluku-Xhafaj duhet të ndërhyjë opozita.

Po pse është bërë tunel Topi, opozita nuk ndërhyn në betejat e brendshme.

Sali Berisha e ka denoncuar jo njëherë, por dhjetëra herë Armando Lilon si kunatin, me të cilën ai ka gabuar. Nuk është kunati i Fatmir Xhafës dhe unë nuk mund të them atë që nuk është.

U përgënjeshtrua. Fatmir Xhafën as e kursejmë, as e kemi kursyer, po Fatmir Xhafa nuk është kryetar bashkie.

Se i pëlqen Top Tuneli që të përzihet edhe opozita në betejën e tyre, opozita këtë nuk e bën.

Jo, nuk e bën.

Lejet e ndërtimit nuk i jep Fatmir Xhafa.

I jep Edi Rama dhe Erion Veliaj.

I panë të gjithë shqiptarët se zjarrfikësja nuk futej dot.

Dhe e gjithë narrativa e Topit ishte si të clirohej Rama dhe Veliaj, në fakt Rama dhe Lubia më shumë, se për Veliajn e kanë më ndryshe punën, nga përgjegjësia që doli.

Dhe këtu të gjithë fajin e ka opozita që nuk ka qenë, në një kohë kur opozita ka qenë aty me orë në kohën e zjarrit, ka reaguar që gjatë asaj periudhe dhe reagoi dje në parlament.

Pse e thashë këtë shembull?

Jo për të bërë një betejë, se nuk ia vlen.

Unë e kam thënë, e them dhe do e them, ata që manipulojnë të vërtetën, fshehin të vërtetën, ata janë xhelatë të fjalës së lirë dhe ata janë mafia më e keq e planetit.

E them me bindjen më të thellë.

Me këtë nuk dua të lëndoj asnjë gazetar. Unë kam respektin më të palëkundur për gazetarët.

Jam shumë vlerësuar për kontributin që ata japin në kushte shumë të vështira për transparencën dhe mbrojtje e interesit publik.

Por, ata komandohen nga kocka mafioze, t’i quajmë kështu, që nuk kanë asnjë moral, që janë armiq të betuar të fjalës së lirë.

Që mendojnë nga mëngjesi deri në darkë se si ta përdorin atë si thikë, si shpatë, si bajonatë, etj, kundër kundërshtarëve të padronit të tyre, Edi Rama.

Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

Gazment Bardhi nga ana tjetër, ka kërkuar bojkotimin e Top Channel.

“Kur një media kombëtare shndërrohet në zyrën e propagandës së Qeverisë, se për gjithçka fajin e ka opozita, duhet të përballet me të vërtetat e thjeshta që janë aty por që nuk duan me dashje ti shikojnë.

Hapësira e debatit të darkës në Top Channel për fat të keq ka marrë rolin e turpshëm të sulmit me shpifje ndaj opozitës. Nuk është hera e parë dhe nuk do jetë as e fundit. E kanë mision të pavërtetën!

Prandaj ka vetëm një zgjidhje: Ndryshoni kanalin televiziv nëse doni të informoheni dhe jo të mashtroheni.

Turp për shpifësit”, shkruan Bardhi.

Edhe Jorida Tabaku, akuzat e Grida Dumës, i quan keqinformim.

“Një sqarim i nevojshëm për qytetarët e Tiranës

Meqë media është futur në një vorbull të pakuptimtë në kërkimin e fajit tek opozita, me pretendimin (të pahetuar siç duhet) se asnjë deputet i PD nuk ka qenë tek skena e krimit në pallatin e shkrumbuar, më duhet të reagoj për të shuar çdo të pavërtetë që merr dhenë më shpejt se e vërteta.

Ditën e djeshme, pasi flaka e madhe ishte shuar, por vatrat e vogla vijonin ende, kam qenë pikërisht në ambientet e atij kompleksi, duke biseduar për atë që kishte ndodhur në të vërtetë dhe për pasojat e rënda. Gjithë pasditen e kalova duke diskutuar me banorët, bizneset dhe pronarët, duke dëgjuar historitë e tyre dhe duke kuptuar çmund ti ofroj atyre në ndihmë.

Në fakt, mendova të mos publikoj asgjë personalisht, sepse gjykova se kishte më shumë rëndësi të isha pranë atyre që kishin nevojë për një fjalë dhe për t’u dëgjuar. Aq më tepër që sot, në Kuvend, padyshim gjeta kohën për të folur dhe për të ngritur këtë shqetësim.

Natyrisht që për mua parlamenti nuk mbaron në orën 14:00. Dhe pikërisht pas kësaj ore kam qenë në foltoren e Kuvendit duke ngritur shqetësimin për pallatin e djegur, që fatkeqësisht i ka shpëtuar syrit dhe veshit vigjilent.

I gjithë ky shpjegim shkon për t’i shërbyer të vërtetës dhe qytetarëve, të cilët në epokën e lajmit të shpejtë shpesh rrezikojnë të keqinformohen në nxitim e sipër”, shkruan Tabaku.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *